“Qyteti i një mbi një dritareve” falë vlerave historike, kulturore dhe turistike, është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, që prej vitit 2008. Janë këto vlera të cilat e bëjnë Beratin një destinacion unik dhe shumë të preferuar nga turistët. Ndër gjithë pasuritë që ky qytet zotëron, një ndalesë tepër interesante janë atraksionet që prezantojnë histori, art dhe traditë. Ato vazhdojnë të zgjojnë interesin e vizitorëve me vlerat e koleksioneve të tyre.
Ura e Gorices - foto Instituti i Trashegimise Popullore
Ura e Goricës
Një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII në qendër të Beratit, Ura e Goricës lidh qytetin me lagjen me të njëjtit emër. Ajo shquhet për harqet e saj plot elegancë dhe këmbët që zbresin deri në 10 metra thellësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri e dritare të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë, një pamje e cila reflekton vërshime të skajshme, tërbime dhe kohë të ashpra mbi të.
Unike në stilin e vet, më një gjatësi 130 metra e gjerësi mbi 5 metra, edhe kjo urë ndiqet nga lajtmotivi i urave të vjetra, e legjendave të cilat tregojnë se aty është murosur një vajzë e re për të siguruar themelet e urës. Udhëtarët e çdo kohe, të cilët kanë kaluar nga Berati, janë befasuar nga kjo vepër inxhinierike dhe e kanë dokumentuar atë në gravura, foto e mjaft vizatime. Në fakt, të dhënat e para mbi Urën e Goricës i ka dhënë kronisti i famshëm osman, Evlija Çelebi, në ditarin e tij të udhëtimeve. Të njëjtën gjë bëjnë edhe turistët sot.
Në vitin 1780, ishte pashai Ahmet Kurti i Beratit ai që financoi ndërtimin e Urës së Goricës, e cila ishte fillimisht e drunjtë dhe lidhte Mangalemin me Goricën që filloi të popullohej nga njerëzit. Për fat të keq, më 1918-n, në mbarim të Luftës së Parë Botërore, një shpërthim dinamiti shkatërroi një pjesë të saj. Por, fatmirësisht, në këtë rast ajo u rindërtua vetëm pas pak kohe në gur, duke marrë formën dhe bukurinë që zotëron sot.
Qendra Mesjetare e Beratit
Një nga atraksionet kryesore të periudhës osmane në Berat, ky kompleks i madh përfshin një xhami të bukur, teqe të zbukuruar dhe ballkone të gdhendura në dru. Një dëshmi e këtij karakteri është qendra mesjetare e Beratit, e cila përbëhet nga Xhamia Mbret, Teqeja e Helvetive, konakët si edhe nga disa varre monumentale.
Kjo qendër është ndërtuar pas pushtimit osman dhe quhej nga vendasit si “Sheria e Beratit” që do të thotë qendër. Fatkeqësisht, pasojat e Luftës së Parë Botërore kanë qenë shkatrrimtare për bibliotekën e këtij territori dhe një shkollë ku studionin të rinjtë e qytetit të cilat sot nuk ekzistojnë më.
Xhamia Mbret është një nga më të vjetrat në Berat dhe ndodhet në këtë kompleks, ndërtuar nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1480. Xhamia përbëhet nga minareja, salla e lutjeve dhe nga portiku. Faqet murale anësore kanë dritare të bollshme që sigurojnë ndriçim në pjesën e brendshme të objektit të kultit. Arkitektura e saj shquhet për kolonat, harqet dhe dekoracionet shumëngjyrëshe dhe gdhendjet me dru.
Teqeja e Helvetive është një tjetër monument i këtij kompleksi. Teqeja është ndërtuar në shekullin XV. Objekti i përket sektit me të njëjtin emër dhe ndodhet në pjesën lindore të Xhamisë Mbret. Teqeja është e rrethuar nga oborri, i pasuruar me shumë konakë (siç i quajnë vendasit), ose ballkone. Tavani është pjesa më e bukur e ndërtesës, dekoruar me shumë finesë në harmoni mes ngjyrave jeshile, të florinjtë, violë, të kuqe dhe blu. Pranë sallës së lutjeve ndodhet mauzola e varreve të Ahmet Kurt Pashës dhe djalit të tij. Ballkonet janë ndërtuar gjithashtu prej druri dhe mbahen nga kolonat. Nën godinë ndodhet një kanal i cili mbledh ujërat e mbetura dhe i derdh në lumin Osum.
Kisha e Shën Triadhës
Ndërtimi i kishës daton rreth fundit të shekullit XIII. Një mbishkrim i gdhendur në një nga portat e kishës tregon kohën më të afërt të ndërtimit të saj. Ajo është një nga modelet më interesante në strukturën e ndërtimit ku gërshetohen tjegulla të modelit bizantin me rradhë të forta guri, si mbajtëse të pjesës së poshtme të ndërtesës. Kjo teknikë duket se ka qenë vendimtare për të mbrojtur objektin nga dëmtimet e forta të shekujve.
Afresket murale në faqet e brendshme janë të dëmtuara për shkak të vjetërsisë. Megjithatë gjurmët e temave biblike që tregojnë dishepujt e Krishtit, elementë të “Darkës së Fundit” apo ditët dhe ritualet që i paraprijnë pashkës duken ende mbi muret e kishës. Vitet e fundit po bëhen përpjekje për të rikuperuar pjesët më të dukshme të afreskeve të brendshëm, të cilët janë realizuar nga piktorë anonimë.
Muzeu Etnografik
Muzeu Etnografik
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati përdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemerë në harkada guri.
Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme, si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj., të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake.
Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.
Muzeu Ikonografik
Brenda Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri ju keni mundësi të njiheni me rrënjët e hershme të kulturës fetare dhe të artit shqiptar. I vendosur brenda katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”, ky muze mban emrin e Onufrit, në nder të piktorit të mirënjohur shqiptar të shekullit të 16-të. Muzeu përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga fondi i kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe qytetit të Beratit. Ky muze është një trashëgimi e vyer e krijimtarisë ikonografike, ku do të gjeni vepra me vlerë të periudhës bizantine, si dhe ikona të tjera të rëndësishme që i përkasin ikonografëve shqiptarë të shekullit XVI deri në shekullin XX.
Muzeu Kombëtar Onufri është ngirur në vitin 1986, ndërkohë që katedralja është rindërtuar në vitin 1797 dhe paraqet monumentin më përfaqësues të arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Nëse doni të mësoni më shumë për historinë, arkitekturën dhe artin e Beratit, mund të vizitoni këto muzeume dhe qendra mesjetare, ku do të mbeteni të impresionuar nga pasuria dhe bukuria e tyre.
Përgatiti: Neritana Kraja