Gent Hazizi (Foto nga facebook)
Artisti i njohur i skenës dhe ekranit, komediani Gent Hazizi, pas suksesit të arritur në Shqipëri me ‘Stand Up Comedy-në’ "Plako t'majt e jotja", ka udhëtuar drejt Athinës ku për një javë do të ngjitet në skenë me veprën e shkruar nga vet artisti Gent Hazizi. "Plako t'majt e jotja" është sjellë për herë të parë për publikun shqiptar në vitet 2015 dhe pas premierës së suksesshme në Teatrin Kombëtar në Tiranë udhëtoi nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kjo vepër tregon për luftën e përditshme në familje, ku lekët që nuk dalin asnjëherë, gruaja që vetëm ankohet, kërkesat e panumërta të fëmijëve, problemet politike, etj. Në këtë shfaqje aktori sjell përfshirjen e frazave jo vetëm komike, por nxitëse rreth reflektimit mbi fenomenin, por edhe ajo ç'ka përjetohet çdo ditë vjen e harmonizuar, nën petkun e komedisë dhe lojës brilante të regjisorit dhe aktorit Gent Hazizi. Në një intervistë për Radio Ejani aktori tregon se pas Athinës do të vijojë me shfaqjen e tij më 28 dhe 29 nëntor 2023 në Itali, në Orsogna (Chieti), vend i cili e ka pritur 32 vite më parë, kur artisti kish emigruar në moshën 18 vjeçare. Në Itali ai do të sjellë edhe batuta në gjuhën italiane. Plako t’majt e jotja” do të udhëtojë më pas drejt Zvicrës e më gjerë.
Gent Hazizi (Foto nga instagrami)
CMG: Ti po e rikthen ‘Stand Up Comedy-në’ "Plako t'mbajt e jotja", një reflektim i jetës së përditshme në familje, e harmonizuar bukur nën petkun e komedisë. Çfarë të bëri të riktheheshe me këtë komedi?
Gent Hazizi: Fakti që isha në Greqi me një shfaqje "Nata e dymbëdhjetë" me teatrin e Korçës, bëra një bisedë me regjisorin aty. Ai kishte një teatër sepse çdo lagje në Athinë ka një teatër, ndaj vendosi që ta rikthejë shfaqjen meqënëse nuk e kisha bërë një tur nëpër Evropë. Pas Greqisë,do jem më 28-29 Nëntor në Itali, në Orsogna afër qytetit Pescara, e më pas do shkoj në Milano, duke vijuar me Zvicrën, e më pas të shohim.
Gent Hazizi (Foto nga facebook)
CMG: Unë të kam ndjekur me këtë shfaqje diku nga viti 2016. Ndërsa t’i tregoje për 'luftën' e përditshme në familje, ku paratë nuk dalin asnjëherë, gruaja që vetëm ankohet, e kërkesat e fëmijëve janë të panumërta. Çfarë do të ketë ndryshe këtë herë?
Gent Hazizi: Një ‘Stand Up’ është një punë në proces, titulli mbetet njësoj, por ajo është një shfaqje që edhe pse është vënë në skenë në vitet 2016-2017, mbetet gjithmonë e kohës, sepse janë gjithmonë të njëjtat ngjarje në familje, problemet sociale, ndryshojnë nga pak ato politike, por prapë aty jemi gjithmonë, nuk ka kthesa, jemi prapë në të njëjtat ujëra.
CMG: Pas Shqipërisë, nis udhëtimin jashtë kufijve ku do japësh disa shfaqje në Athinë, por edhe nëpër Evropë. Çfarë pret nga publiku aty?
Gent Hazizi: Ajo çfarë pres nga publiku është se, ato nuk janë vetëm problemet sociale dhe politike që ndodhin vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë. Pra nuk është një shfaqje e lokalizuar vetëm për Shqipërinë edhe pse po flasim për publikun shqiptar. Unë kam shtuar edhe pjesë që kanë të bëjnë me emigracionin sepse kam qenë vetë emigrant në Itali, kështu që të gjithë do gjejnë veten. Në Itali mund të bëj edhe monolog në italisht, sepse publiku do jetë shqiptar edhe italian, pra do ta alternoj shfaqjen.
Gent Hazizi (Foto nga facebook)
CMG: Cilat kanë qenë komentet e publikut për këtë shfaqje?
Gent Hazizi: Komentet kanë qenë shumë të mira. Një nga komentet që do veçoja kanë qenë; "Sa herë e shoh këtë shfaqje, më duket sikur shoh 'Pallatin 176', pra është një shfaqje që sa herë e sheh duket se ka lënë atë shijen e mirë në publik që do ta rishohë. Për një artist kjo është një gjë shumë e mirë dhe më bëhet qejfi për këtë. Më gëzon fakti që shfaqjen e shohin dhe e rishohin edhe në youtube.
CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?
Gent Hazizi: Sa i përket planeve në të ardhmen, do të vazhdoj me turin nëpër Europë derisa të kthehem në Shqipëri. Më pas do vijoj me ‘Stand up-in’ e ri me titull "Sikur të isha grua". Pra pas shfaqjes "Plako t'mbajt e jotja" , "Çfarë do bëhem kur të rritem?", pasi t'i kem konsumuar në një tur Evropian, do vijoj të vë në skenë ‘Stand up comedy-në’ "Sikur të isha grua". Ndërsa sa i takon planeve të tjera, jam i angazhuar përsëri me "Familjen Kuqezi", e cila ka rinisur me seritë e reja, pra ka rezultuar një serial shumë i suksesshëm dhe rikthehet pas tre vjetësh. Jemi bërë si vera e mirë, që sa më shumë vjetërohet, aq më e mirë bëhet.
Gent Hazizi dhe Familja Kuqezi (Foto nga facebook)
Gent Hazizi është një aktor i njohur i skenës dhe teatrit shqiptar. Përpara se të vinte me "stand up comedy-në" “Plako t’majt e jotja”, ai ka qenë pjesë e spektaklit të humorit “Portokalli”. Suksesi i tij i jashtëzakonshëm erdhi me veprën “Plako t’majt e jotja”, e cila u shfaq gjerësisht nëpër Shqipëri. Hazizi gjithashtu numëron një sërë rolesh në filmat shqiptar ndër të cilët është edhe “Lindje, Perëndim, Lindje”, film i cili mori dhe çmimin “Filmi më i mirë” në festivalin e filmit të Busto Arsizios, gjithashtu ka interpretuar në filmin me titull “Paratë”, “Bela”, si edhe interpreton në formatin kaq shumë të dashur për publikun si 'Familja Kuqezi', e cila do të vijojë me seritë e saj të reja, por edhe shumë projekte të tjera të cilat pritet që ai t’i bëjë publike në vijim të karrierës së tij artistike.
Intervistoi Sava Lena