Bashkëpunimi shkencor dhe teknologjik fuqizon nismën “Një brez, një rrugë”
2023-11-10 15:33:41

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Wajahi Hussain, një student pakistanez i saporegjistruar në Universitetin Jugperëndimor, Chongqing, është këmbëngulës në studimin e një varieteti unik patateje, me synimin për të marrë pjesë në eksperimente laboratorike.

Ai po ndjek një diplomë master në universitet, por qëllimi i tij përfundimtar është ta prezantojë këtë varietet patateje me prodhimtari të lartë në vendin e tij.

Varieteti i patates u zhvillua nga Universiteti Jugperëndimor për vendet pjesëmarrëse të nismës “Një brez, një rrugë” (BRI). Sipas Hussain, rendimenti i këtij varieteti është mbi 30 për qind më i lartë se ai i patateve që rriten në Pakistan.

Fidanët e patates tani po rriten fuqishëm në një laborator në Qendrën e Shkencave Integruese të Krijimit të Germoplazmës të universitetit, në qytetin shkencor të Kinës perëndimore (Chongqing).

“Pas përfundimit të studimeve do të kthehem në vendin tim për të punuar në kulturat e patates dhe për të zhvilluar varietete të reja, nga të cilat do të përfitojë populli dhe vendi im”,- tha Hussain.

Në vitin 2020 u krijua një institut ndërkombëtar i inovacionit të nismës “Një brez, një rrugë” për industrinë e patates si një bashkëpunim midis Universitetit Jugperëndimor dhe mbi 10 vendeve të nismës “Një brez, një rrugë”, duke përfshirë Kazakistanin, Rusinë, Egjiptin dhe Iranin. Instituti është i përkushtuar ndaj përpjekjeve të përbashkëta për krijimin, përdorimin dhe promovimin e germoplazmës.

Nën këtë iniciativë, Kina ka ndarë teknologjitë e avancuara për kultivimin e patates dhe kontrollin e cilësisë së farës së patates me vendet pjesëmarrëse, duke rritur kështu prodhimin lokal të patates dhe duke përmirësuar përfitimet ekonomike për fermerët vendas të patates.

Vitet e fundit, Kina ka injektuar vitalitet të ri në nismën “Një brez, një rrugë”, përmes aktiviteteve të ndryshme, të tilla si bashkëpunimi shkencor, shkëmbimet akademike, lëvizshmëria e talenteve dhe transferimi i teknologjisë me vendet e “Një brez, një rrugë”. Ky bashkëpunim shkencor i thelluar dhe shumëdimensional ka fuqizuar zhvillimin e mëtejshëm të nismës “Një brez, një rrugë”.

Që kur Kina propozoi nismën “Një brez, një rrugë” në vitin 2013, bashkëpunimi shkencor dhe teknologjik ka qenë vazhdimisht një pikë kryesore.

Gjatë dekadës së fundit, Kina ka nënshkruar marrëveshje në nivel qeverish për bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik me më shumë se 80 vende pjesëmarrëse të nismës “Një brez, një rrugë” dhe ka krijuar marrëdhënie bashkëpunimi për pronësinë intelektuale me mbi 50 vende të nismës.

Ghassan Karam, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha se nisma “Një brez, një rrugë” kontribuon gjithashtu në inovacionet ndërkombëtare shkencore dhe teknologjike mjekësore, e bën punën në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për kërkimin shkencor më të standardizuar dhe efikase, duke siguruar që të përmbushë më mirë kërkesat e kërkimit klinik për të përfituar sa më shumë njerëz në mbarë botën.

“Kina e konsideron zhvillimin dhe bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik si zgjidhje për adresimin e sfidave globale dhe ka forcuar bashkëpunimin teknologjik brenda kornizës së “Një brez, një rrugë””,- tha Istvan Jakab, nënkryetar i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë.

Duke folur në Konferencën e parë “Një brez, një rrugë” mbi Shkëmbimin e Shkencës dhe Teknologjisë në Chongqing, ai tha se Hungaria pret një bashkëpunim më të ngushtë dhe më praktik mes palëve brenda kontekstit të kësaj nisme.