Duket qartë se zhvillimet globale dhe ngritja e Republikës Popullore të Kinës në Fuqinë e Dytë më të Madhe të Globit kanë diktuar ndryshimin e kursit amerikan në marrëdhënie me Pekinin. Takimi që do të zhvillohet këtë javë në Kaliforni midis presidentit kinez, Xi Jinping dhe atij amerikan, Joe Biden, ka shanse të shënojë fundin e një lloj lufte të ftohtë midis të dy vendeve. Ndërkaq Europa e ka shpallur Kinën si një konkurent ekonomik dhe rival në sistemin e qeverisjes, duke vendosur kritere të caktuara për marrëdhëniet e saj me gjigandin aziatik. Por ajo është pozicionuar kësisoj në kushtet e rivalitetit deri në konflikt midis Pekinit dhe Uashingtonit.
Tani, në kushtet e reja, kur ka një vullnet të qartë e pozicion të ri bashkëpunimi midis amerikanëve e kinezëve, çfarë do të jenë marrëdhëniet Europë-Kinë?! A do të ketë një pozicionim të ri të Bashkimit Europian lidhur me këtë? Cili do të jetë ky pozicion, më i favorshëm, apo më i disfavorshëm? Në fakt europianët, sa kohë të dy Fuqitë më të Mëdha të Botës ishin në rivalitet, ishin nën presionin amerikan sa i përket marrëdhënieve me Kinën. Që do të thoshte një lloj hezitimi për thellimin e marrëdhënieve euro-kineze. Megjithatë vendet e Europës ruajtën një lloj ekuilibri si mënyra më e mirë për të përfituar nga grindjet midis këtyre dy Fuqive.
CFP
Ndaj besohet se Brukseli, Berlini, Parisi, Roma e kryeqytetet e tjera europiane do të rishohin pozicionin e tyre në raport me lidhjet ekonomike me Kinën. Do të ridimensionojnë strategjinë dhe taktikat e lidhjeve midis tyre. Dhe nëse e analizojmë trendin e ardhshëm, duhet të besojmë se çdo ripozicionim në kushtet e krijimit të një rendi bipolar Kinë-SHBA Europa do të fokusohet në shtimin e përpjekjeve për ta rrit bilancin e saj të shkëmbimeve ekonomike e tregtare me Republikën Popullore të Kinës. Logjika ta thotë se për Europën e për vendet e këtij kontinenti është më mirë që Kina dhe SHBA-të të ndërtojnë ura komunikimi dhe marrëdhënie normale ose të mira midis tyre. Kjo e ndihmon lidhjen BE-SHBA dhe tejkalon kërkesat e Uashingtonit ndaj Brukselit për të reduktuar lidhjet ekonomike, tregtare e në investime me kinezët.
CFP
Por një marrëdhënie e ngushtë Kinë-Amerikë mund të shihej edhe si përpjekje shtesë për të konkurruar lidhjet BE-Kinë. Rritja e kapaciteteve dhe volumit tregtar, sidomos në bilancin eksport-import, midis Kinës dhe SHBA-ve, mundet që të dobësojë këtë bilanc me vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë një fakt ose ndjesi e tillë mund të tejkalohet përtej paragjykimeve që mund të lindin nga zhvillimet e reja midis Uashingtonit dhe Pekinit. Vendet europiane si Gjermania, Franca, Italia dhe vende të tjera janë tashmë pjesë e tregut kinez në atë masë, sa e kanë të vështirë të bëjnë ndonjë tërheqje qoftë dhe të lehtë në marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe në investime me Republikën Popullore të Kinës.
Pas pak ditësh do zhvillohet takimi i dy presidentëve, Xi dhe Biden. Akoma nuk e dimë rezultatin e këtyre bisedimeve, por duhet besuar se takimi dhe dialogu në nivelin më të lartë midis dy më të fuqishmëve të botës do të shoqërohet me një erë të re në marrëdhëniet midis tyre. Intereferimi tregtar dhe ekonomik midis këtyre dy Fuqive do të ishte ndoshta risi në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Sepse kurrë më parë nuk ka patur bashkëpunim të njëmendtë midis dy vendeve kaq të fuqishme nga pikëpamja ekonomike, të cilat prodhojnë diku te 60 përqind të GDP-së së të gjitha vendeve në botë.
Por për tu dhënë përgjigje pyetjeve që shtruam më lart, po u referohem edhe ekspertëve europianë. Në një analizë të saj, Prof. Dr. Doris Fischer e universitetit të Würzburg-ut në Gjermani, shkruan se marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis Kinës dhe Europës mund ti dëmtojë konflikti midis Pekinit dhe Uashingtonit. Që do të thotë se afrimi dhe lidhjet e ngushta midis SHBA-ve dhe RP të Kinës mund të shërbejnë si model dhe nxitje edhe në relacionet Bruksel-(+ Berlin, Paris, Romë etj.) -Pekin. Ndërsa Prof. Dr. Xuewu Gu, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin e Bonit, shkruan se ekuidistanca europiane midis dy ekonomive më të mëdha të globit (Kinës dhe SHBA-ve) do të ishte strategjia më e mirë e qëndrueshmërisë dhe përparimit të marrëdhënieve ekonomike e tregtare midis Kinës dhe Europës.
CFP
Mund të merret lehtë me mend se kjo ekuidistancë bëhet më e dobishme dhe më e lehtë në rastin e lidhjeve Kinë-SHBA! Për këto arsye pritet që lidhjet e ngushta që duken në horizont midis Pekinit dhe Uashingtonit, të shtojnë interesin dhe përpjekjet e Brukselit për të ngritur në një nivel të ri marrëdhëniet me gjigandin aziatik!