Albana Vrioni sjell në Shqipëri organizatën ndërkombëtare “Women on Board”
2023-11-07 12:02:30


Albana Vrioni është “executive & business coach” në profesionin e saj. Ka lindur dhe është rritur në Shqipëri. Prej 14 vitesh drejton “Vrioni Consulting” dhe prej 25 vitesh ofron shërbime trajnimi dhe këshillimi për transformimet organizative. “Fokusi im është në zhvillimin e kapaciteteve udhëheqëse”, tregon ajo për Radio Ejani, teksa rrëfen edhe një nga qëllimet kryesore se pse solli në Shqipëri një organziatë kaq të rëndësishme ndërkombëtarisht.

CMG: Znj. Vrioni, si ka nisur karriera juaj në fushën e zhvillimit personal?  

Albana Vrioni: Unë kam lindur dhe jam rritur në Shqipëri. Karrierën time e kam filluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, analiste në sektorin e vendeve gjermanfolëse. Pas specializimit në Norvegji në “IM&S” dhe “European Lobbying”, bashkë me familjen e re u vendosëm dhe filluam një karrierë dhe kapitull të ri jete në Belgjikë. Si grua, gëzoj dashurinë e një familje me disa breza. Jam nënë e 3 fëmijëve dhe kam një bashkëshort që më ka mbështetur në çdo hap të jetes sonë të përbashkët.

Drejtoj “Vrioni Consulting” prej 14 vitesh dhe prej 25 vitesh ofroj shërbime “advisory dhe executive coaching” në drejtimin e transformimeve organizative. Kam pasur nderin të jem presidente e “European Women Management Development”, si dhe të jem anëtare e “European Women on Boards”.

Gjatë viteve 1994-1996 m’u besua pjesëmarrja në transformimet delikate të sistemit politik dhe ekonomik në Shqipëri.

Midis 1998-2018 në 20 vite kam mbështetur realizimin e 35 projekteve transformuese, secili prej tyre i realizuar në kohë.

Në vitet e fundit m’u besua drejtimi i një projekti tranzicioni shumë sfidues dhe unë kam drejtuar shumë të tilla.

Kam fatin të punoj shpesh me gra që kanë një karakter të fortë dhe kërkojnë, herë të druajtura e herë të vendosura, të kanalizojnë zërin e tyre të brendshëm dhe energjinë e tyre transformuese në kanale produktive. Jam shpesh e rrethuar me gra shumë të zonja që tregojnë një forcë magjepsëse.

CMG: Ju jeni trajenere biznesi për individë e sipërmarrës në tregun europian. A mund të na tregoni ku jeni fokusuar me fushën tuaj të ekspertizës?

Albana Vrioni: Fokusi im është në zhvillimin e kapaciteteve udhëheqëse. Që të jemi udhëheqës të një kombi, apo të një biznesi, apo të një ekipi ne kemi nevojë të jemi udhëheqës të mirë të vetvetes. Shkollat e sotme e kanë harruar totalisht këtë pikë elementare, por thelbësore të zhvillimit të shoqërisë. Unë ndërthur në punën me drejtuesit, zhvillimin e një udhëheqësi të ndërgjegjshëm, që realizon ambiciet e entitetit që drejton si edhe të entitetit “vetvetja” të “unit” unik që ai mbart e të ëndrrës që e bën të rrokë çdo mëngjes, sikur të ishte një fillim i ri. Fushat e ndryshme në të cilat kam operuar më lejojnë të mbështes drejtuesit në sfidat strategjike, po aq ekonomike e organizative, sa edhe morale, relacionale dhe emocionale.

CMG: Çfarë të ka kuriozuar gjithnjë?

Albana Vrioni: Ku e ka burimin kjo forcë? Si mund të ushqehet kjo forcë transformuese që mos të shterojë e mos të shpërdorohet? Si mund të shumëfishohet brenda meje dhe gjithë femrave që aspirojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë për to dhe për brezat që vijnë?

Albana Vrioni dhe grupi i saj i punes

CMG: Pse vendosët të sillni në shqipëri organizatën “Women on Board Albania”?

Albana Vrioni: Me një ekip bashkëpunëtorësh të sprovuar në kapacitetin dhe visionin e tyre, prezantoj organizatën “Women on Board Albania” dhe vizionin e saj. Jam angazhuar personalisht në krijimin e një platforme që të mundësojë shpalosjen e potencialit të gruas shqiptare në pikën më nevralgjike të transformimeve dhe progresit: Bordet Drejtuese.

Shqipëria është një vend me potencial, por nëse nuk do të përdoret drejt e në kohë ai mund të humbasë e të shterojë. Brezi i ri ka nevojë për shpresë, drejtimi vizonar i transformimeve është kyç.

Diversiteti në bordet drejtuese pasuron mënyrën se si vendimet janë marrë dhe çfarë vendimesh janë marrë. Jam optimiste për kontributin që mund të arrijmë me një bord dhe ekip të dedikuar ndaj çështjes së zhvillimit dhe shpalosjes së potencialit të gruas shqiptare në bordet në Shqipëri.

Albana Vrioni gjate intervsites per CMG

CMG: Çfarë ju shtyn të punoni në Shqipëri?

Albana Vrioni: Kapaciteti i pakrahasueshëm, i papërdorur dhe i papërpunuar. Shqiptarët kanë plot talente, por që fatkeqësisht nuk shfrytëzohen siç duhet dhe mbeten të papërpunuara, derisa kthehen në ngërç social dhe ekonomik.

CMG: Cili ështe mesazhi juaj për gruan shqiptare?

Albana Vrioni: Gruaja shqiptare është shumë luftarake. Unë besoj që kjo është një cilësi që e ka kanalizuar në qëllime të denja.

Përgatiti: Megi Latifi