Foto nga VCG
Gjithmonë ka disa momente të paharrueshme në jetën e një personi, qofshin të gjata apo të shkurtra. Për neuroshkencëtarin kuban Pedro Antonio Valdes-Sosa, ka pasur tre momente të tilla deri më tani, më i fundit kur mori një letër përgjigje nga presidenti kinez Xi Jinping.
73-vjeçari Valdes-Sosa është profesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Elektronike të Kinës në Chengdu, në provincën Sichuan. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij përdorin teknologjinë informatike dhe telekomunikuese për të studiuar se si funksionon truri dhe përpiqen të zhvillojnë teknika, instrumente dhe procedura për të ndihmuar në zbulimin e hershëm të sëmundjeve të trurit.
Në shtator, shkencëtari kuban i shkroi një letër presidentit Xi, ku tregonte arritjet e ekipit të tij në promovimin e kërkimit shkencor të trurit. Ai shprehu gjithashtu angazhimin e tij për të vazhduar forcimin e miqësisë Kinë-Kubë dhe për të kontribuar në zbatimin e nismës “Një brez, një rrugë” në një shkallë më të gjerë në botë.
Në letër përgjigjen për Valdes-Sosa, presidenti kinez shkroi se bashkëpunimi ndërkombëtar shkencor dhe teknologjik është një prirje kryesore dhe vendet duhet të promovojnë bashkërisht kauzën e paqes dhe zhvillimit për njerëzimin përmes inovacionit shkencor dhe teknologjik.
“Kur lexova letrën, ajo që më bëri më shumë përshtypje është mënyra se si presidenti Xi e kapi thelbin e asaj për të cilën isha i interesuar t'i shkruaja. Ishte rëndësia e shkencës dhe teknologjisë për të ardhmen e Kinës, Kubës dhe botës, dhe gjithashtu roli që mund të luajë “Një brez, një rrugë””,- tha shkencëtari.
Kur ishte 6 vjeç, prindërit i thanë se qëllimi kryesor i jetës së një personi është t'i shërbejë njerëzimit. Ky ishte momenti i parë i paharrueshëm në jetën e tij, kujton Valdes-Sosa. Ai theksoi se gjithmonë i është përkushtuar punës për të mirën e njerëzimit.
Momenti i dytë i rëndësishëm në jetën e tij ishte kur ish-udhëheqësi kuban Fidel Castro i dha Valdes-Sosa dhe vëllait të tij binjak përgjegjësinë për të zhvilluar teknika të reja për të diagnostikuar çrregullimet neurologjike, si në Kubë ashtu edhe në Amerikën Latine. Në vitin 1990, Valdes-Sosa bashkëthemeloi Qendrën Kubane të Neuroshkencës, e cila ishte një nga të parat në botë që zhvilloi sisteme të kompjuterizuara elektroencefalografike. Ai vizitoi për herë të parë Kinën në të njëjtin vit dhe u bë një vizitor i shpeshtë që atëherë.
“Kam parë ndryshimet ndër vite. Tani shikoj një shoqëri ku njerëzit janë më të lumtur, një shoqëri që po zhvillohet, jo vetëm në shkencë dhe teknologji, por gjithashtu po ruan kulturën e vet dhe po rrit cilësinë e jetës së njerëzve”,- tha ai.
Valdes-Sosa ka punuar në Pekin përpara se të zhvendosej në Chengdu në vitin 2015 së bashku me bashkëshorten e tij, Maria Luisa Bringas-Vega, gjithashtu një shkencëtare.
Në letër përgjigjen e tij, presidenti Xi deklaroi se pikënisja dhe synimi i “Një brez, një rrugë” është të eksplorojë mënyra të reja të zhvillimit të përbashkët midis vendeve të ndryshme dhe të hapë një rrugë drejt lumturisë, nga e cila përfitojnë të gjitha kombet dhe bota.
“Pas secilit prej këtyre momenteve të paharrueshme, ajo që ndjej është një ndjenjë përgjegjësie. Misioni për t'i shërbyer njerëzimit m'u dha nga prindërit e mi dhe më pas u përforcua nga ish-lideri kuban.
Tani, presidenti kinez thotë se ne mund ta bëjmë këtë punë për njerëzimin përmes “Një brez, një rrugë” në një shkallë shumë më të gjerë”,- deklaroiValdes-Sosa.
Duke vënë në dukje se bashkëpunimi Kinë-Kubë ka dhënë shumë rezultate që kanë sjellë përfitime për shëndetin e popujve të tyre, neuroshkencëtari kuban tha se është koha e duhur që të dy vendet të fillojnë të ndihmojnë kombet e tjera së bashku.
“Asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk ka pasur një përpjekje për të ndihmuar vendet e tjera si nisma “Një brez, një rrugë”. E shkrova letrën nga thellësia e zemrës, për të shprehur admirimin tim dhe kurrë nuk prisja një përgjigje kaq të shpejtë dhe të sjellshme”,- tha ai, duke shtuar se ai ishte i gatshëm të punonte më shumë për ta kthyer vizionin e presidentit Xi në realitet.
Valdes-Sosa tha se universiteti me bazë në Chengdu po propozon ngritjen e një laboratori të përbashkët “Një brez, një rrugë”, që synon të përmirësojë kushtet socio-ekonomike të vendeve pjesëmarrëse nëpërmjet aplikimit të përparimeve shkencore dhe teknologjike.
“Presidenti kinez ishte shumë i qartë kur tha se një nga elementët kryesorë të zhvillimit të çdo shoqërie është zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë. Kjo është demonstruar në Kinë dhe po shtrihet përmes “Një brez, një rrugë””,- tha ai, duke nënvizuar se nisma ofron një mënyrë konkrete për të nxitur zhvillimin e vendeve të tjera.
Valdes-Sosa tha se kjo nuk është një detyrë e lehtë, duke pasur parasysh kushtet e ndryshme të vendeve të “Një brez, një rrugë”. Megjithatë, sipas tij, njeriu nuk duhet të dekurajohet sepse diçka që ia vlen të bëhet është e vështirë.