Shtëpitë e fëmijëve për banorët e vegjël të tyre janë një strehë e ngrohtë, apo një vend i huaj. Brunilda Berdhashi, që në fëmijëri ka humbur nënën është rritur në një të tillë, ku ka ëndërruar të ketë një familje, të cilën nuk e gjeti asnjëherë.
Ajo u përpoq shumë në jetë dhe na tregon për vitet e saj më të bukura, ku thekson se ka qenë një nxënëse ekselente dhe të gjithë mësuesit e vlerësonin. Kur Bruna duhet të vijonte studimet e larta ajo ndodhej në një udhëkryq pasi nuk kishte të ardhura për shkollën, ndonëse kishte një dëshirë të madhe për të studiuar.
Por Bruna nuk u dorëzua dhe vendosi që për një vit rresht të punonte fort dhe të kishte mundësinë të arsimohej. Sot Brunilda është mësuese dhe mendon që ka plotësuar dëshirën e nënës së saj. Ëndrra e nënës së Brunildës ka qenë mësuesia ndaj ajo sot e mban këtë profesion. Jeta e Brinildës ka pasur shumë ulje dhe ngritje për të cilat ajo flet në Radio Ejani.
CMG: Brunilda ose Bruna si miqtë të thërrasin shkurt, flasim për jetën tuaj
Brunilda Berdhashi: Jeta ime është një histori e gjatë, nga e cila lehtësisht mund të nxirren mësime për të vijuar çdo gjë në jetë. U linda në një familje të shëndetshme dhe erdhëm në kete jetë falë dashurisë, por askush nuk e priste që rrjedha e familjes sonë të merrte këtë drejtim.
Isha vetëm 5 vjeç kur nëna ime ndërroi jetë. Askush nuk mori përsipër të kujdesej për mua, motrën dhe vëllain tim dhe u strehuam në Shtëpinë e Fëmijës. Isha e vogël për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur në jetën time, e vogël për të kuptuar se ku ndodhesha, por e rritur për të kuptuar që nëna ime nuk ishte më.
Fatmirësisht nuk isha vetëm, sepse kisha vëllain dhe motrën, të cilët për mua kanë qenë mbështetje dhe për ta kam pasur ndjesi të forta protektivitieti.
CMG: Kur e kuptove që nëna nuk jetonte më?
Brunilda Berdhashi: Nje ditë të bukur, e cila u kthye në ditën time më të keqe. Mësuesja na ngriti në mësim dhe tema ishte nëna. Mësuesja mua nuk më ngriti në mësim por me tha: Ti nuk ke çfarë të flasësh pasi nëna juaj nuk jeton më'. Kjo fjali më ka vrarë shpirtërisht, pasi konceptin e vdekjes nuk e kisha ende të qartë si fëmijë. Unë gjithmonë kam ëndërruar dhe besuar që mami kishte ikur dhe do kthehej serish një ditë të na merrte. Nga ajo ditë unë ndryshova dhe mendoj se po atë ditë u rrita.
CMG: Çfarë të ndryshoi?
Brunilda Berdhashi: Dhimbja! Dhimbja i ndryshon njerëzit, i bën ata më të fortë, të gatshëm për çdo sfidë dhe unë isha e bindur që në këtë betejë të jetës isha vetëm dhe më pëlqente të isha vetëm .
CMG: Çfarë ëndërroje më shpesh kur ishe në Shtëpinë e Fëmijës?
Brunilda Berdhashi: Asgjë më shumë se të kisha një familje. Madje kur na jepnin lapsa dhe ngjyra të pikturonim, të gjithë ne fëmijët pikturonim shtëpi të vogla. Dëshironim të gjithë pa përjashtim një vend të vogël, ku dikush të mbante emrin mami dhe babi. Kjo ka qenë ëndrra ime derisa në Shtëpinë e Fëmijës trokisnin njerëz të ndryshëm, familje të cilat dëshironin të na birësonin. Kur ata vinin, ne frikësoheshim.Kujtoj që kanë qenë dy familje, të cilat kanë ardhur të më merrnin drejt një jetë të re, por gjyshi im nuk pranoi. Ai mbante kujdestarinë tonë dhe na ndaloi të na birësonte dikush tjetër. Këtë gjë nuk kam arritur t'ia fal kurrë, sepse ëndrra ime ishte të rritesha si gjithë fëmijët e tjerë në një familje
CMG: Më pas u rritët dhe filluat një jetë jashtë dyerve të Shtëpisë së Fëmijës
Brunilda Berdhashi: U rrita dhe u largova nga Shtëpia e Fëmijës, megjithëse kthehesha atje për t’i vizituar fëmijët e tjerë shpesh. Erdhi momenti që unë të studioja dhe për ta bërë këtë gjë më duheshin para. Kujt t’i kërkoja ndihmë? Kush do më ndihmonte mua? E gjendur vetëm vendosa të punoj fort dhe një vit të plotë kam bërë disa punë njëkohësisht, që të mund të paguaja tarifën e studimeve. Ishin ditë të errëta dhe shpesh e humbisja shpresën, por në fund nuk ndodhi kështu. Durimi ishte arma ime e fortë prej të cilit sot marr të gjitha të mirat e jetës .
CMG: Ke studiuar për mësuesi?
Brunilda Berdhashi: Mësuesia ka qenë dëshira ime, por edhe ëndrra e nënës sime. Ajo vetë ka dashur të bëhej mësuese, por nuk arriti dot, ndaj unë suksesin dhe çdo çmim të jetës sime ja dedikoj asaj dhe të gjitha sakrificave të bëra për ne. Mami do jetë përherë në zemrën time. Madje në diplomën time të fundit kam shkruar emrin e mamit tim. Unë kam qenë një fëmijë që kam besuar se ajo do kthehej një ditë tek unë, ndërsa sot jam një grua që besoj se të bësh krenar prindin në çdo rrethanë është një mision që çdokush e ka me veten.
CMG: A ke ju një mesazh për të gjithë fëmijët e tjerë?
Brunilda Berdhashi: Po, do t’iu lutesha të mos mendoni vështirësite e jetës, sepse në thelb vetë jeta është e vështirë, por të mendojnë si t’i zgjidhin ato dhe të jenë të lumtur.
Intervistoi Megi Latifi