Ventrilokuistia e parë shqiptare Arjeta Dhima në skenë shfaqjen “Kush foli?”
2023-11-14 11:09:15

Një shfaqje me kukulla, jo fëmijësh, por për të rritur. ‘Ventrilokuizmi’ me fjalë të thjeshta është e folura me bark, stomak, nëpërmjet të cilit fjalët thuhen pa hapur gojën (ndaj dhe krijohet përshtypja se njeriu flet me bark). Kjo mënyrë është përdorur hershëm, duke komunikuar me kukulla, nga ato për të cilat publiku mendon se janë të kurdisura dhe të programuara elektronikisht, por nuk është asgjë tjetër përveçse po i njëjti zë, ai i vetrilokuistit.  

Në të gjithë globin janë shumë pak ventrilokuistë që kanë aftësinë të ushtrojnë këtë art, i lashtë sa dhe Greqia antike.  Ata janë rreth 100 dhe Arjeta Dhima është e para dhe e vetmja ventrilokuiste në Shqipëri, me një sukses, të cilin ka mundur ta ballafaqojë edhe përtej kufijve, duke u spikatur e vlerësuar edhe përtej kufijve shqiptar.  Ventrilokuizmi, iluzioni se zëri duket se vjen nga goja lëvizëse e një kukulle dhe jo nga folësi aktual, është një nga artet klasike të performimit mjeshtëror me pjesëmarrjen e shumë shqisave. Shfaqja e Arjetës “Kush Foli?” u mbajt për herë të parë më  3 nëntor në sallën e Teatrit Kombëtar, tek arTurbina në Tiranë. Skenari është  ndërtuar mbi një material letrar që sjell tema të jetës, fenomeneve të përditshme, të përcjella me nota humori e  të vendosura nën personazhet kukulla, të dashura për publikun. Për të mësuar më tepër rreth ventrilokuizmit, artistja Arjeta Dhima, tregon rreth këtij arti të veçantë skenik.

CMG: Cili nga personazhet ka qenë më i vështirë ?

Arjeta Dhima: Janë disa regjistra dhe  më i vështirë ka qenë personazhi i Xha Telit, sepse është regjistër që fillon realisht në bark, prandaj quhet “ventri” sepse vjen nga brenda, pra ventrilokuizëm. Zërat e tjerë janë pak më të thjeshtë, por të realizuara me shumë përkushtim.

CMG: Përse shfaqja titullohet “Kush foli?”?

Arjeta Dhima: Në fakt kështu nis shfaqja. Dikur unë kam folur kështu kur kam qenë e vogël, por nuk e dija se çfarë ishte.  Kur u ballafaqova me fenomenin ventrilokuizëm, mendova ‘unë jam kështu’. Sigurisht që është një punë nga pas, nuk është thjesht talenti, pasi nuk është vetëm e folura me gojë mbyllur çelësi i gjithçkaje. Duhet të krijosh karakterin e kukullave, të cilave duhet t’u japësh jetë, zë, lëvizje, dinamikë. Në fund kur vesha 5 personazhet, thashë: Ku është Arjeta?

CMG: Ti ke qenë e ftuar në Konventën e Ventrilokuistëve Botërorë në SHBA ku  bëjnë pjesë 100 vetrilokuistë në gjithë botën…

Arjeta Dhima: Po, jemi shumë pak në gjithë botën, vetëm 100 persona. Të jesh ventrilokuistë duhet të kesh një përgatitje aktoreske, duhet të kesh një diafragmë shumë të përgatitur,  dhe një intuitë shumë të mirë. Në anglisht është shumë e thjeshtë që ta bësh ventrilokuizmin, sepse bashkëtingëlloret tona ndryshojnë nga bashkëtingëlloret e tyre.

CMG: Çfarë do i thoje publikut shqiptar, që ta ndjekë shfaqje tënde “Kush foli”?

Arjeta Dhima: Konotacioni  ‘kukull’ e ka kanalizuar opinionin se është një shfaqje për fëmijë, por realisht është përdorur për të rritur, kjo është pak e vështirë për të orientuar audiencën. Sigurisht që jemi treguar shumë të kujdesshëm në skenar, nuk ka asgjë banale, apo  politike. Ne presim një publik të rriturish që të shijojë një shfaqje për herë të parë të ventrilokuizmit në Shqipëri. Për ne është sfidë më vete sepse është një risi dhe po përballemi me një publik, i cili nuk e ka ndjekur më përpara. Unë personalisht përveç të gjithave, dua që njerëzit të përqafojnë risitë.

Ideja e kësaj shfaqjeje është jo vetëm të argëtojë spektatorët e rritur nëpërmjet artit të veçantë të ventrilokuizmit, por edhe të japë mësazhe të rëndësishme për jetën, për marrëdhëniet njerëzore dhe për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm në familje, në punë, në shoqëri, në komunitet. Tashmë ajo po vijon një tur në disa qytete të vendit ku më 12 nëntor performoi  në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, më 16 nëntor do të udhëtojë drejt Korçës për të dhënë shfaqjen në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, ndërsa do e rikthejë shfaqjen në Tiranë më datë 20 dhe 23 nëntor tek Qendra e Artit “Agimi”, ku do të japë shfaqjen “Kush foli?”, me një mbështetje të jashtëzakonshme nga  producentja  Kozeta Kurti.

Vetrilokuizmi është një nga artet më të rralla në botë, sa i përket artit skenik, që performohet në një formë ndryshe, fillon artikulimi që në bark, në diafragmë dhe mbaron tek kukulla. “Kush foli?” është një shfaqje që publiku shqiptar nuk e ka parë ndonjëherë, asnjë artist shqiptar nuk e ka interpretuar më parë, duke e bërë artisten Arjeta Dhima të parën në Shqipëri të interpretojë në këtë lloj arti skenik.

Artistja Arjeta Dhima ka mbaruar studimet për regjinë e teatrit. Ka interpretuar në shumë role në teatër, por prej vitesh fokusi i saj ka qenë themelimi i Studios iACT. Ajo zhvillon kurse për të rriturit “Public speaking” për të gjithë ata që kërkojnë trajnime për të folurit në publik, ku kanë marrë mësime kryesisht biznesmenë, figura të televizionit, politikanë e kategori të tjera. Prej shumë vitesh ajo ka prezantuar edhe një nga artet më të rralla në botë që është ‘Ventrilokuizmi’, duke qenë e para ventrilokuiste në Shqipëri.

Intervistoi   Sava Lena