Zyrtarët ndërkombëtarë presin që takimi Xi-Biden të gjejë rrugën e duhur për përmirësimin e lidhjeve Kinë-ShBA
2023-11-15 12:19:17

Foto nga VCG

Mbledhja e liderëve ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) për vitin 2023 do të fillojë së shpejti në San-Francisko. Me vëmendje të madhe pritet gjithashtu edhe takimi i ardhshëm midis krerëve të shtetit të Kinës dhe ShBA-së. 

Zyrtarë nga organizata kryesore ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara mendojnë se marrëdhëniet e mira kino-amerkane janë veçanërisht të rëndësishme sot dhe se bisedimet dypalëshe do të sjellin optimizëm dhe do të përbëjnë një mundësi për botën. 

Rebecca Fatima Sta Maria, drejtore ekzekutive e Sekretariatit të APEC-ut, tha: "Fakti që dy ekonomitë më të mëdha janë këtu për të pasur bisedime shumë të rëndësishme, bisedime kyçe, në këtë kohë hap vërtet dyert për mundësi të tjera për botën. Kjo sjell një dozë të fortë optimizmi, teksa ky vit po mbyllet dhe viti i ardhshëm po nis."

Ajo shtoi se vendet duhet të shohin përfitimet më të përgjithshme, që mund të nxisin rritjen globale nga një perspektivë më e gjerë. 

Në një intervistë ekskluzive me CGTN-in, ish-Drejtori i Përgjithshëm i OBT-së Roberto Azevedo shprehu shpresën që ShBA-ja dhe Kina të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara me anë të këtij takimi, pasi një mjedis më pozitiv ndërmjet dy superfuqive është "absolutisht thelbësor që bota të ndihet më e sigurt, të ndihemi se jemi në rrugën e duhur." Ai sugjeroi që të dy palët të jenë të hapura për të folur dhe për të dëgjuar diçka që nuk duan të dëgjojnë.

Gita Gopinath, zëvendësdrejtorja e parë menaxhuese e FMN-së, tha për CGTN-in se marrëdhëniet e ngushta dhe marrëdhëniet e mira të punës ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë shumë të rëndësishme për të dy vendet, si edhe për ekonominë botërore. "Duhet të gjendet një mënyrë që të dy vendet të jenë në gjendje të punojnë së bashku," theksoi ajo. 

Ndërkohë, ish-sekretari amerikan i Energjetikës Steven Chu i tha CGTN-it në një intervistë se "shkëputja" ndërmjet ShBA-së dhe Kinës është një "ide e keqe," duke shtuar që, nëse kjo ndodh, edhe ai pak besim që mund të ketë mbetur do të fillojë të zhduket.

Duke vënë në dukje se Kina është tashmë një faktor i rëndësishëm dhe ekonomia e dytë për nga madhësia në botë, Chu tha se ShBA-ja, Kina dhe Evropa duhet të punojnë nga afër për të arritur lëshimin zero të karbonit.