Monumenti i Pavaresise-Foto Facebook Presidenca shqiptare
Më 28 nëntor 1912, në qytetin e Vlorës u shpall Pavarësia e Shqipërisë, duke shënuar momentin më të rëndësishëm historik për formimin e shtetit shqiptar. Çdo vit kjo datë shënon festën kryesore për shqiptarët kudo ku ata ndodhen dhe të gjitha qytetet në Shqipëri përfshihen nga atmosfera dhe flamujt kuq e zi. Por cilat janë vendet që ia vlen t’i vizitoni në Vlorë e që jua sjellin më afër Festën e Flamurit?
Sheshi i Flamurit dhe Muzeu u Pavarësisë janë dy piketa të rëndësishme të vizitës suaj në Vlorë në ditët festive të nëntorit. Një kurorë me lule tek Monumenti i Pavarësisë dhe një vizitë në Muzeun e Pavarësisë, janë dy momente kujtese dhe nderimi që nuk duhet t’i humbisni.
Sheshi para Monumentit te Pavaresise - Foto ATSH
Sheshi i Flamurit, Vlorë
Është sheshi ku 28 nëntori festohet më bukur se kudo tjetër! Flamujt kuq e zi mbushin përherë sheshin e qytetit bregdetar të Vlorës, tek sa eventet që organizohen janë të shumta, dhe atmosfera është vërtet përfshirëse. Monument i Pavarësisë është ndërtuar në vitin 1972 në nder të momentit historik më të rëndësishëm të Shqipërisë, Shpalljes së Pavarësisë dhe është vendosur në qendër të qytetit. Për monumentin kanë punuar skulptorët Muntaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri Në grupin skulpturor prej bronzi spikat figura e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë, që u bë dhe Kryeministri i parë i historisë së Shqipërisë. Monumenti është 17 metra i lartë, dhe në krye të tij valëvitet simbolikisht një flamur në bronz.
Në Sheshin e Flamurit ndodhet dhe Shtiza e Flamurit, një piedestal i dekoruar me datën e pavarësisë dhe shqiponjën kombëtare. Nëse gjendeni në shesh për këtë ditë, nuk mund të mos bëni dhe një ndalesë në varrin e Ismail Qemalit, që ndodhet pas Shtizës së Flamurit brenda lulishtes aty pranë. Një kurorë me lule apo një kujtim simbolik në nder të babait të kombit shqiptar do të ishte mënyra e duhur për të nderuar figurën e Qemalit dhe këtë event.
Muzeu i Pavaresise ne Vlore- Foto Monuments of Albania
Muzeu i Pavaresise - Foto Instituti i Edukimit dhe Trashegimise
Muzeu i Pavarësisë
Muzeu i Pavarësisë është një nga destinacionet kryesore në muajin nëntor në qytetin e Vlorës.
Një shtëpi dykatëshe buzë detit në Vlorë modeste në arkitekturë, pa shumë finesa por e plotë në peshën e ngjarjeve që rrëfejnë historinë. Muzeu i Pavarësisë është vendi strategjik ku u ngrit flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare e u shpall Pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Aty punoi qeveria e parë e shqiptarëve. Sot muzeu është i konsoliduar në përmbajtje dhe ofron një informacion të rrjedhshëm për ngjarjen kulmore të jetës së një shteti. Muzeu ka hapësirë të vogël të sistemuar në dy ndarje kryesore të lidhura nga dy korridore që bashkojnë katet e shtëpisë me njëri tjetrin.
Për çdo vizitor, çdo ditë të javës Muzeu ëshë një hapësirë mikpritëse që ndan me publikun objekte origjinale të kohës, dokumente të periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë. Godina është e sarajeve të Vlorajve, dhe aty u mblodhën në 1912 në kulmin e krizës ballkanike delegatët nga e gjithë Shqipëria. Nga oborri e deri në detajet më të vogla shtëpia është pasuruar me dokumente nga Arkivi Qendror duke ngjallur kuriozitet në rritje për të gjithë, brenda apo jashtë kufijve shtetërorë.
Buste të ministrave të qeverisë së parë janë vendosur në oborr bashkë me karrocën e riprodhuar sipas modelit origjinal të babait të Pavarësisë. Dorëshkrime që rrëfejnë vështirësitë në të cilat u shpall Pavarësia e vendit, sende të ministrave, një pjesë e mobilimit të zyrës së kryeministrit Ismail Qemali, karrikja, raftet e vogla të librave, flamuj origjinalë të betejave që shoqëruan shpalljen e aktit, dokumenti i fimrëmtarëve, foto që kanë fiksuar kontekstin e ngjarjeve të asaj kohe dhe tabllo ku në mënyrë idilike janë portretizuar njerëzit që lanë gjurmë në ato momente. Shtëpia ndodhet në afërsi të Portit të Vlorës dhe është lehtësisht e arritshme nga distanca të shkurtra, në qytetin më të madh bregdetar të Shqipërisë.
Shtëpia që mbushi shekullin e parë cilësohet dhe si i pari muze në Shqipëri para viteve ’90, pasi aty ndodhej fillimisht Muzeu Arkeologjik i cili u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë ditëve festive të nëntorit ky muze ofron vizita falas. Sot muzeu është i konsoliduar në përmbajtje dhe ofron një informacion të pasur për ngjarjen kulmore të jetës së shtetit shqiptar.
Muzeu i Pavaresise Vlore- Foto Instituti i Edukimit dhe Trashegimise
Muzeu Historik dhe Arkeologjik
Muzeu Historik-Arkeologjik u inagurua në Vlorë më 8 tetor 1936 dhe asaj kohe mori emrin “Zog i Parë”. Ky muze u konceptuar dhe realizua nga arkeologu i famshëm francez Leon Ray. Fillimisht muzeu u vendos tek ndërtesa ku kreu veprimtarinë e saj, Qeveria Provizore e Vlorës. Megjithë veprimtarinë e shkurtër,(1936 - 1940), muzeu shërbeu për të njohur e vlerësuar historinë shumëshekullore të shqiptarëve, por edhe për të promovuar turizmin kulturor në ato vite. Pas viteve ’90 Muzeut iu dha një tjetër përmbajtje, duke e ndarë atë në dy pavione: në Pavionin e Arkeologjisë dhe në Pavionin e Historisë.
Në Pavionin e Arkeologjisë do të gjeni artefakte të llojeve të ndryshme, të cilat shërbejnë si dëshmi të vlerave arkeologjike të zonës së Vlorës. Por pavioni i cili i jep kreanri Vlorës është Muzeu i Historisë. Ky pavion shpalos fakte historike të shek. të XX-të, duke filluar nga viti 1912 me ditën historike të shpalljes së Pavarësisë. Në këtë pavion, një hapësirë e konsiderueshme i jepet Luftës së Vlorës të vitit 1920, me postera e fotografi të shumta. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe këndi i Lëvizjes Demokratike të Qershorit të 1924-ës. Simboli i kësaj periudhe mbetet arkmorti origjinal i patriotit Avni Rustemi. Prej 37 vitesh ai qendron në këtë muze i mbuluar me po atë flamur që u ngrit në Vlorë për 50-vjetorin e Pavarësisë.
Periudha e Luftës së II-të Botërore, përfaqësohet me objekte personale të partizanëve, armë, vegla muzikore të bandës ushtarake, piktura, e shumë element që kanë bërë historinë e Vlorës.
Neritana Kraja