Ervis Ago, jeta e tij në Francë dhe projekti për ekologjinë
2023-11-13 11:09:01

Ervis Ago ka përfunduar studimet për frëngjisht në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë dhe më pas studimet e larta për drejtësi në Francë. Ai jeton prej tetë vitesh në Francë dhe është iniciuesi i GREEN ECO GENIUS, një projekt që përfaqëson kryqëzimin e njohurive të tij në ligj dhe angazhimin ndaj mjedisit. Përmes kësaj ai synon të ofrojë zgjidhje dhe shërbime të gjelbra dhe të qëndrueshme, duke shpresuar të ndikojë pozitivisht në ligjet mjedisore për një të ardhme më të mirë. Qëllimi i tij me GREEN ECO GENIUS është të luaj një rol influent në fushën e ekonomisë se gjelbër dhe qarkulluese. Është i vendosur të sjellë inovacione dhe ide, që jo vetëm i përgjigjen sfidave ekologjike aktuale, por që gjithashtu udhëzojnë politikat publike drejt një qasjeje më të qëndrueshme dhe respektuese ndaj mjedisit. Në një intervistë për  Radio Ejani Ervisi tregon për jetën e tij në Francë si dhe projektin në fushën e ekologjisë.

Ervis Ago ( foto personale)

CMG: Sa vite ke në Francë dhe në cilin qytet jeton?

Ervis Ago: Unë kam rreth 8 vite që jetoj në Francë dhe jam larguar nga Shqipëria në vitin 2015. Jetoj në Monpellier, një qytet në jug të Francës, detin e kemi shumë afër dhe klima është e njëjtë me atë të Shqipërisë sepse ka diell gjatë gjithë vitit.

CMG: Pse zgjodhe Francën për të jetuar?

Ervis Ago: Ka një histori arsyeja pse jam këtu, sepse unë kam mbaruar shkollën e mesme të gjuhëve të huaja për frëngjisht. Kështu që aty mësuam gjuhën frënge, dhe pas disa vitesh aplikova për të studiuar në Francë. Fitova shkollën për drejtësi në universitet këtu. Faktikisht unë vendosa tre alternativa dhe Universiteti i Montpeliesë pranoi kandidaturën time.

CMG: Pasi përfundove studimet në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja aplikove direkt për studime në Francë?

Ervis Ago: Kur mbarova shkollën e mesme fillova të punoja në Shqipëri dhe aty mësova profesionin e barmanit ku bëja kokteile nëpër baret e Tiranës, që ishte një punë me shumë interes dhe kuriozitet. Ajo punë të jepte një kënaqësi ndryshe nga ato që mund të të jepnin profesionet e tjera, sepse kishe  marrëdhënie me njerëzit, që ishte shumë e rëndësishme. Punova për disa vite në Shqipëri, derisa mendova se kjo punë bëhet deri në njëfarë moshe. Kjo ishte pyetja që më shtyu drejt aplikimit për studime në Francë, për të nisur diçka më serioze.

CMG: Gjuha frënge të ka ndihmuar për t’u ambientuar më lehtë me jetën në Francë?

Ervis Ago (Foto personale)

Ervis Ago (Foto personale)

Ervis Ago: Patjetër që po, sepse në shkollë nuk kam mësuar vetëm frëngjishten por edhe për kulturën franceze. Kështu që dëshirën për Francën na e kanë ushqyer që në fillimet e shkollës  dhe kisha njëfarë njohurie për Francën. Pastaj kur erdha këtu i zhvillova më tepër njohuritë për Francën, sepse u interesova më shumë drejt kulturës, vendeve turistike dhe trashëgimisë që Franca e ka me të vërtetë shumë të pasur dhe është për t’u admiruar. Francezët ja dinë vlerën trashëgimisë dhe kjo është diçka që bën diferencën midis popujve dhe shteteve që kanë trashëgimi, por që ndonjëherë nuk e vlerësojnë atë.

CMG: Cilat ishin impresionet e para kur mbërrite në Francë dhe i pe nga afër gjërat që kishe mësuar në shkollë?

Ervis Ago: Ajo që tërheq vëmendjen është arkitektura e pallateve franceze, që është një arkitekturë me një stil shumë të veçantë nga ai italian. Pastaj janë dhe vendet emblematike  dhe kush viziton Parisin do të shohë Kullën Eifel, Luvrin apo dhe gjëra të tjera që të japin atë ide që ti ke dhe kur i shikon fillon dhe i vizualizon në një imazh që kthehet në realitet.

CMG: Me çfarë po merresh aktualisht në Francë?

Ervis Ago: Këtu unë po realizoj projektin tim, që është i fokusuar tek ekologjia dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Kjo për mua është shumë e rëndësishme sepse Franca ka adoptuar një politikë në lidhje me ekologjinë dhe në vitin 2030 do të jetë një vend me një ekologji më të të zhvilluar, me një ekonomi më të qëndrueshme dhe me më pak ndotje, keqpërdorim të ushqimit dhe të mallrave. Këtu po mendohet që të futen trenat që shkojnë nëpër zonat më të thella, thjesht për t’u dhënë mundësi njerëzve që të kenë mundësi transporti. Për mua është shumë e rëndësishme sepse ekologjia është problem i sotëm, por do jetë dhe problem për nesër. Mjedisi përfshin atë ekonomik, jetësor, transportin, energjinë dhe të gjitha të tjerat.

CMG: Si po ecën deri tani projekti që ti ke ideuar për ekologjinë?

Foto:VCG

Foto:VCG

Ervis Ago: Ky projekt po ecën mirë. Doja të përmendja që kur erdha në janar të këtij viti në Shqipëri, sepse aty kam një shok shumë të mirë që ka një agjenci komunikimi dhe bashkë me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar bënë një fushatë “Unë, ti për mjedisin”, që është një fushatë sensibilizimi që qytetarët të kuptojnë se çdo mbeturinë duhet të hidhet në vende të caktuara, që t’u japim mundësinë atyre që mbledhin këto mbeturina për të shkuar për riciklim. Unë shikoj që dhe në Shqipëri gjërat po ndryshojnë në kahun pozitiv.

CMG: E viziton shpesh Shqipërinë dhe çfarë ndryshimi ke parë këto vitet e fundit?

Ervis Ago: Unë edhe pse nuk jam prezent në Shqipëri, jam shumë i informuar me aktualitetin dhe shoh shpesh se çfarë ndodh në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria po ecën mirë përgjithësisht, por mendoj gjithashtu se ka nevojë të punojë akoma në lidhje me transportin. Vlen të përmendet se në Shqipëri nuk kemi akoma një rrjet hekurudhor. Unë jetoj në Francë dhe krahasimin nuk do ta bëj me Francën, por është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësinë të zhvendosen nga një qytet në një qytet tjetër edhe falë trenave. Kjo është një mënyrë ekologjike për të udhëtuar, sepse i jep mundësinë edhe reduktimit të gazit të dëmshëm për qytetarët.

CMG: Për çfarë të merr më tepër malli për vendlindjen?

Ervis Ago: Unë mallin e kam të ndarë në dy pikëpamje, malli për ushqimin sepse tradita jonë ushqimore është e pasur dhe shumë e shëndetshme. Kështu që vajtjet në Shqipëri janë aq të shëndetshme saqë kur ushqehemi aty nuk ke nevojë të hash për disa orë. Për ushqimin më merr malli shumë, por dhe për të parë Shqipërinë sesi ka ndryshuar pjesa e alpeve në veri të Shqipërisë, sepse sa herë që vij nuk kam mundësi t’i vizitoj të gjitha vendet. Gjithashtu më merr malli për shoqërinë dhe familjen.

CMG: Ku i kalon zakonisht pushimet?

Ervis Ago gjate udhetimeve (Foto personale)

Ervis Ago gjate udhetimeve (Foto personale)

Ervis Ago: Unë kam pasion të udhëtoj dhe më është dhënë mundësia të udhëtoj në shumë vende të botës. Kam vizituar Izraelin, Çekinë, Gjermaninë, Italinë, Spanjën, Francën dhe Belgjikën. Më pëlqen shumë të udhëtoj, por pushimet padiskutim më pëlqen t’i kaloj në Shqipëri. Mendoj se bota është shumë e bukur  dhe është shumë e rëndësishme të udhëtosh për vizionin dhe gjitha këndvështrimet.

CMG: Përveç udhëtimit ke pasione të tjera në jetë?

Ervis Ago: Pianoja më pëlqen shumë dhe muzika në përgjithësi. Ndonjëherë këtu kemi vende me piano, ku mund të luajnë qytetarët. Unë luaj në piano sepse më jep qetësi shpirtërore.

CMG: Besoj se në Francë  ke miqësi nga vende të ndryshme të botës dhe cila është marrëdhënia që ke ndërtuar me to?

Ervis Ago: E rëndësishme për mua ka qenë të kem miqësi nga vende të ndryshme dhe multikulturale. Marrëdhëniet janë shumë të mira sepse kudo që shkon duhet të dish t’i zgjedhësh njerëzit, që të japin një eksperiencë ndryshe. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që këtu të kem shoqëri me njerëz që vijnë nga vende të ndryshme të botës.

CMG: Sa të ka mbështetur familja në Shqipëri dhe në Francë?

Ervis Ago: Mendoj që jo vetëm për mua, por për shumë shqiptarë apo për çdo njeri në këtë botë familja luan një rol shumë të rëndësishëm. Familja për mua ka qenë një nga mbështetjet më të mëdha që prej fillimit deri sot dhe vazhdon të jetë mbështetëse në çfarëdolloj këndvështrimi, mbështetje morale dhe ekonomike. Sa herë që ke nevojë të vetmit që kanë mundësi të ndihmojnë është familja, e cila është shumë e rëndësishme. Gjithashtu mendoj që dhe brezat që vijnë vlerat e familjes duhet t’i mbajnë në vetvete sepse është shumë e rëndësishme. Është një themel që të jep mundësinë që në momentet e tua më të vështira të rezistosh dhe të vazhdosh përpara, sepse më e rëndësishme është të shkosh në fund të rrugëtimit tënd për të realizuar ëndrrat, dëshirat dhe projektet që çdo njeri mund të ketë.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ervis Ago: Dëshiroj të përshëndes familjen time që ndodhet në Shqipëri. Gjithashtu përshëndes një shok shumë të mirë, Fisnikun i cili është shkrimtar dhe jeton në Çeki, i cili ka shkruar disa libra dhe një ndër to titullohet “Mallkimi i shkrimtarit”, që unë e kam përkthyer në frëngjisht dhe së shpejti do ta botojmë këtu në Francë. Përshëndes dhe shokun tim për të cilin fola më lart, që ka agjencinë e komunikacionit me të cilin kemi punuar bashkë në disa projekte. Përshëndes të gjithë miqtë me të cilët kam punuar, por dhe miqtë këtej në qoftë se një ditë do më dëgjojnë.

Intervistoi: Gazmend Agaj