Redina Trieshi: Kënga "Eja Me Mua" i dedikohet një dashurie që nuk dorëzohet
2023-11-12 09:40:09

Redina Trieshi (Foto nga  instagrami )

Redina Trieshi (Foto nga  instagrami )

Këngëtarja e re Redina Trieshi e ka nisur muzikën duke u bërë pjesë e disa kompeticioneve për fëmijë. Duke filluar nga viti 2008, ajo ka marrë pjesë në “Festivalin e zërave të rinj Tiranë”, ku u  vlerësua me çmimin e tretë, në Festivalin e 47-të të Muzikës për Fëmijë, ndërsa në vitin 2012 ishte  pjesë e spektaklit “100 vjet muzikë” si soliste me këngën "Rritemi pas dritës", ku këndoi në duet me këngëtaren Irma Libohova këngën “Gabimi i Mirelës”. Një sfidë e re nisi në vitin 2013 kur Redina Trieshi mori pjesë në talent show-n “Gjeniu i Vogël 5”.  Në 2020, ajo publikoi videoklipin e këngës  "Vetëm", muzikën dhe  tekstin e së cilës i realizoi vetë  dhe produksionin audio nga Gent Myftaraj, kompozitor i cili mban firmën e të gjitha krijimeve të saj. Ndër videoklipet e këngëtares janë  "Syn" dhe "Bella", në bashkëpunim me Alar Band dhe "Sillna". Viti 2021 ka qenë një nga vitet mjaft produktive për të me duetin e këngës "Edhe një herë", me këngëtarin Vedat Ademi. Edhe pse prej 8 vitesh Redina jeton në SHBA, ajo ka sjellë disa javë më parë këngën  e re "Eja Me Mua", me tekst nga Redina Trieshi & Ergita Bahja, dhe orkestrim nga kompozitori Gent Myftaraj. Redina ka kryer studimet studimet për Marketing dhe Muzikë në Baruch College.   E ftuar në Radio Ejani ajo flet për këngën e re, bashkëpunimet e ndryshme me artistët e njohur shqiptarë, karrierën artistike, si edhe planet për të ardhmen.

Redina   Trieshi (Foto nga instagrami)

Redina   Trieshi (Foto nga instagrami)

CMG: Redina, sapo ke publikuar këngën "Eja me mua" realizuar edhe me videoklip, xhiruar në ShBA,  ku ti jeton. Si erdhi ky material muzikor?

Redina Trieshi: Projekti "Eja me mua" mu prezantua në studio nga producenti Genti Myftaraj. Projekti ishte i përgatitur nga vetë producenti dhe Ergita Bahja dhe pasi e dëgjova  më pëlqeu që me herën e parë. 

CMG: Orkestrimi i këngës është realizuar nga Gent Myftaraj. A ishte i lehtë ky realizim në distancë?

Redina Trieshi: Pasi përfundova këngën me zërin tim në studio, më pëlqeu projekti dhe vendosa ta përfundonim. Video më pas është realizuar në disa vende të njohura në New York. Ndërsa për realizimin e projektit unë kam udhëtuar drejt Shqipërisë, për të regjistruar këngën në studion e Gent Myftarajt.

CMG: Tektin e këngës e ke realizuar vetë. Çfarë ke dashur të transmetosh nëpërmjet kësaj kënge?

Redina Trieshi: Tekstin e kam realizuar vetë bashkë me Ergita Bahja dhe i dedikohet një dashurie që nuk dorëzohet.

Redina  Trieshi (Foto personale)

Redina  Trieshi (Foto personale)

CMG: Redina, ke realizuar bashkëpunime me shumë artistë, me Vedat Ademin, me grupin Alar Band,etj.  Sa kanë ndikuar këto bashkëpunime në karrierën tënde artistike?

Redina Trieshi: Bashkëpunimet janë gjithmonë projekte ogurmirë, jo vetëm për përkrahjen që të japin në publik, por edhe për një risi, vjen diçka ndryshe në repertor.

CMG: A do të të shohim me ndonjë bashkëpunim tjetër në të ardhmen?

Redina Trieshi: Patjetër që do ketë bashkëpunime, madje unë po punoj për një bashkëpunim që do jetë shumë i veçantë për vetë kuptimin e këngës, madje dhe vetë këngëtari që është një artist shumë i njohur e shumë i dashur për publikun e gjithë brezave.

Redina Trieshi (Foto  personale)

Redina Trieshi (Foto  personale)

CMG: E ke nisur muzikën që në moshë të vogël me pjesëmarrjen në “Gjeniu i vogël”,në “Festivalin e zërave të rinj të Tiranës”, ku je vlerësuar me çmimin e tretë. Çfarë të sjellin ndërmend këto kompeticione?

Redina Trieshi:  Në audicionin e parë tek “Zërat e rinj Tiranë”, unë isha vetëm 8 vjeç, por i kujtoj të gjitha emocionet që kam përjetuar, që te audiocioni që u përzgjodha nga shkolla, pastaj juria e Qendrës Kulturore për Fëmijë, e cila përfaqësohej nga Drejtori Artistik Xhavit Ujkani, që nuk jeton më, por  kontributi i tij në muzikë mbetet i përjetshëm. E kujtoj edhe këngën "Një  shaka" me të cilën mora pjesë dhe fitova çmimin e tretë. Më pas u bëra pjesë e solistëve të Qendrës Kulturore për Fëmijë, ku konkurrova me këngën"Motra dhe zogu",  në Festivalin e 47-të të këngës për Fëmijë. Kam kënduar këngën  "Globi rrotullohet" tek Festa e Flamurit në Teatrin e Operas dhe Baletit, e më vonë erdhi "Gjeniu i vogël". Ky ishte një program që kishte shumë vëmendje mediatike dhe më kujtohen performanca të ndryshme skenike, gjatë këtij talent -show. Një vit pas kësaj, përpara se të zhvendosesha në Amerikë, kam marrë pjesë në “Tirana Art Fest”, ku Drejtor Artistik ishte Bojken Lako. Këto janë kujtime shumë të bukura, të cilat shënojnë vazhdimësinë e karrierës sime muzikore.

Redina Trieshi (Foto personale)

Redina Trieshi (Foto personale)

CMG: Sa hapësirë zë muzika në jetën tënde?

Redina Trieshi: Muzika zë shumë  vend në fakt, pavarësisht dinamikës që  kam me profesionin. Muzika për mua zë një pjesë shumë të rëndësishme të kohës dhe mundohem që të jem gjithmonë aktive në muzikë.

Redina  Trieshi Foto personale)

Redina  Trieshi Foto personale)

CMG: Cilat janë planet e tua në të ardhmen?

Redina Trieshi: Në të ardhmen do doja që projektet që kam nisur si në art ashtu edhe në biznes të më realizohen dhe të kem sukses. E ardhmja padyshim është shkak -pasojë e punës që ne bëjmë sot.

CMG: Si e sheh veten pas një dekade, në aspektin artistik?

Redina Trieshi: Unë po punoj fort,  që jeta ime si në art edhe në biznes të jetë më e konsoliduar  dhe projektet e mia të arrijnë sa më lart.

Redina Trieshi (Foto personale

Redina Trieshi (Foto personale

CMG: A është synimi yt, drejt muzikës amerikane dhe asaj botërore?

Redina Trieshi: Tregu botëror është shumë i bukur, dhe patjetër që sa më shumë shqiptarë të njihen nëpër botë do ishte privilegj. Mua më pëlqen që pavarësisht gjithçkaje, të realizoj muzikë edhe në gjuhën time.

Intervistoi: Sava Lena