Aleks Abedini prej dy vitesh jeton dhe studion në Çikago të SHBA-së. Përtej shkollimit, eksperiencat e punës në SHBA e ndihmuan në hedhjen e një hapi të rëndësishëm. Ndërtimi i një sipërmarrjeje që e menaxhon nga distanca, një grup apartamentesh në Tiranë, të cilat i ofron me qira ditore për udhëtarë kryesisht të huaj. Edhe pse distanca është e madhe, falë teknologjisë është në gjendje ta menaxhojë këtë sipërmarrje së bashku me një kolegun e tij, duke e kthyer në një biznes efektiv dhe shumë të preferuar së fundi. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ai tregon për eksperiencën e tij në fushën e turizmit, largimin për në SHBA si dhe lidhjet e tij me Shqipërinë.
CMG: Prej vitesh ke punuar në Shqipëri në fushën e turizmit si guidë dhe agjent turistik. Si ka qenë kjo eksperiencë për ty?
Aleks Abedini: Kur nisa studimet universitare në Tiranë, dhe pse kam studiuar për diçka që nuk ka lidhje me atë që po bëj për momentin, doja që të bëja diçka ekstra si student. Me anë të kontakteve njoha një agjenci turistike dhe prej aty hyra në botën e turizmit, ku fillimisht ofroja shërbime si guidë turistike. Kisha mundësinë që të eksploroja pak më shumë Shqipërinë, duke shkuar në destinacione të ndryshme nga veriu në jug. Me eksperiencën e fituar, më pas u transformua nga guidë në një agjent turistik për një kompani tjetër prestigjoze turistike që vazhdon ende të operojë në Shqipëri.
CMG: Keni kryer studimet në Fakultetin e Gjeologjisë dhe më shumë jeni marrë me fushën e turizmit. Pse u angazhove më tepër në turizëm sesa në degën që ke studiuar?
Aleks Abedini: Kam përshtypjen që ka qenë më tepër një shtysë e brendshme, duke qenë se dhe babai im në fillim të viteve ‘90 e ka ushtruar si profesion guidën turistike, ku ofronte guidë turistike në gjuhën italiane për italianët e parë që kanë ardhur dhe kanë vizituar Shqipërinë. Bashkë me vëllanë dhe motrën kishim mundësinë që shpeshherë t’i takonim italianët nëpër shtëpitë e tyre të pushimit, u njohëm me një kulturë. Besoj se kjo ka qenë shtysa që më çoi që ta nisja këtë si profesion. Më pas ishte diçka që e ndjeja brenda vetes dhe më pëlqente më shumë, jo vetëm pjesa e natyrës por dhe pjesa e historisë dhe kulturës së Shqipërisë.
CMG: Prej dy vitesh jetoni në Çikako të SHBA-së, ku studioni për marketing biznesi.
Aleks Abedini: Duke punur më shumë se 5-6 vite në fushën e turizmit, edhe pse relativisht e kam nisur në një moshë të re, doja që ta perfeksionoja dhe ta plotësoja këtë aspekt të shërbimeve që mund të ofrojmë. E ndjeja se kisha nevojë për një edukim të mëtejshëm, ku pata mundësinë, por ishte dhe një pëlqim i imi, për të shkuar në SHBA. Kështu që tentova në Çikago për studime, më pranuan dhe vendosa ta ndjek më pas si edukim. Kam dy vite që studioj për marketing biznesi dhe mendoj se do të më ofrojë në të ardhmen mundësi të reja, jo vetëm në nivelin e Shqipërisë por dhe në atë ndërkombëtar.
Akomodimet qe ofron Aleks per turistet
CMG: Si u përshtate me jetën amerikanë dhe a ishte i vështirë ambientimi në ditët e para?
Aleks Abedini: Barriera kryesore ishte komunikimi, por duke qenë se kam pasur kontakt të shpeshtë nga televizioni dhe shumë gjëra të tjera me SHBA-në, dhe gjuha nuk ishte problem, sepse kur përballesh me realitetin amerikan normalisht që çdo gjë ndryshon. Ndryshon rruga ku ecën, ndryshojnë tabelat dhe sinjalistika rrugore, ndryshojnë ushqimet që konsumon dhe ritmi i jetës është diçka tjerër. Ne mund të jemi mësuar me Tiranën, e cila na duket e madhe, por Çikago mund të ketë një popullsi prej rreth 9 milionë banorë dhe distancat nuk janë aq të afërta.
CMG: Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria tani që je larguar?
Aleks Abedini: Më mungon familja ime. Malli rritet më shumë, sepse distanca është shumë më e madhe se të jesh në Europë. Gjithashtu më mungon edhe shoqëria, sepse kur isha në Shqipëri dilnim më shpesh, ndërsa këtu duhet të lësh takim për t’u takuar në një lokal.
CMG: Përtej shkollimit në SHBA dhe eksperiencat e punës atje të kanë ndihmuar për një hap të rëndëshishëm, për të krijuar një sipërmarrje duke e menaxhuar nga një distancë e largët, një grup apratamentesh në Tiranë të cilat i ofron me qira për udhëtarët e huaj. Si erdhi kjo ide për këtë sipërmarrje në Shqipëri?
Aleks Abedini: Si fillim, ideja lindi si nevojë për t’u marrë përsëri me diçka në fushën e turizmit. Pavarësisht se këtu bëhet fjalë për akomodim, por që futet te pjesa e turizmit, sepse lind nevoja për një informacion të tillë për udhëtarët se ku mund të shkojnë, jo vetëm në Tiranë por dhe për Shqipërinë. Mund t’i përgatisim dhe një tur të shkurtër nëse udhatarët janë të interesuar. Doja të krijoja diçka që të kishte lidhje me pasion tim për turizmin dhe falë teknologjisë tani është e mundshme që ti të arrish të menaxhosh një biznes nga distanca. Këtu nuk flasim vetëm për distancë në hapësirë, por flasim dhe për distancë kohore mes dy vendeve. Por, teknologjia të mundëson gjithçka. Kjo ishte thjesht një ide që më lindi dhe kisha personat e duhur në Tiranë të cilët më ndihmojnë për ta zhvilluar këtë biznes, ku arrijmë ta menaxhojmë në mënyrë të rrjedhshme. Ky biznes vazhdon dhe me sa shohim është gjithmonë në rritje.
CMG: Këtë vit ka qenë një sezon i suksesshëm turistik dhe besoj se është një avantazh për biznesin tuaj në vazhdim, apo jo?
Aleks Abedini: Asnjëri nuk e priste që pas pandemisë dhe atij viti që e zeroi komplet turizmin të kishim këtë bum pas dy-tre viteve. Presim akoma më shumë. Unë jam njëri prej të rinjve që kam investuar në këtë fushë, por janë dhe shumë të rinj të tjerë të talentuar nga Shqipëria që investojnë në turizëm dhe mendoj se Shqipëria në një të ardhme shumë të afërt mund të krahasohet edhe me Kroacinë.
CMG: Këtë sipërmarrje e keni menduar vetëm për Tiranën, apo dhe për qytete të tjera turistike të Shqipërisë?
Aleks Abedini: Kemi vendosur që secili prej apartamenteve të ketë nga një emër luleje, siç shkon bleta në lule të ndryshme. Këto apartamente i kemi të grupuara në unazën e vogël të Tiranës, pra janë shumë pranë qendrës. 10-15 minuta mund të jetë distanca më e largët me qendrën nga akomodimet që ofrojmë ne. Ka pasur shumë kërkesa, ku normalisht në fillim mund ta kemi nisur pak me ndrojtje, por e kemi parë që rezultatet janë shumë pozitive. Kjo gjë na ka shtyrë që ta vazhdojmë dhe të mendojmë më gjerë dhe më shumë për këtë lloj biznesi.
CMG: Je i kënaqur me këtë iniciativë të ndërmarrë për të investuar në Shqipëri.
Aleks Abedini: Unë jam i lumtur që merrem me këtë gjë, sepse përtej dinamikës së jetës në SHBA më mban lidhur me Shqipërinë dhe aktualitetin aty. Unë ndjek dhe ngjarjet e ndryshme siç ishin ndeshjet e kombëtares së Shqipërisë apo evente të tjera. Kjo lidhet në mënyrë direkte edhe me këtë biznesin që po merrem dhe falë teknologjisë tani është e mundur të bësh çdo gjë kudo që të jesh, për të menaxhuar një biznes në Shqipëri dhe të sjellësh të ardhura për vendin tënd.
CMG: Keni ardhur gjatë këtyre viteve në Shqipëri?
Aleks Abedini: Ende jo, por planifikoj të vij së shpejti.
Intervistoi: Gazmend Agaj