Anila Kruti ( foto personale)
Anila Kruti është poete e njohur nga qyteti i Përmetit. Ajo ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ka punuar si mësuese dhe ka kryer master shkencor për psikologji. Gjithashtu ajo ka punuar si pedagoge për letërsinë për fëmijë. Anila është e autore e librave “Përtej skajeve me ëndrrën”, “Psherëtima e gjethes”, “Qielli s’pranon arna ”si dhe e librave për fëmijë “Udhëtimet fantastike të Armirit”, “Flutura e majit” e vlerësuar me çmimin “Libri më i mirë për fëmije” nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në Panairin e përvitshëm organizuar në Prishtinë në qershor të vitit 2019.
Aktualisht Anila punon në Radio Televizionin Shqiptar si redaktore dhe realizon programin radiofonik “Gjuha e shpirtit”, kushtuar njerëzve të talentuar me aftësi ndryshe.
CMG: Anila, kur shkruani për fëmijët, nga frymëzoheni?
Anila Kruti: Unë mendoj se brenda meje ende është një fëmijë, një pasuri e madhe brenda shpirtit tim flet dhe vepron si fëmijë. Nuk mund të ishte ndryshe he nga mënyra si shkruaj kam treguar edhe njëherë se sa bukur është të jesh pak fëmijë. Jam motivuar çdo herë nga fëmijëria ime sepse ka qenë e mbushur me aktivitet dhe zhvillime, të cilat mua më kanë shërbyer në kujtesën time për të shkruar. Jam rritur me gjyshërit dhe dashurinë e tyre. Ata më kanë edukuar dhe shkolluar, më kanë treguar rrugën e drejtë dhe gjithçka që kam bërë ka qenë edhe një formë e ndikimit të tyre tek unë për të ecur përpara. Gjyshërit e mi ishin të butë dhe të paqtë, kishin një botë e cila nuk gjendet dot tek askush tjetër. Unë jam falë nxitjes së tyre dhe më kanë rritur me shumë dashuri.
CMG: Kur e kuptuat që kishit pasion letërsinë?
Anila Kruti: Gjithnjë e kam kuptuar, që tek leximi i vjershave si një vazjë e vogël dhe deri kur nisa të shkruaj më gjatë. Unë kam lexuar shumë dhe ky pasion për letërsinë nuk është rastësor tek unë. Familjarë të mitë kanë pasion historinë dhe gjithë botën e letrave shqipe ndaj edhe unë konsultohesha me ta për të më treguar nëse janë në nivelin e duhur poezitë dhe shkrimet e mia.
Krijimtaria e Anila Krutit ( foto personale)
CMG: Si ndiheshit pasi pyesnit të tjerët për krjimtarinë tuaj?
Anila Kruti: Ndihesha mirë sepse në vetvete unë kam qenë tepër skeptike dhe kam dyshuar tek ajo që shkruaja, por kjo nuk zgjati përgjithmonë. Këto dilema morën fund në çastin kur vendosa të pyes të tjerët. T’iu merrja atyre një mendim për mua ishte pika e kthesës sepse i pritën shumë mirë dhe njeriu në jetë ka nevojë për motivim. Unë kam pasur fatin që të kem afër dajat e mi. Ylli Hoxha më ka dhënë shumë motivim dhe falë tij kam kuptuar rëndësiinë e shkrimit. Nuk e dija rrugëtimin tim.
CMG: Ju shkruani për fëmijët, si e shihni të ardhmen e letërsisë për fëmijë?
Anila Kruti: Unë kam qenë një fëmijë rebele dhe njëherësh shumë e pjekur, të gjitha dimensionet kam qenë dhe në këtë formë projektoja të ardhmen time vetëm nëpërmjet ëndrrave. Kujtoj që kur isha fëmijë mendoja që kisha krahë të fluturoja dhe tentova të fluturoj nga një lartësi, aq të fortë e kisha besimin tek ëndrrat. Ndaj këto episode të jetës unë i kam kthyer në tregime për fëmijë, të cilat do mbeten gjatë. Fëmijët janë një botë e pastër dhe duhet të lexojnë dhe të futen në një botë, e cila ju zgjon krijimtarinë.
Sot të ardhmen e letërsisë për fëmijë e shoh të ndritur, është një proces i cili zhvillohet nga njëri vit në tjetrin. Për fëmijët gjithmonë do shkruhet dhe gjithmonë do ketë se çfarë të jepet. Unë gjithmonë kam menduar se jam e “mallkuar” me art, aq shumë e lidhur jam. Kujtoj që në klasë të pestë kam bërë poezinë e parë për nënën time dhe më pas kam shkruar një poezi për trëndafilin.
Anila Kruti ( foto personale)
CMG: Si ka qenë adoleshenca juaj, keni shkruar shumë në atë periudhë?
Anila Kruti: Unë kam pasur një adoleshencë tek e cila nuk kisha gjithçka që doja, por kisha ëndrra. Ajo periudhë në të cilën unë jam rritur më ka bërë të ëndërroj dhe të eci me forcë. Më ka shijuar shumë forca ime, kam ecur gjithnjë falë aftësive të mia.Ja kam thënë dhe vijoj t’ia them vetes: “Lufto për ëndrrat e tua!”.
CMG: Si ka qenë momenti kur ndërtove një familje ?
Anila Kruti: Unë e dua shumë familjen dhe sigurisht që kam një botë brenda. Tek unë rri deti, drita, hëna çdo gjë dhe mbi të gjitha rri qënia njeri. Një njeri që ka dritë brenda, ka një emocion të fortë që të rrit dhe të bën një nënë dhe partnere të mirë. Me bashkëshortin jam njohur pasi mbylla studimet por besoj që mes nesh ka funksionuar ligji i universit, gjërat do shkojnë patjetër atje ku është e përcaktuar nga fati.
CMG:A keni një mesazh për bashkëshortin tuaj?
Anila Kruti: Po kam. Partneri im ka bërë gjithçka për të pasur një familje të lumtur dhe mbi të gjitha më ka mbështetur në rrugëtimin e karrierës ndaj një falenderim shumë i madh shkon për të, i cili është kujdesur për ne.
CMG: Na presin libra të rinj nga ju?
Anila Kruti: Për momentin jam duke shijuar suksesin e librave të mi dhe jam duke punuar për librin e radhës. Ndihem e lumtur të flas për krijimtarinë time sepse më jep besimin për të bërë gjëra edhe më të bukura në të ardhmen.
Intervistoi Megi Latifi