Në parkun “Zheng He” në Taicang, një qytet në nivel qarku në provincën Jiangsu, një kopje e anijes së madhe të lundruesit dhe eksploruesit të famshëm kinez Zheng He është ankoruar pranë bregut të një liqeni.
Duke u nisur nga Taicang, Zheng udhëhoqi një flotë anijesh në shtatë udhëtime gjatë dinastisë Ming (1368-1644). Udhëtimet e çuan flotën në destinacione në Azinë Juglindore dhe Azinë Jugore, deri në Afrikë, dhe marinarët vizituan më shumë se 30 vende dhe rajone.
foto/VCG
Udhëtimet e Zheng e çuan përpara Rrugën e lashtë Detare të Mëndafshit. Flota çoi në destinacionet e saj mëndafsh kinez, porcelan dhe çaj, dhe ndau njohuritë e bujqësisë, prodhimit të tekstilit dhe teknikave të peshkimit me banorët vendas, duke krijuar marrëdhënie miqësore kudo që shkonte. Në këmbim, flota e Zheng solli thesare të tilla si bizhuteritë, erëzat, barërat medicinale dhe kafshët ekzotike.
Supachai Wuthichuwong, redaktor në “Manager Media Group” në Tajlandë, deklaroi se flota e Zheng He vizitoi Tajlandën, ku tempujt tani përkujtojnë udhëtimet e tij, duke nxitur një lidhje të thellë midis Kinës dhe Tajlandës.
Më 27 tetor, gjatë udhëtimit në Jiangsu, si pjesë e “2023 Hi Jiangsu Media Trip”, redaktori tajlandez dhe gazetarë të tjerë vizituan Sallën Përkujtimore Zheng He në Taicang, duke u thelluar në tiparet kulturore të qytetit të paqes, bashkëpunimit dhe hapjes.
Udhëtimi mediatik, i bashkorganizuar nga Zyra e Informacionit dhe Zyra e Punëve të Jashtme të qeverisë provinciale të Jiangsu dhe “China Daily”, mblodhi së bashku gazetarë nga vende si Kazakistani, Uzbekistani, Taxhikistani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tajlanda dhe Vietnami, vende të cila janë të përfshira në nismën “Një brez, një rrugë”.
Gazetarët vizituan qytetet Nanjing, Yangzhou, Lianyungang dhe Taicang nga 22 deri më 28 tetor, për të mësuar rreth integrimit të thellë të Jiangsu në zhvillimin e “Një brez, një rrugë” gjatë dekadës së fundit.
Pham Thu Thuy, redaktor i “Voice of Vietnam”, radiostacioni kombëtar vietnamez, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, vlerësoi angazhimin historik të Kinës për të rritur shkëmbimet ekonomike dhe kulturore me botën, një angazhim që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Shtatë udhëtimet e Zheng He janë një trashëgimi e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore të Kinës së lashtë me vendet në mbarë botën, duke kontribuar në lulëzimin e Rrugës së lashtë Detare të Mëndafshit.
Kjo filozofi e zhvillimit paqësor dhe përfitimit të ndërsjellë vazhdon, nga Rruga e lashtë Detare e Mëndafshit deri në nismën e sotme “Një brez, një rrugë”.
Jiangsu ndodhet në kryqëzimin e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të shekullit të 21-të, të cilat së bashku formojnë nismën “Një brez, një rrugë”.
Gjatë dekadës së fundit, Jiangsu ka shfrytëzuar në mënyrë aktive avantazhet e saj gjeografike dhe ka luajtur një rol jetik në “Një brez, një rrugë”.
Mohamed Beiji, zëvendëskryeredaktor dhe gazetar në “China-Arab TV”, tha se Jiangsu ka dhënë kontribut të rëndësishëm në “Një brez, një rrugë”, falë rrjeteve të tij të zhvilluara mirë të transportit hekurudhor dhe detar.
foto/VCG
Udhëtimi mediatik përfshinte ndalesa në “Nanjing International Rail Freight Express”, bazën e bashkëpunimit logjistik Kinë-Kazakistan në Lianyungang dhe Portin Taicang. Vizitat ofruan njohuri parësore në përpjekjet e Jiangsu për të promovuar lidhjen dhe tregtinë midis vendeve pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë”.
Sipas të dhënave nga Dogana Nanjing, trenat e mallrave Kinë-Evropë nga Jiangsu kanë arritur në gati 80 qytete në Evropë dhe Azi. Nga janari deri në shtator të këtij viti, linja e mallrave Kinë-Evropë e Jiangsu operoi gjithsej 1667 udhëtime me vlerë totale të ngarkesave prej 23.84 miliardë juanë (3.26 miliardë dollarë). Kjo përfaqëson një rritje vjtore prej 13.4 për qind në numrin e trenave dhe një rritje prej 13.5 për qind në vlerën e ngarkesave.
Zhvillimi i portit shihet si thelbësor për promovimin e ndërlidhjes tokë-det dhe sigurimin e suksesit të tregtisë së brendshme dhe ndërkombëtare nën “Një brez, një rrugë”.
Për shembull, Porti Taicang është bërë një nga portet më të ngarkuara përgjatë lumit Yangtze, duke përfshirë 219 rrugë dhe duke ofruar mbulim gjithëpërfshirës të rajoneve të brendshme bregdetare dhe akses ndërkombëtar.
Gjatë dekadës së fundit, importet dhe eksportet e Jiangsu me vendet e përfshira në “Një brez, një rrugë” janë rritur nga 1.16 trilionë juanë në vitin 2013 në 2.23 trilionë juanë në 2022-shin, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 6.5 për qind, treguan të dhënat nga Dogana e Nanjing.
Abdul Wajid Khan, studiues dhe gazetar në “Independent News Pakistan”, i cili mori pjesë në udhëtimin mediatik, tha se Jiangsu synon të rrisë më tej marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me vendet e përfshira në “Një brez, një rrugë”. Sipas tij, vendi synon t'i ndihmojë ata të modernizojnë sektorët industrialë me ndihmën e kapacitetit të saj industrial të teknologjisë së lartë.
foto/VCG
“Jiangsu nuk kursen asnjë përpjekje në promovimin e shkëmbimeve kulturore midis vendeve pjesëmarrëse në “Një brez, një rrugë”. Kultura e Jiangsu është diçka për të cilën duhet të krenohemi dhe Jiangsu duhet të fokusohet në rritjen e shtrirjes së saj kulturore në botë”,- tha Pham Thu Thuy, redaktori i “Voice of Vietnam”.
Gjatë udhëtimit mediatik, gazetarët e huaj vizituan vende të tilla si Muzeu i Murit të Qytetit Nanjing, Teatri i Operas Yangzhou dhe Rruga e Vjetër Lianyungang, duke i lejuar ata të përjetonin personalisht kulturën e pasur historike dhe bashkëkohore të Jiangsu.
Mohamed Beiji, gazetar i “China-Arab TV”, tha se udhëtimi ishte një manifestim i përpjekjeve të Jiangsu për të promovuar shkëmbimet kulturore.
Ndonëse kopja e anijes së Zheng He mund mos të lundrojë kurrë, trashëgimia e eksploruesit kinez vazhdon me portet e Taicang dhe Lianyungang, të cilat mbeten plot gjallëri, pasi lehtësojnë transportin e mallrave dhe përhapin parimet e bashkëpunimit paqësor dhe përfitimit të ndërsjellë në brigjet e largëta.