Deri para viteve ‘90, fshati pasqyrohej ose përmes peizazhit, ose përmes portreteve të kooperativistëve dhe kompozimeve të jetësës në fshat. Pas viteve ‘90, piktorët u duk sikur e shmangën pak temën e fshatit, ndoshta nga velja ndaj kësaj teme, disa herë ndoshta e sforcuar, ose dëshira për të lënë pas realizmin socialist, në një fshat që ishte zhbërë dhe nuk ishte ai që kishin njohur dikur. Dukej sikur fshati nuk ishte më muza e piktorëve të cilët kishin pikturuar për dhjetëvjeçarë të tërë, kooperativistë, mjelëse, bujq apo ara me grurë. Por rreth viteve 2000 piktorët iu rikthyen temës së fshatit, tashmë duke e parë në një perspektivë të re, atë të peizazhit, kryesisht duke dëshmuar se lidhja e artistit me fshatin, tokën dhe natyrën, është po kaq natyrshme, sa ç’është nevoja e njeriut për të hedhur ngjyrat në telajo.
Simon Rrota -Tek pusi i fshatit - foto GKA
“Te pusi i fshatit” nga Simon Rrota
Simon Rrota shquhet për stilin e tij të veçantë. Tabloja bazohet te motivet e fshatit. Ajo ka në qendër disa gra zadrimore të veshura me veshjet e tyre tradicionale. Ai është shumë detajist kur pikturon veshjet e tyre, apo edhe ndaj sjelljeve njerëzore, duke na prezantuar një natyrë idilike.
Simon Rrota harmonizon bukur ngjyrat mes së kuqes dhe të verdhës, duke u përqëndruar në dhënien e një atmosfere tipike fshati: gra që mblidhen te pusi për të mbushur gjymat me ujë, duke ndarë edhe bisedat e tyre. Simon Rrota njihet në pikturën shqiptare si mjeshtri që solli motivet e fshatit në një mënyrë mjaft origjinale.
Andon Lakuriqi - Kthimi nga puna- foto GKA
“Kthim nga puna” nga Andon Lakuriqi
“Kthim nga puna” nga Andon Lakuriqi është një tablo e bukur, e realizuar mirë, si nga ana kompozicionale, ashtu edhe nga ana teknike, që tregon kthimin nga puna të të gjithë famijes, ku të gjithë punojnë. Penalatat janë të harmonizuara bukur, ngjyrat po ashtu si dhe raporti i ngjyrave me njëra-tjetrën. Edhe pse në dukje nuk thërrasin shumë si kontraste, në fakt sjellin një harmonizim shumë të bukur, mes të kuqes dhe kafes. Figurat komunikojnë me njëra-tjetrën, pavarësisht se ato nuk shihen në sy. Tabloja i përket vitit 1976 dhe është realizuar me vaj në kanavacë.
Skënder Kamberi - Buka e duarve tona - foto GKA
“Buka e duarve tona” nga Skënder Kamberi
“Buka e duarve tona” e piktorit Skënder Kamberi i përket vitit 1976. Ajo u prit me shumë entuziazëm nga kritika e kohës.
Tabloja u vlerësua si një nga veprat kryesore në krijimtarinë e artistit. Aty vihet re qartë prirja e tij e fuqishme për t’ju shmangur sa të ishte e mundur pikturës ilustrative.
“Buka e duarve tona” është një tabllo monumentale, impresioniste, e pikturuar me shumë bukuri dhe emocion. Figurat e vajzave fshatare janë të harmonizuara bukur me njëra-tjetrën. Poezia ndihet kudo, te penelatat dhe trajtimi, sidomos i të gjelbrës së grurit, që simbolizon të renë që lind me grurin e ri në arë. Figurat e vajzave duket sikur këndojnë rreth e rrotull këtij gruri. Ato harmonizohen shumë bukur me delikatesën e tyre dhe grurin e ri, duke përfaqësuar të njëjtën moshë, rininë me të ardhmen e saj.
Ismail Lulani- Motiv nga fshati- foto GKA
“Motive nga fshati” nga Ismail Lulani
Tabloja është një kompozim që i përket vitit 1989 dhe është punuar me vaj në kanavacë. Edhe pse ka motive fshati, ajo është realizuar me një ekspresion të thellë, që vihet re sidomos nga ngjyrat e forta e të thella dhe raportet mes tyre. Vizatimi i të gjitha figurave, por edhe i kafshëve dëshmon virtuozitetin e piktorit Ismail Lulani. Është një kompozim mjaft dekorativ, me sfondin e verdhë dhe figurat e kuqe.
Kërkimet e tij vijnë nga natyra. Atij i ka pëlqyer shumë të pikturonte fshatin, kjo edhe pse për shumë vite ka punuar si mësues në fshat dhe fshati është bërë jo rrallë objekt frymëzimi për piktorin.
Ai gjithmonë gjendej duke vizatuar motive, detaje të fshatit, të cilat më pas i hidhte në tabllo të mëdhaja, siç është kompozimi për të cilin po flasim.
Jorgo Gjikopulli - Vere 1971 - foto GKA
“Verë” nga Jorgji Gjikopulli
Është një kompozim i veçantë, në të cilin harmonizohet mirë plani i parë i vajzave dhe djalit të autokombanjës që po mbledh prodhimet. Tabloja prezanton atmosferën e fshatit gjatë stinës së verës dhe këtë e dëshmon jo vetëm titulli i pikturës, por sidomos tonaliteti i ngjyrave.
E ka pikturuar në mënyrë simbolike, me ngjyra të ngrohta, të kuqe dhe portokalli si korrjen e grurit, si peizazhin, ashtu edhe figurat e njerëzve.
Kujtim Buza - Ne pune - foto GKA
“Në punë” nga Kujtim Buza
“Në punë” është një kompozim nga Kujtim Buza, realizuar në vitin 1978. Tabloja është punuar në vaj në karton. Është një kompozim piramidal, ku i lihet shumë hapësirë pemëve me degë të mbushura me fruta në të dyja anët e kompozimit dhe më pak hapësirë arkave dhe njerëzve që po punojnë për vjeljen e tyre. Por, megjithëse figurat janë më të vogla, gjithsesi ato bien në sy përmes kontrastit të ngjyrave. Kanë më shumë dritë figurat, arkat dhe shkallët se sa vetë pemët dhe kjo krijon edhe piramidën e kompozimit. Është një ndërthurje e peizazhit me figurën e njeriut, ku pasqyrohet bukur një ditë pune në fshat.
Neritana Kraja