Yang Yiming, një skenarist 25-vjeçar, promovoi skenarin e tij të parë të filmit “After Class” gjatë eventit “Golden Rooster Films”. Pas një prezantimi 20-minutësh dhe pyetje-përgjigjesh, disa producentë filmash treguan interes të madh për skenarin e tij.
“Ne jemi frymë e re në industrinë e filmit. Kemi fituar shumë nga tregu i projekteve, sepse mund të dëgjojmë mendime të vlefshme si nga investitorët ashtu edhe drejtpërdrejt nga regjisorët”,- tha Yang.
Festivali i Filmit “China Golden Rooster and Hundred Flowers 2023”, ku u prezantuan çmimet e 36-a të “China Golden Rooster”, u zhvillua javën e kaluar në qytetin Xiamen, në provincën Fujian të Kinës lindore.
Aktivitetet kryesore të festivalit të filmit përfshinin një panair të projekteve filmike, shfaqje filmash dhe forume akademike. Panairi i projekteve filmike, i krijuar pesë vjet më parë, është bërë gradualisht platforma kryesore për të rinjtë në botën e filmit, investitorët dhe producentët për t'u takuar dhe komunikuar.
Këtë vit u paraqitën 1006 projekte, nga të cilat 843 janë skenarë origjinalë, ndërsa 661 janë debutime regjisoriale. Shumica e krijuesve të projektit kanë lindur në vitet 1980 dhe 1990. Shumë vepra fokusohen në realitet, por gjithashtu nuk mungonin as temat mbi artet marciale, sportet, biografia, historia dhe ushtria.
Ceremonia e hapjes e Panairit të Projekteve Filmike/ foto nga "Chinanews.com"
Panairi i projekteve filmike është vetëm një mishërim i industrisë së përgjithshme të filmit në Kinë. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë kineastë të rinj po shfaqen në vend. Ata kanë prodhuar një sërë filmash të shkëlqyer vendas, duke i shtuar gjallëri të freskët peizazhit filmik të Kinës.
Zhang Aigong, profesor i asociuar në Shkollën e Filmit të Universitetit Xiamen, tha se kineastët e rinj mbulojnë zhanre të ndryshme si fantashkencë, drama, suspansa, mitologjia dhe animacioni, gjë që pasuron ofertat e tregut të filmit dhe plotëson nevojat e larmishme të audiencës.
Kjo, sipas tij, tregon plotësisht vitalitetin krijues të kineastëve të rinj të Kinës dhe rimëkëmbjen e tregut të filmit në vend. Zhang shtoi se disa vepra nga kineastët e rinj që fokusohen në realitet dhe vlerësojnë kulturën tradicionale kineze vazhduan të shfaqen këtë vit, gjë që është një shenjë e mirë që nxit pritshmëritë në lidhje me perspektivat e filmave kinezë.
Ceremonia e hapjes e Panairit të Projekteve Filmike/ foto nga "Chinanews.com"
Sipas “Maoyan”, një platformë kineze për shitjen e biletave dhe të dhënave të filmit, deri në fundjavë, të ardhurat nga arkëtimet në Kinë, përfshirë dhe para shitjen e biletave për vitin 2023, kishin tejkaluar 49.4 miliardë juanë (rreth 6.88 miliardë dollarë amerikanë), mbi 2 miliardë juanë më shumë se të ardhurat totale vjetore të arkëtimeve në vitin 2021.
Pesë nga 10 filmat më të mirë në tabelën vjetore të arkëtimeve këtë vit janë nga regjisorë të rinj, duke përfshirë filmin fantastiko-shkencor “The Wandering Earth II” dhe thrillerin suspans “Lost in the Stars”.
Industria e begatë e filmit në Kinë ofron mundësi të mëdha për kineastët e rinj. Që nga viti 2015, ky sektor ka përjetuar rritje të ndjeshme, duke tejkaluar tregun e Amerikës së Veriut, i cili kishte qenë prej kohësh tregu kryesor në botë, në dy tregues, përkatësisht numrin e shikuesve të filmit dhe numrin e kinemave.
Si në vitin 2020 ashtu edhe në vitin 2021, të ardhurat nga arkëtimet në Kinë tejkaluan ato të tregut të Amerikës së Veriut, duke u renditur e para në botë.
“Këtë verë, totali i arkëtimeve në një muaj dhe numri i shikuesve të filmit thyen rekordet e industrisë kineze të filmit, gjë që vërteton plotësisht vitalitetin dhe potencialin e tregut të filmit në Kinë”,- deklaroi Zhang.
“Tregu i filmit në Kinë është shumë emocionues. Jemi në kohët më të mira në zhvillimin e industrisë së filmit të Kinës, e cila u jep kineastëve të rinj kurajë për të shkruar diçka të re, interesante dhe unike. Ne duam të shfrytëzojmë mundësitë dhe të bëjmë sa më shumë filam të mirë të prodhuar në vend”,- tha Yang.