Ekspozita “China Darlings”, e cila synonte të paraqiste estetikën lindore në një mënyrë bashkëkohore duke mbledhur së bashku stilistë të talentuar, artistë të trashëgimisë kulturore jomateriale dhe marka luksoze të nivelit të lartë, u zhvillua në Shangai në fund të muajit të kaluar.
Zhang Hanying, kuratore e ekspozitës, thotë se shpresonte të eksploronte potencialin dhe mundësitë e dizajneve tradicionale.
“Megjithëse ka shumë artistë apo stilistë që bëjnë shfaqje kulturore dhe të modës kineze, shumë prej dizajneve apo shfaqjeve ende nuk janë ekspozuar”, thotë Zhang, gjithashtu kryeredaktore e “Fashion Zoo”, një platformë mediatike pioniere që fokusohet në forcat e reja të modës krijuese në Kinë.
Njerëzit kanë ende stereotipe të bukurisë lindore, thotë ajo, duke marrë si shembuj vetullat e harkuara dhe guqin (një instrument me shtatë tela).
“Të paktën, mund të fillojmë me një eksplorim të ri të estetikës kineze dhe më pas t'u ofrojmë stilistëve dhe publikut potenciale dhe mundësi të ndryshme, duke i bërë të gjithë të vetëdijshëm se estetika lindore duhet të hyjë në jetën moderne”,- deklaroi Zhang.
Veprat në Ekspozitën “China Darlings” / foto nga “jingan.gov.cn”
Si ekspozita e parë e iniciuar nga “Fashion Zoo”, “China Darlings” shfaqi qindra ekspozita kreative, duke përfshirë dizajne të modës, aksesorë dhe objekte nga jeta e përditshme, duke përdorur instalime eksperimentale dhe imazhe vizuale për të ndërtuar një imagjinatë të botëkuptimit lindor në një mënyrë më të larmishme.
Paraqitjet më të rëndësishme erdhën nga pesë çifte krijuesish. Secili prej tyre përfshinte një projektues dhe një artizan të trashëgimisë kulturore jomateriale.
Chen Shengtao, një stilist i cili u nominua për çmimin “LVMH” këtë vit, bashkëpunoi me një artizan të fenerëve për instalimin e tyre.
Drejtuesi kryesor i “Buerlangma”, Yuan Qiqi, dizajni i të cilit pëlqehet dhe nga superylli Beyonce, bashkëdizajnoi një maskë me artistin e luleve Lyu Xinran.
Vepra në Ekspozitën “China Darlings” / foto nga “jingan.gov.cn”
Po ashtu, nuk mungonte as sixhadeja prej mëndafshi e trashëgimisë kulturore jomateriale të Ma Ziyu me dizajne të prera dhe fundi i butë qeramik i Liang Liwen.
Pjesëmarrja e disa markave të njohura, si “Shang Xia” dhe “Zhu Chong Yun”, treguan së bashku vitalitetin e artizanatit tradicional në fushën e modës.
“Fashion Zoo” ftoi gjithashtu Chen Ruyi dhe Sasha Jiang, drejtuesit kryesorë të “In the Park” dhe “The Marketplace”, për të ndarë objektet e tyre të përdorimit të përditshëm që mund të pasqyrojnë estetikën lindore.
“Projekti ynë “China Darlings” nuk është thjesht një ekspozitë. Ai është gjithashtu një fushë eksperimentale krijuese për estetikën lindore dhe shprehjen bashkëkohore”,- deklaroi Fan Xiaoxiao, drejtuesi kryesor i “Fashion Zoo”.
Veprat në Ekspozitën “China Darlings” / foto nga “jingan.gov.cn”
Sipas tij, koncepti eksperimental i “Space Magazine” u paraqit për herë të parë në ekspozitë.
Si pjesë e ekspozitës u krijua edhe një studio fotografie “pop-up”, e cila ftoi fotografët të përdornin aftësinë e tyre për të krijuar foto të modës.
Gjatë ekspozitës, “Fashion Zoo” nisi gjithashtu një sërë bisedash të improvizuara për të eksploruar perspektivat estetike të ekspozuesve dhe vizitorëve të ndryshëm. Gjithçka e paraqitur në këtë event do të përpunohet për botimin special të “Fashion Zoo”.