Projektbuxheti 2024: për qytetarin dhe rritjen e ekonomisë
2023-11-14 10:52:00

Projekt-buxheti 2024 (Foto Revista Monitor)

Projekt-buxheti 2024 (Foto Revista Monitor)

Më 1 nëntor 2023, Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete paraqiti në Kuvend, në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve dhe Komisioneve Parlamentare, Projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2024.

Sikurse e ka vlerësuar pak ditë më parë edhe Misioni faktmbledhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar në vizitën e tij njëjavore në Shqipëri, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që perspektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive. Situata aktuale e favorshme i krijon qeverisë shqiptare mundësi për të shtyrë përpara një sërë reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Bazamentet makroekonomike kanë rezultuar të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe sfidash, ku ekonomia e Shqipërisë në pak vite u godit nga një tërmet shkatërrues në vitin 1019, nga Pandemia e Covid-19 në vitet 2020-2021 dhe nga rritja ndërkombëtare e çmimeve në vitin 2022. Kjo qëndrueshmëri e ekonomisë është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë, si edhe për shëndettin e financave publike në vend.

Ministri Ervin Mete duke paraqitur në Kuvend projektbuxhetin 2024 (Foto Gazeta Express)

Ministri Ervin Mete duke paraqitur në Kuvend projektbuxhetin 2024 (Foto Gazeta Express)

 “Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2023. 

Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.

Edhe agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive. Ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, është pasqyrë e politikave ekonomike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në zbatimin e reformave strukturore.

Sa i takon inflacionit, ai ka qëndruar në nivele më të ulëta se vendet e rajonit dhe se mesatarja e vendeve të BE-së. Aktualisht, në muajin shtator 2023, inflacioni ka zbritur në nivelin 4.1%, i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

Të ardhurat buxhetore në raport me PBB për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022. Kjo rritje bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.

Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33.4% të shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, bonusin e bebes etj.

Shpenzimet buxhetore (Foto Ministria e Financave dhe Ekonomisë)

Shpenzimet buxhetore (Foto Ministria e Financave dhe Ekonomisë)

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit”.

Ambicja e Qeverisë, e shprehur në projektbuxhet, është që këtë qëndrueshmëri dhe moment pozitiv ekonomik ta përkthejë në mirëqënie për qytetarët, duke synuar të ofrojë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon. Gjithashtu, turizmi është një sektor që mbështetet nga projektbuxheti i Shtetit per vitin e ardhshem, me synimin që Shqipëria të kthehet në një nga destinacionet kryesore të turizmit në rajon. 

 

Programimi i të ardhurave buxhetore për vitin 2024, ka marrë në konsideratë faktorët kryesorë, përfshirë efektin e pritshëm të rritjes ekonomike të vendit, projeksionin e indeksit të çmimeve, politikat e reja fiskale si dhe efektet e përmirësimit të administrimit tatimor e doganor.

Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal. 

Në këtë drejtim, do të punohet së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me të cilin qeveria shqiptare ka dakordësuar të rishikojë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makroekonomikë dhe fiskalë.  

Paraqitja e Projektbuxhetit për vitin 2024 në Kuvend, përkoi me lajmin e mirë të daljes së Shqipërisë nga lista gri e Task Forcës për Veprim Financiar dhe MONEYVAL, struktura që mbikqyrin shtetet për përpjekjet e tyre në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Vendimi vjen si pasojë e progresit të shënuar nga Shqipëria në zbatimin e rekomandimeve të këtyre strukturave. Përbën një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, si në aspektin e imazhit të vendit, ashtu edhe sa i përket perspektivës së zhvillimit ekonomik, klimës së biznesit, investimeve, si edhe lehtësimit të kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Fatos Çoçoli