Donika Proko Pecallari: Kënga në jetën time është oksigjen
2023-11-11 09:51:25

Donika Proko Pecallari gjate nje udhetimi me grupin (Foto personale)

Donika Proko Pecallari gjate nje udhetimi me grupin (Foto personale)

Donika Proko Pecallari është këngëtare e njohur e muzikës popullore tradicionale të trevës së jugut. E lindur në “qytetin e luleve”, në Përmet Donika ka kënduar që në moshë të vogël, duke u aktivizuar në koncertet e shkollës dhe 16 vjeç u ngjit për herë të parë në skenë si këngëtare profesioniste e këngës popullore me sazet e Përmetit. Ajo jeton prej shumë vitesh në Athinë por nuk është ndarë nga kënga. Donika ka marrë pjesë në pesë festivale folklorike, duke u vlerësuar d me çmime si dhe ka qenë e ftuar në shumë festivale në shtete të ndryshme të botës. Gjatë karrierës së saj muzikore ajo nuk e ka deformuar këngën e bukur popullore, por e ka kënduar atë të pastër dhe origjinale. Në një intervistë për Radio Ejani Donika tregon për rrugëtimin e saj me këngën popullore, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet në të ardhmen.

Donika Proko Pecallari me grupin muzikor (Foto personale)

Donika Proko Pecallari me grupin muzikor (Foto personale)

CMG: Si ka nisur rrugëtimi me muzikën popullore tradicionale?

Donika Proko Pecallari: Unë që në moshë të vogël këndoja nëpër shtëpi, madje bëhesha dhe e bezdisur. Fillimet e mia me këngën kanë qenë në fillore, ku më evidentoi mësuesi i muzikës dhe nisa të aktivizohesha në koncerte me korin e shkollës. Fshati im Kaludhi ishte me tradita dhe kulturë dhe dallohej për muzikën dhe organizime shumë të bukura dhe mua më aktivizuan që në klasën e pestë. Deri kur mbusha 16 vjeç isha në kooperativë në fshat dhe në shkollë njëkohësisht. Në moshën 16 vjeçare isha e ftuar në një dasmë të bukur, ku ishte një punonjëse e shtëpisë së kulturës të Përmetit, e cila më dëgjoi dhe më ftuan në koncertin e parë me sazet e Usta Laverit. Me pak prova dola direkt në skenën e shtëpisë së kulturës dhe që nga ai moment në vitin 1979 u bëra pjesëtare e sazeve të Usta Laver Bariut.

CMG: Këngën popullore e ke të trashëguar nga familja?

Donika Proko Pecallari: Këngën e kam të trashëguar, sepse babai këndonte shumë, madje dhe gjyshi. Në vitin 2015 unë doja të interpretoja në Fstivalin Folklorik të Gjirokastrës me këngën “Trëndafili i bardhë”  dhe më vonë më thane se këtë këngë kaq të bukur e kishte kënduar gjyshi im Ilia Proko. Unë nuk e dija, por më pëlqeu shumë si këngë se e dëgjova nga dikush tjetër dhe më thanë pastaj se gjyshi im kishte kënduar shumë bukur. Gjithashtu kam dhe një motër që këndon shumë bukur, e cila jeton në Kaluth të Përmetit. Unë në skenë u evidentova si këngëtare profesioniste në vitin 1979, kur isha 16 vjeç.

Donika Proko Pecallari me grupin Saziso (Foto personale)

Donika Proko Pecallari me grupin Saziso (Foto personale)

CMG: Flasim për vitet kur ke qenë pjesëtare e sazeve të Përmetit dhe çfarë kujtimesh ruan nga ajo periudhë

Donika Proko Pecallari: Për mua do të mbeten vitet më të bukura dhe më profesioniste në këngën popullore, sepse ishte një rregull dhe kërkesë llogarie që të dilje në skenë. Kishte një përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe duhej të realizoje kërkesën e madhe të Usta Laverit. Unë u mundova dhe në moshën 20 vjeçare grupi më besoi këngën “Qeraxhi që nget karvanë”, në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983, ku me këtë këngë mora titullin si laurate e festivalit për grupin e Përmetit. Më vonë u dekorova me titullin “Naim Frashëri”.

CMG: Sa herë ke marrë pjesë në festivalet folklorike dhe si je ndjerë në skenën e kalasë së Gjirokastrës?

Donika Proko Pecallari: Unë kam marrë pjesë në pesë festivale folklorike dhe secili ka pasur emocionet e veta. Pjesëmarrja ime e parë ka qenë në vitin 1983 kur isha 20 vjeç, e lumtur dhe me shumë emocione. Gjithashtu në vitin 1988 ishte bukur, por për mua festivali i vitit 1983 ishte më i bukur. Pastaj pjesëmarrja në vitin 1995 në festivalin folklorik të zhvilluar në Berat ka pasur një histori. Në atë festival unë sakrifikova jetën, sepse në atë kohë jetoja në Athinë dhe kam shkuar vetëm për të kënduar, ngaqë e doja këngën. Kënga gjithmonë në jetën time ka qenë oksigjen, dhe kështu e konsideroj edhe sot. Kthimi pas festivalit për në Greqi ishte shumë i vështirë,  madje kam rrezikuar jetën time dhe të vajzës. Në Festivalin Folklorik të vitit 2015 kam marrë pjesë me sazet e Përmetit, me miqtë e mi Albanin, Sadikun dhe Ylli Muçon, të cilët i falenderoj.

Gjithashtu mora pjesë dhe në festivalin folklorik të këtij viti, ku kisha shumë emocione dhe kam ardhur me shpenzimet e mia. Në festivalin e këtij viti këndova një këngë kurbeti me shumë emocione në skenë. Këtë herë nxora në skenë dhe  mbesën time Sofi Mamillo, e cila është e ardhmja e këngës tradicionale të Përmetit.

Donika Proko Pecallari (Foto personale)

Donika Proko Pecallari (Foto personale)

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore jashtë vendit dhe si je pritur nga publiku në këto koncerte?

Donika Proko Pecallari: Unë kam marrë pjesë në mjaft festivale jashtë vendit. Në vitin 1990 kam qenë në vendet nordike me sazet e Usta Laverit dhe ka qenë një turne i gjatë. Në vitin 1991-92 në Janinë, 1993 në Gjermani me sazet e Përmetit dhe në Rumani, 2010 në Bruksel me grupin e Përmetit. Pastaj fillova me grupin Saziso në vitin 2017 në 10 qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe, por i paharrueshëm ka qenë koncerti live në BBC. Në maj të vitit 2018 kam qenë në Gjermani dhe Holandë, në korrik 2016 përsëri në Gjermani dhe në gusht 2018 në Doku Fest në Prizren. Në nëntor të vitit 2018 kam qenë në Belgjikë, Slloveni dhe Austri. Shumë aktivitete kam pasur dhe në vitin 2019, në Portugali, Suedi dhe Kosovë. Udhëtimi im më i largët me këngën ka qenë në SHBA në vitin 2015 bashkë me bashkëshortin tim, ku ishim ftuar për të qëndruar një muaj për disa koncerte në shtete të ndryshme. Këto kanë qenë rrugëtimet e mia më kryesoret me koncertet jashtë vendti.

CMG: Sa të ka mbështetur bashkëshorti në rrugën e këngës, duke qenë se dhe ai është i fushës së muzikës?

Donika Proko Pecallari: Unë jam me fat që kam bashkëshort Ligor Pecallarin  dhe muzika na bashkoi. Ligori i binte klarinetës dhe unë këndoja, ndaj muzika na lidhi. Kemi bërë një jetë shumë të bukur, ku e kam pasur në krah të djathtë gjithë jetën, mbështetës dhe shtytës që unë mos ta lija asnjë minutë muzikën dhe këngën. Ai ka qenë gjithmonë cilësor si njeri, human dhe do të doja që çdo nënë e një vajze të kishte fatin që kam pasur unë me Ligorin në jetën time.

Donika Proko Pecallari me veshje popullore (Foto personale)

Donika Proko Pecallari me veshje popullore (Foto personale)

CMG: Cilën nga këngët do të veçoje si më të dashurën për ty dhe publikun?

Donika Proko Pecallari: Unë në çdo këngë që kam kënduar kam përçjellë emocione dhe më ka pëlqyer sepse kam dashur ta përcjell tek publiku bukur. Kënga që e shikoj më cilësore dhe që kam derdhur shpirtin tim më tepër është “Gjysmën e ballit ta zuri shamia”. Këtë këngë nuk mërzitem ta dëgjoj 100 herë në ditë, plus dhe kënga e Tanës sepse ajo më bëri që të këndoja live në BBC përkrah artistëve me famë botërore. Unë pata fatin të merrja pjesë në koncertin në BBC, dhe këtë na e mundësoi vetëm Saziso me producenten e nderuar Edit Pula, të cilën e falenderoj pa masë. Jam ndjerë tepër e vlerësuar për vitet që kam punuar me grupin e ansamblit Saziso, të cilët i falenderoj dhe u uroj gjithë të mirat miqve të mi, producentëve dhe pjesëtarëve të orkestrës së grupit.

CMG: Jeton prej shumë vitesh me familjen në Greqi. Ke marrë pjesë në koncertet e organizuara aty për bashkëatdhetarët?

Donika Proko Pecallari: Unë kam ardhur në Greqi në vitin 1994. Në vitin 2008 dëgjova që u krijua Shoqata Kulturore Artistike “Përmeti”, ku u bëra pjesë dhe nuk u ndava nga ajo shoqatë. Që atëhere kam qenë pjesë e pandarë e aktiviteteve shqiptare në Athinë dhe mbarë Greqinë. Kam marrë pjesë dhe në festivalet që janë organizuar këtu, duke marrë çmime të treta dhe të dytë për këngën popullore shqiptare, duke kënduar këngët e mia bio. Nuk i deformova këngët dhe dy këngë të reja që kam bërë i kam bio. Kompozova një këngë vetë që titullohet “Amanetin se tret dheu”, dhe e kam përzemër sepse një ditë dua të kthehem në Shqipëri.

Donika Proko Pecallari pas nje vleresime ne koncert (Foto personale)

Donika Proko Pecallari pas nje vleresime ne koncert (Foto personale)

CMG: Cili është emocioni që përjeton kur vishesh me kostumin popullor?

Donika Proko Pecallari: Kur vesh fustanin popullor unë ndjehem e vogël dhe e privilegjuar dhe çdo herë kam emocione të veçanta. Emocionet më të bukura që kam përjetuar me veshjen popullore kanë qenë në vitin 2015 kur kam bërë disa foto tek rrugët e qëndisuara të Gjirokastrës, dhe përjetuar momentet më të bukura.

CMG: Për kontributin në muzikën popullore je vlerësuar me çmime dhe tituj të ndryshëm. Të kanë motivuar më tepër këto vlerësime në rrugën e këngës?

Donika Proko Pecallari: Patjetër që më kanë motivuar. Kam marrë shumë çmime që prej vitit 1983, kur isha 20 vjeç si laurate e festivalit folklorik dhe titullin “Naim Frashëri”. Pastaj vazhduan titujt e tjerë dhe jam vlerësuar me titullin “Afize Leskoviku” në festivalin e organizuar në Përmet për 1 vjetorin e ndarjes nga jeta të Laver Bariut. Gjithashtu këtë vit në festivalin folklorik mora titull, si dhe u vlerësova si  “Qytetare Nderi” e Përmetit. Këtë verë që u vlerësova me këtë titull i thashë vetes se tani duhet të filloj të këndoj, sepse nuk i kam dhënë asgjë deri tani muzikës. Kohët e fundit kam filluar të vlerësoj dhe organet që mi dhanë këto tituj, por dhe publikun e vlerësoj dhe i përulem popullit tim që kudo që shkoj më ndjek dhe mbështet. Kam koncertin e gjashtë që do të organizohet më 25 nëntor për bamirësi, kam ndihmuar shumë njerëz dhe do të vazhdoj ta bëj këtë gjë sepse më jep kënaqësi shpirtërore.

Donika Proko Pecallri ne skenen e festivalit folklorik (Foto personale)

Donika Proko Pecallri ne skenen e festivalit folklorik (Foto personale)

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Donika Proko Pecallari: Unë në radhë të parë dua të grumbulloj të gjitha këngët e mia, që janë kënduar në mjaft koncerte kohë më përpara. Gjithashtu kam realizuar një album muzikor me këngë bio dhe dua që ta publikoj në YouTube.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Donika Proko Pecallari: Ju uroj gjithë të mirat. Falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi në rrugën e bukur dhe aq të vështirë të muzikës. Faleminderit dhe ju për intervistën sepse më dha shumë kënaqësi.

Intervistoi: Gazmend Agaj