Peizazhi në qytezën Uzhen / foto nga CFP
50 vjeçari Li Limin, pronari i një bujtine në qytezën Uzhen të Kinës Lindore ka qenë shumë i zënë këto ditë.
Të mërkurën u hap në vendlindjen e tij Samiti i Uzhen-it i Konferencës Botërore të Internetit (WIC), që është edicioni i 10-të i kësaj veprimtarie ndërkombëtare qysh prej 2014. Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, në çdo fillim nëntori mblidhen në këtë qytezë të vogël mbi një mijë mysafirë nga vende të ndryshme të botës dhe një pjesë e tyre u strehuan në bujtinën e Li Liming-ut.
Në fund të tetorit, Li-u sapo mbaroi pritjen e pjesëmarrësve të Festivalit të Teatrit të Uzhenit, që nisi më 2013. Këtë vit 28 trupa teatrore nga 11 vende performuan në këtë festival, gjatë të cilit u shitën 320 mijë bileta, duke shënuar një rekord. Nismëtari i i këtij festivali Chen Xianghong dëshiron që ta vazhdojë këtë përvojë për 100 vjet.
Li Limin, pronari i bujtinës "Wanxinglou" në Uzhen /foto nga "bjnews.com.cn"
Një bujtinë në qytezën Uzhen / foto nga CFP
Para vitit 1999, Uzhen ishte një qytezë e prapambetur industriale në provincën Zhejiang. Si biznesmen vendës në Uzhen, Li e di mirë se këto ndryshime nuk u realizuan brenda ditës, por me përpjekje hap pas hapi.
Në vitin 1999, një zjarr i madh prishi ndërtesat e vjetra në Uzhen. Chen Xianghong, një zyrtar i atëhershëm nga distrikti Tongxiang, nga i cili varej Ushen-i, u dërgua në këtë qytezë, njëherësh vendlindja e tij, për rindërtimin pas fatkeqësisë. Chen-i ka lindur në Uzhen, ku ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare. Më vonë ai u largua së bashku me prindrit dhe studioi jashtë vendit. Kur pa qytezën e prishur, me ujë të ndotur, rrugë të shtruara me çimento dhe ndërtesa të shëmtuara, Chen-it i mungonte pamja e saj e bukur në kujtimet e fëmijërisë dhe vendosi që të rindërtonte vendlindjen sipas kujtimeve dhe ta shndërronte në një qendër turistike.
Asnjëri nuk besoi se një qytezë e shkatërruaer dhe e prapambetur, pa peizazhe malore, pa komunikacion të zhvilluar, mund të bëhej në pikë turistike. Por Chen-i realizoi dëshirën e tij me veprime konkrete.
Ai nuk kishte para për të paguar arkitektë të mirë, por realizoi vetë mbi 3 mijë projekte për çdo ndërtesë, rrugicë, shtrat lumi dhe urë. Kështu filloi punët e rindërtimit. Një vit më vonë, Uzhen u shndërrua në një qytezë turistike dhe katër vjet më vonë u bë dhe qendër pushimi.
Chen Xianghong, nismëtari i Festivalit të Teatrit në Uzhen /foto nga "bjnews.com.cn"
Li Limin është një nga pronarët e bujtinave të para në Uzhen. Ai lindi dhe u rrit atje dhe tashmë është dëshmitari i zhvillimit të kësaj qyteze, nga pikë turistike në qendër pushimi dhe në qendër kulturore. Ai tha se ndërtimi i pikës turistike në Uzhen i ka dhënë gjallëri shtëpisë së vjetër të familjes së tij.
Në fillim Li ishte një kontabilist në kompaninë turistike të Uzhen-it, e drejtuar nga Chen Xianghong. Për Li-un, ëndrra e Uzhenit dhe ëndrra e teatrit e Chen-it ishin të largëta dhe të parealizueshme. Vetëm funksionimi i bujtinës dhe llogaritja e shpenzimeve dhe fitimeve janë jeta reale. Li kishte menduar se do të ishte i suksesshëm sa të fitonte një shumë që mund të përballonte shpenzimet e përditshme të familjes. "Uzhen ka pasur një zhvillim gjithnjë e më të mirë. Tani në këtë rrugë funksionojnë 55 bujtina." tha Li Limin.
Galeria Mu Xin në qytezën Uzhen / foto nga CFP
Galeria Mu Xin në qytezën Uzhen / foto nga CFP
Një kujtim i paharrueshëm për Li-un janë ditët kur piktori Mu Xin banoi në bujtinën e tij. Atëkohë, nuk ishte krijuar Galeria Mu Xin dhe Li nuk e dinte se një piktor me famë botërore banonte në bujtinën e tij, ndonëse ishte takuar e madje kishte biseduar me të çdo mbrëmje në tryezën e darkës.
Në dimrin e vitit 2015, u përurua Galeria Mu Xin dhe më vonë shumë artdashës erdhën në Uzhen. "Vizitorët në bujtinën time më pyetnin shpesh lidhur me zotin Mu Xin ose bisedonin me mua për veprat e piktorit," tha Li, një banor vendës pa asnjë përgatitje artistike, por tani mund të flasë me klientët e tij për estetikën.
Li tha se ai nuk di shumë për artin, por ka dëshirë t'u shërbejë si duhet klientëve artdashës që vijnë në Uzhen. Bujtina e tij zakonisht mbyllet në 10 të natës, por gjatë Festivalit të Teatrit dera mbetej e hapur për ata ktheheshin vonë nga shfaqjet.
Në syrin e Li-ut, Uzhen është i shumanshëm, me qetësinë në mëngjes, zhurmat në mesditë dhe natën fantastike, por secili moment është tërheqës.
"Shpresoj se Uzhen do të jetë gjithmonë i ri," tha Li. Nga pika turistike në qendrën e pushimit, nga baza e festivalit të teatrit në selinë e samitit të internetit, këto ndryshime kanë qenë rritjet e Uzhenit dhe të gjitha këto i kanë sjellë Li-ut më shumë përfitime. Xhiroja ditore e bujtinës së tij me tetë dhoma mund të arrijë 1000 dollarë amerikanë në pikun e sezonit.
Ndërtesat tradicionale në qytezën Uzhen / foto nga CFP
Peizazhe nate në Uzhen / foto nga CFP
Historia e Uzhen-it
Qyteza Uzhen ka një histori qytetërimi prej mbi 7 000 vjetësh dhe një histori urbanizimi prej 1300 vjetësh. Kjo qytezë e ndërtuar mbi ujë, quhet "vendlindja e orizit dhe peshqve" si dhe "kryeqendra e mëndafshit".
Kjo qytezë e vogël ka gjen të fuqishëm kulturor. Këtu janë formuar shumë personalitete të famshme, si shkrimtari i njohur dhe ministri i parë i Kulturës i Republikës Popullore të Kinës Mao Dun, piktori dhe poeti i njohur Mu Xin etj.
Me historinë e lashtë dhe kulturën e thellë, Uzhen e zbuloi turizmin si shtyllë e ekonomisë që para mbi 20 vjetëve. Sot qyteza e lashtë Uzhen klasifikohet si pika turisitike e nivelit 5A në rang kombëtar dhe njihet si "Vatra e fundit kineze mbi ujë".
Duke shfrytëzuar famën turistike, Uzhen-i nisi më 2013 Festivalin e Teatrit dhe ka vijuar këtë traditë për dhjetë vjet me radhë. Në fund të tetorit sapo u mbyll edicioni i 10-të i këtij festivali.
Festivali i Teatrit në Uzhen / foto nga CFP
Festivali i Teatrit në Uzhen / foto nga CFP
Uzhen-i i përket distriktit Tongxiang të qytetit Jiaxing të provincës Zhejiang të Kinës Lindore. Ai ndodhet në një fushë në mes të "trekëndëshit të artë" Shangai-Suzhou-Hangzhou, pra me komunikacion shumë të lehtë me qytete të mëdha përreth. Për udhëtimin me makinë nëpërmjet autostradave, duhen vetëm 80 minuta nga Uzhen-i në Shangai, metropoli në Lindje të Kinës, ndërsa 90 minuta për në Hangzhou, qyteti nr.1 i Kinës për internet.
Falë pozicionit të mirë gjeografik, komunikacionit të lehtë, sistemit të përsosur të hotelerisë dhe traditës së lashtë kulturore, Uzhen-i ka zhvilluar dhe industrinë e ekspozitave dhe të konferencave dhe një prej tyre është Samiti i Uzhen-it i WIC-it. (Wang Lei/ Eda)
Ekspozita "Drita e Internetit" në Uzhen, që u hap më 7 nëntor në kuadrin e Samitit të Uzhen-it të WIC-së / foto nga CFP
Muzeu Botëror i Shkencës e Teknologjisë së Internetit në Uzhen / foto nga CFP