Pashk Përvathi, piktori i mirënjohur prezanton librin “Rrugëtimi im”
2023-11-14 11:14:45

Një ceremoni promovimi, ku morën pjesë artistë të shquar të arteve figurative, ish-ministra dhe deputetë, botues  dhe intelektualë jo vetëm nga  kryeqyteti, por dhe nga Lezha, vendlindja e tij. Piktori Pashk Përvathi na prezantoi me librin e tij “Rrugëtimi im”

“E kam thënë diku në libër, po e them edhe sot, lajthita një ditë dhe shkruajta një libër. Nuk pyeta asnjeri se si bëhet një libër, se edhe ne piktorët në zhanrin që bëjmë, duke u përpjekur të mos ngjasojmë me askënd tjetër, thashë të mos pyesja asnjë se si bëhet libri, por e bëra si dita unë”,-tha Pashk Përvathi.

CMG: Si u  ndjetë në natën e promovimit të librit tuaj?

Pashk Përvathi: Unë jam ndjerë shumë mirë dhe gjithçka doli jashtë pritshmërive të mia. Kishte pjesëmarrje elite, që nënkupton njerëz me ndikimin në shoqërinë tonë dhe që mua më kanë habitur me prezencën e tyre. Ajo që i ka shtyrë të vijnë në këtë event ka qenë kurioziteti, unë kam bërë shumë punë në pikturë dhe të gjthë kanë qenë kuriozë se si do isha unë si një autor i një libri biografik. 
CMG: Jeni lodhur gjatë gjithë këtij procesi?Pashk Përvathi: Po patjetër, vetë shkrimi i librit dhe deri tek organzimi i një mbremje ku do ta prezantoja për miqtë dhe ata që më vlerësojnë merr një kohë dhe ka një sfidë më vete. Por në momentin që unë përfundova dhe mbylla natën e fundit të promovimit të librit tim i kam thënë vetes: “Pashk mjaft, kthehu në punën tënde”!

Pashk Pervarthi gjate prezantimit te librit te tij  ( foto personale)

CMG: Pse e botuat këtë libër?

Pashk Përvathi: Nuk e kam pasur në qëllimet e mia, madje shumë herë kanë qenë miq të cilët më kanë shtyrë në shumë forma që unë të shkruaj një libër dhe unë nuk pranoja në formë kategorike. Megjithatë ishte thjesht një moment që më bëri të reflektoj. Unë kam kaluar shumë gjëra në jetë, qofshin ato të bukura apo dhe jo fort të këndshëme. Këto momente dikush duhet t’i njohë, por vetëm nëse i tregoj unë do të jenë të vërteta. Pra, i parapriva një situate e cila mund të ndodhte në të ardhmen.  Nuk kam dashur që dikush tjetër të shkruajë për mua dhe të mos i dijë të gjitha përjetimet e mi me detaje siç në fakt unë i di dhe e njoh veten. Kisha dëshirë që publiku im i dashur që më njeh dhe që më do aq fort të ketë mundësinë të njohë të gjitha momentet dhe etapat e mia të jetës.

CMG: Gjatë procesit të shkrimit, marrim parasysh që nju shkruani për veten, a keni zbuluar kujtime, apo e keni njohur më tepër veten?

Pashk Përvathi: Të jem i sinqertë po! Kam reflektuar shumë me veten për ta nxjerrë këtë libër dhe në fund të mbylljes së faqes së fundit kam kuptuar që kam pasur  një jetë me gërshtime emocionesh të ndryshme, të cilat më kanë bërë ky që unë jam sot. Rrugës në proces kam rizgjuar edhe njëherë veten time të humbur  nga presioni i kohës apo gjithçka që ne kalojmë në jetën tonë  të përditshme.
Ishte bukur të kujtoje çdo detaj, ishte bukur të shkruaje për veten dhe në fund ishte tepër bukur të kujdeseshe që çdo gjë mos të shpëtonte dhe ti të gjeje më të mirën për veten tënde, pasi ai libër tashmë është një trashëgimi për brezat.

Pashk Pervathi i ftuar ne Opinion ( foto tv Klan)

CMG: Ju jeni një piktor autor, apo autor piktor?

Pashk Përvathi:  Unë jam një piktor  dhe lexuesit nuk duhet të ndërtojnë pritshmëri për mënyrën se si kam shkruar, nuk jam autor mirëfilli, por jam përpjekur të jem i sinqertë në këtë libër. Kam refuzuar të marr mendime dhe të ndjek shembuj për mënyrën se si duhet ta ndërtoj librin tim. Nuk dëshuroja të isha një kopje e askujt ndaj rrugën e zgjodha vetë dhe ajo është, vërtetësia.
CMG: Kur keni filluar të mendoni dhe të nisni të shkruani për këtë libër?

Pashk Përvathi: Në vitin 2010, zoti Kujtim Dashi të cilit unë i jam mirënjohës sepse më hodhi indicien e pare, më tha që të më bënte një libër. Megjithse në atë kohë  nuk  ndihesha gati, dhe e ndërpreva atë ide, por biseda me Kujtimin mua më la një shenjë. E mendoja shpesh dhe fillova të isha serioz. Vendimin e mora pak kohë më pas. Kisha një takim me një mikun tim dhe po i rrëfeja një histori personale timen dhe ai më nxiti që unë ta shkruaja diku atë histori.

Më sugjeroi që historitë t’i rendisja vetë dhe t’i shkruaja në një libër dhe më pas u preukupova dhe e solla këtë libër.

CMG: Cila do ishte arsyeja kryesore që dikush do të lexonte librin tuaj?
Pashk Përvathi: Sepse do të më njohin siç nuk më kanë njohur kurrë! Jeta ime në këtë libër vjen në të gjitha dimensionet.

Intervistoi   Megi Latifi