Turshia kineze shton shpresat për eksport me Meksikën
2023-11-06 10:18:10

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qarku Fengdu në komunën Chongqing të Kinës jugperëndimore është i famshëm për eksportin e zhacai, një lloj turshie kineze e bërë nga kërcelli i bimës së mustardë. Një meze tradicionale me një histori shekullore që është kthyer në një delikatesë në tavolinat jashtë Kinës.

 

Në punëtoritë e prodhimit të “Chongqing Fengdu Sanhe Industrial Co”, mund të nuhatet që larg aroma e zhacai. Tonelatat e kërcellit të mustardës kalojnë nëpër shumë procese për t'u bërë zhacai që eksportohet në Japoni, Korenë e Jugut, Malajzi dhe vende të tjera.

 

“Ne filluam të eksportojmë zhacai në 2001. Vitin e kaluar, vëllimi i eksportit ishte rreth 10.000 tonë dhe vlera e prodhimit ishte rreth 100 milionë juanë (13.7 milionë dollarë)”,- deklaroi Huang Han, drejtor i kompanisë.

 

Në gusht të këtij viti, përfaqësuesit e kompanisë vizituan Meksikën dhe Brazilin, si pjesë e një delegacioni që kërkon mundësi tregtare si dhe shkëmbime kulturore.

 

“Kjo na dha besim dhe pritshmëri për të hyrë në tregun meksikan. Ushqimi meksikan ka shije të thartë, të ëmbël dhe pikante. Besoj se takot me zhacai do të jenë një shpërfthim shijesh”,- tha Huang.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ekipi i kërkimit dhe zhvillimit të kompanisë shijoi një shumëllojshmëri ushqimesh meksikane, kërkoi këshilla nga njerëzit dhe e rregulloi formulën e zhacai sipas shijeve lokale.

 

Sipas Huang, tetë lloje zhacai janë zhvilluar për tregun meksikan dhe kompania planifikon të shkojë me mostra në dhjetor në Meksikë.

 

Në vitin 2022, vëllimi tregtar midis Chongqing dhe Meksikës arriti në 13.64 miliardë juanë, 6.2 për qind më shumë në bazë vjetore, dhe Meksika është bërë partneri më i madh tregtar i Chongqing në Amerikën Latine, sipas autoriteteve lokale të Chongqing.

 

Xiao Chaoming, menaxher i përgjithshëm i “Chongqing Fengdu Mingfu Industrial Co”, ka prodhuar dhe shitur qepë turshi për më shumë se 30 vjet. Xiao thotë se kompania filloi të shesë në vitin 2006 produktet e saj në Japoni, Korenë e Jugut, Azinë Juglindore dhe vende të tjera. Tani vëllimi vjetor i eksportit ka arritur në 1800 tonë dhe pritet të arrijë në 4000 tonë vitin e ardhshëm.

 

Në gusht, “Sanhe” dhe “Mingfu” arritën një marrëveshje me vlerë 2 milionë dollarë me Shoqatën Kineze të Gadishullit Jukatan në Meksikë. Porosia e parë e zhacait dhe qepëve turshi për Meksikën shënoi një hyrje të mirë për dy ndërmarrjet kineze në tregun e Amerikës Latine.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kohët e fundit, një delegacion qeveritar nga komuna Chongqing  vizitoi Meksikën, Kolumbinë dhe Brazilin për të thelluar bashkëpunimin për shkëmbim ekonomik, tregtar dhe kulturor midis Chongqing dhe Amerikës Latine.

 

Gjatë vizitës, tre panaire investimesh dhe tregtare tërhoqën më shumë se 600 sipërmarrje kineze dhe të huaja, duke çuar në nënshkrimin e 21 projekteve.

 

Në Konferencën e Promovimit të Investimeve dhe Bashkëpunimit Tregtar Kinë-Meksikë të mbajtur në tetor, Fadlala Akabani, sekretari i Zhvillimit Ekonomik të Qytetit të Meksikos, tha se shpresonte që ndërmarrjet meksikane të mund të përfshiheshin në zinxhirin e furnizimit të ndërmarrjeve kineze dhe se punëtorët meksikanë do të integroheshin në zinxhirin e vlerës së prodhimit dhe marketingut të ndërmarrjeve kineze.

 

“Mendoj se mes Meksika dhe Kina kanë një të ardhme të begatë dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku”,- deklaroi Akabani.