La Fazani me trofeun e çmimit të parë të Festivalit të parë të këngës në RTK (Foto nga Instgrami)
U realizua me sukses edicioni i parë i Festivalit të Këngës në RTK, me fitues Arbër Salihun. I njohur me emrin e artit “La Fazani”, ai u prezantua me këngën “Oj Kosovë”. Çmimin e dytë e fitoi këngëtarja e re Angus Dei me këngën “Një zemër për dy”, dhe çmimi i tretë i festivalit shkoi për artistin e ri të talentuar Albin Nikprelaj, me këngën “Ajo”, çmim i cili iu nda nga tre prezantueset e tre netëve të festivalit, Edona Kasapolli, Anjeza Shahini dhe Edona Reshitaj.
“La Fazani” mori edhe Çmimin e Prishtinës, i cili iu dha nga kryebashkiaku Përparim Rama.
Prezantuesi i Festivalit, Adi Krasta, deklaroi se ky çmim jepet sepse Prishtina është bërë me festival dhe drejtori i Eurosong-ut ka thënë se një qytet është më i bukur kur bëhet me festival.
La Fazani (Foto nga Instagrami)
Një tjetër çmim që u nda në këtë festival ishte dhe Çmimin e Orkestrës, të cilin e fitoi Saranda Alija me këngën “Mendoj ku je”. Ky çmim asaj iu dorëzua nga këngëtarja e njohur Shpresa Gashi.
Për herë të parë, organizatorët vendosën që ta bënin orkestrën profesionale pjesë të votimit. Orkestra shoqëroi këngët garuese dhe ato të të ftuarve specialë për tre net me radhë dhe më pas dha verdiktin e saj.
Pas fitores, Arbër Salihu deklaroi: “Është shumë ndjenjë e mirë kur të vlerësohet puna dhe kënga, por sidomos kur fiton në festivalin e parë. Nuk mendoja se do të fitoja, mora pjesë sepse doja të jepja kontributin tim në një festival sa më të lartë profesionalisht”.
Ai vijoi duke treguar se si i erdhi ftesa për të qenë pjesë e festivalit. “Shtysa për pjesëmarrjen ka qenë Florent Boshnjaku. Por, një sinjal i mirë për cilësinë dhe standardin e lartë të festivalit ka qenë edhe angazhimi i prezantuesit Adi Krasta, i njohur për kontributin e tij në festivalet dhe spektaklet në Shqipëri që prej viteve ’90. Nuk kisha një këngë të përshtatshme për këtë event, ndaj duhej të krijoja diçka të re. Aplikova me këtë këngë, edhe pse nuk isha fort i bindur dhe i sigurt për cilësinë e saj. Madje për një moment mendova dhe të hiqja dorë, por nuk e bëra dhe ja ku jemi tani, jam fitues”, -deklaroi Arbër Salihu.
La Fazani me trofeun e çmimit të parë të Festivalit të parë të këngës në RTK (Foto nga Instgrami)
Festivali i Këngës në RTK është vlerësuar nga kritikë të ndryshëm të artit për spektaklin, organizimin, artistët dhe magjinë e skenës.
Festivali i muzikës mblodhi artistë të njohur, tekstshkrues dhe kompozitorë të cilët kanë dhuruar emocione të veçanta në tre netët e eventit muzikor.
Të shumta kanë qenë komentet dhe vlerësimet për drejtuesin e festivalit, gazetarin dhe prezantuesin e mirënjohur Adi Krasta, duke e cilësuar si mjeshtër në gjithë organizimin e këtij festivali.
Por, gjithashtu një vlerësim i jashtëzakonshëm është bërë edhe për drejtorin artistik, i mirënjohuri maestro Florent Boshnjaku.
Artisti Boshnjaku ka arritur edhe një nga sukseset e mëdha, ku pas fitores në Festivalin e RTSH-së, me realizimin e këngës “Suus”, interpretuar nga Rona Nishliu, kanë arritur vlerësimin më të lartë të përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovizion.
La Fazani në momentin e fitores (Foto nga Instgrami)
Nga 18 artistë konkurrentë në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK, në natën finale u përzgjodhën 10 këngë të cilët konkuruan për çmimin e parë.
Për fituesin e edicionit të parë ishte përgatitur si shpërblim trofeu i punuar nga Arbenitë Shala e Zana Ramadani. Gjithashtu për fituesin u përgatit edhe një dhuratë e veçantë, një medaljon me shqiponjën e flamurit shqiptar me 500 diamante.
Shumë të ftuar i dhuruar mjaft ngjyra dhe magji këtij festivali, si Timo Flloko, Enver Petrovci, Irma Libohova, Genc Salihu, Shpat Deda, Besim Dina, etj.
Në këtë edicion të parë mjaft me rëndësi ishte dhe përcjellja me muzikë origjinale nga Orkestra e Festivalit të Këngës, ku një rol kyç kanë luajtur në prezantimin e këngëve artistët Alfred Kaçinari, Edon Ramadani dhe Valton Beqiri, të cilët kanë qenë drejtuesit e orkestrës për tri netët e edicionit të parë të këtij festivali, i cili erdhi nën prezantimin e Adi Krastës, shoqëruar nga Besim Dina, Edona Reshitaj dhe Anjeza Shahini.
Përgatiti: Sava Lena