Foto Atsh
Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë seleksionimin e radhës me futbollistët e rinj shqiptarë, që jetojnë brenda dhe jashtë vendit kudo në botë, njofton “ATSH”.
Seleksionimet do të zhvillohen në datat 4 deri në 7 dhjetor 2023 në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” për të gjithë lojtarët e lindur në vitet 2006-2009, që duan të provojnë veten me fanellën kuqezi.
Kjo nismë e ndërmarrë nga FSHF-ja vjen si një rrjedhojë e kërkesave të komunitetit shqiptar në botë dhe rritjes së numrit të lojtarëve të perspektivës që jetojnë atje, të cilët duan të provojnë shanset për të luajtur me ekipet kombëtare të Shqipërisë.
Qëllimi i seleksionimit është për të krijuar një ide më të qartë për elementët që duhen mbajtur në vëzhgim, për të afruar lojtarë të rinj në ekipet kombëtare të moshave. (Fatosi)