Kompanitë amerikane të teknologjisë së pastër me sytë nga Ekspozita e Importit në Kinë për partneritete të reja
2023-11-10 15:38:30

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Një treg i gjerë, përkushtim për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe një lider në zhvillimin e teknologjisë së pastër - Kina ka gjithçka për të ofruar për rritjen e biznesit të ri, sipas përfaqësuesve të disa kompanive amerikane të teknologjisë së pastër, të prirura për nxitjen e partneriteteve në vend.

Një delegacion prej 16 kompanish të teknologjisë së pastër, me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po merr pjesë në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE), që mbahet në Shangai në datat 5-10 nëntor.

“Është qëllimi i përbashkët i shumicës së pjesëmarrësve që të promovojnë teknologjitë e avancuara të dekarbonizimit dhe të eksplorojnë më shumë mundësi bashkëpunimi me kompanitë lokale ose ndërkombëtare të vendosura në Kinë”,- bëri të ditur “LanzaTech”, një kompani me bazë në Illinois, në një intervistë me shkrim për “Xinhua”.

Sipas kompanisë, teknologjia e saj e dekarbonizimit dhe transformimit u komercializua fillimisht në vitin 2018 në Kinë. Teknologjia ndihmon në reduktimin e emetimeve të karbonit dhe shndërrimin e karbonit të mbeturinave në produkte të vlefshme, duke përfshirë energjinë e gjelbër në jetën e përditshme, tha kompania, e cila e konsideron Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës si një mundësi të mirë për t'i njohur të tjerët për teknologjitë e tyre.

“Cormetech”, një kompani me bazë në Charlotte, Karolina e Veriut, ka zgjeruar praninë e saj në Kinë gjatë 15 viteve të fundit, duke licencuar teknologjitë e saj të katalizatorit “DeNOx” për disa kompani të mëdha energjetike kineze. Katalizatori përdoret për të trajtuar oksidet e azotit, një ndotës kryesor i shiut acid. Kjo është hera e parë që kompania merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës këtë vit.

“Kompania jonë ka shpikur një teknologji të re të heqjes së dyoksidit të karbonit, kështu që neve na pëlqen të përdorim këtë platformë për të takuar klientët, investitorët dhe distributorët potencialë për të hapur tregun e kapjes së dyoksidit të karbonit në Kinë”,- bëri të ditur kompania.

Të dyja kompanitë janë të bindura se ka shumë më shumë mundësi bashkëpunimi në fushën e energjisë së gjelbër mes dy vendeve.

16 kompanitë pjesëmarrëse përfaqësojnë sektorë të ndryshëm, duke përfshirë neutralitetin dhe kapjen e karbonit, energjinë e pastër, teknologjinë mjedisore, automjetet me energji të re, pajisjet e karikimit, ruajtjen e energjisë, ndërtesat e gjelbra inteligjente dhe karburantet e pastra, sipas Qendrës “Cleantech” SHBA-Kinë.

Ky është delegacioni i parë në shkallë të gjerë në këtë industri që viziton Kinën që nga pandemia, njoftoi qendra me bazë në Kaliforni, e cila organizoi delegacionin.

“Ne besojmë se Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës paraqet një mundësi premtuese për organizatën tonë dhe kompanitë anëtare për të hapur dyert në tregun kinez dhe për të nxitur rritjen me partnerët tanë kinezë”,- tha për “Xinhua” Feng An, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës “Cleantech” SHBA-Kinë.

Ekspozita nuk është vetëm një vitrinë e përkushtimit të Kinës ndaj tregtisë ndërkombëtare, por edhe një platformë ku kompanitë nga e gjithë bota mund të lidhen, angazhohen dhe eksplorojnë partneritete të mundshme, tha ai, duke vënë në dukje se qëllimet ambicioze të Kinës për klimën ofrojnë perspektiva të zgjeruara tregu për produkte dhe zgjidhje të teknologjisë së pastër, çka paraqesin mundësi premtuese për kompanitë amerikane të teknologjisë së pastër.

Bashkëpunimi mes dy palëve mund të kontribuojë gjithashtu në përpjekjet globale për të adresuar sfidat e ndryshimeve klimatike, shtoi ai.

“Kina qëndron si një nga tregjet më të mëdha në botë të teknologjisë së pastër, duke ofruar mundësi të konsiderueshme për bizneset në këtë sektor që kërkojnë të zgjerojnë praninë e tyre në vend”,- tha An.