Qeveria një ligj i unifikuar për investimet, së shpejti për konsultim publik
2023-11-13 09:51:47

Lista gri (Foto Pastrimi parave)

Lista gri (Foto Pastrimi parave)

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete ka vlerësuar daljen nga lista gri e pastrimit të parave për Shqipërinë. Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të Asamblesë së “Dhomës Amerikane të Tregtisë”, Mete u shpreh se ekonomia e vendit është duke ecur në një trajektore pozitive, ku investimet e huaja direkte arritën rreth 700 milionë euro për 6-mujorin e parë të vitit 2023, ndërsa për vitin e kaluar në 1.3 miliardë euro. Në këtë kuadër, ministri theksoi se aktualisht po punohet për një ligj të unifikuar të investimeve, i cili do të dalë së shpejti në konsultim. Po ashtu, ministri Mete informoi se po zbatohen politika që adresojnë problematika që lidhen me ofertën e punës dhe arsimin profesional, ndërsa qeveria po avancon me reformën e pagave në sektorin publik, duke synuar një punësim më cilësor dhe shpërndarje më të madhe të mirëqenies për qytetarët

“Shqipëria doli nga lista gri e monitorimit. Është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe sa i përket perspektivës së zhvillimit ekonomik, klimës së biznesit, investimeve, por edhe lehtësimit të kostove dhe të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Fondi Monetar Ndërkombëtar gjithashtu pati një vlerësim shumë pozitiv për ekonominë tonë, kur thotë se është ekonomia që u shfaq më e forta në rajon dhe që perspektiva ekonomike mbetet pozitive, duke vlerësuar që autoritetet kanë ndërmarrë një konsolidim të rëndësishëm fiskal dhe borxhi publik pritet të zbresë rreth 60% këtë vit dhe nën 60% vitin e ardhshëm. Patëm një vlerësim pozitiv nga agjencia prestigjioze “Standard & Poor’s”, e cila vlerësoi pozitive perspektivën në Shqipëri, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, një rishikim pas gati shtatë vitesh që besoj është një tregues i trendit pozitiv që po kalon ekonomia në përgjithësi.”- tha Mete.

Ministri Mete (Foto Financa.gov.al)

Ministri Mete (Foto Financa.gov.al)

Ministri i Financave dhe Ekonomisë gjithashtu vlerëson edhe rezultatet më të fundit të anketave të bizneseve.

“ Para disa ditësh isha në takimin e Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), ku u prezantua një anketim dhe më erdhi mirë që u konstatuan përmirësime të ndjeshme në disa sektorë kyç, siç ishte përgjithësisht vlerësimi i klimës së të bërit biznes, por edhe pritshmëritë pozitive për përmirësim të mëtejshëm. Sigurisht që ka hapësirë për përmirësime dhe ne mbetemi të angazhuar për një forcimin të mëtejshëm të frymës së bashkëpunimit edhe në vijimësi mes Qeverisë dhe Biznesit- u shpreh Mete.

 

Sfidë për investimet e huaja mbetet përmirësimi i kuadrit ligjor për bizneset. Në këtë kuadër, ministri theksoi se aktualisht po punohet për një ligj të unifikuar të investimeve, i cili do të dalë së shpejti në konsultim. 

“Kemi pasur një rishikim të rritjes ekonomike për këtë vit nga 2.6% në 3.7 %, të cilin e ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, ndërsa projektojmë një rritje prej 3.8% dhe të qëndrueshme në afatmesëm në 4 %, edhe në kuadrin tonë makro. Janë inkurajuese shifrat e rritjes së investimeve të huaja në vend, ku në 6-mujorin e parë kanë qenë afro 700 milionë euro investime të huaja direkte dhe vitin e kaluar ka pasur një shifër rekord prej 1.3 miliardë euro, që besoj do të tejkalohet këtë vit. Sigurisht që mbeten sfida, siç është një përmirësim i kuadrit ligjor. Po punojmë për një ligj të unifikuar të investimeve që do të dalë së shpejti në konsultim. E kuptojmë që vëmendja ndaj ofertës së punës dhe ndaj arsimit profesional është kyçe sepse po kthehet në një sfidë për ju dhe për ekonominë.”-  tha ministri Mete.

 

 

Investimete-huaja (Revista Monitor)

Investimete-huaja (Revista Monitor)

Ai informoi se po zbatohen politika që adresojnë problematika që lidhen me ofertën e punës dhe arsimin profesional, ndërsa qeveria po avancon me reformën e pagave në sektorin publik, duke synuar një punësim më cilësor dhe shpërndarje më të madhe të mirëqenies për qytetarët.

 

“Kemi nisur programin e Garancisë Rinore me Bashkimin Evropian, në mënyrë që të japim mundësinë e integrimit të të rinjve në tregun e punës, të një integrimi më të shpejtë, dhe në këtë frymë kemi nisur dhe po avancojmë me një reformë domethënëse në pagat e sektorit publik, të cilat këtë vit priten të arrijnë në një mesatare prej 900 euro, duke synuar që këtë momentum të mirë ekonomik ta përkthejmë edhe në një shpërndarje më të madhe të mirëqenies për qytetarët, duke synuar të ofrojmë një punësim cilësor dhe ndoshta ndër pagat më të larta në rajon. Besoj se rritja e pagave të sektorit publik do të ndikojë që të tërheqë me vete edhe pagat e sektorit privat, në mënyrë që të mund të ofrojmë një punësim më cilësor, me një ndikim edhe në rritjen e produktivitetit” vuri në dukje ai.

 

Sa i përket paketës fiskale, ministri Mete tha se ajo parashikon pak ndryshime, duke synuar qëndrueshmërinë e legjislacionit fiskal.

 

“Kemi mbajtur një paketë fiskale modeste, me shumë pak ndryshime, në frymën e një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal. Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është një akt i mirë dhe synimi do të jetë, së pari të jemi sa më të qëndrueshëm në ndryshime dhe nga ana tjetër të jemi sa më të konsultuar. Po ashtu dhe buxheti që është paraqitur adreson këto sfida, qoftë rritjen e pagave, qoftë mbështetje ndaj turizmit që është një “bum sektor” në ekonomi, në mënyrë që ta përkthejmë këtë momentum të mirë ekonomik në një pozicionim avantazhues të Shqipërisë edhe në rajon.”

Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave, në të cilën kishte hyrë në shkurt të vitit 2020. Vendimi është marrë  nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional,  edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit.