Rigersa Loka: Në të ardhmen synoj Festivalin e Këngës në RTSH
2023-11-05 10:13:38

Rigersa Loka është artiste e re e talentuar. Ajo aktualisht studion për kanto, por pasioni dhe angazhimi muzikor i saj ka nisur që në moshë të vogël. Ka marrë pjesë vazhdimisht në festivale dhe evente muzikore në qytetin e saj të lindjes, si, “Ndërmendje 2021”, “Bilbilat e vegjël”. Po ashtu ka fituar çmimin e parë në “Akullore Fest”. Rigersa vijon të jetë e përfshirë në jetën artistike me publikime “cover”-ash të ndryshëm dhe koncerte. Vitin që shkoi ajo mori pjesë në festivalin “Kënga Magjike”, me këngën “A më kërkon”. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ajo rrëfen mbi pasionin për muzikën dhe aspiratat për të ardhmen.

Rigersa Loka kenga Magjike 2022 (Foto nga Instagrami)

Rigersa Loka kenga Magjike 2022 (Foto nga Instagrami)

CMG: Ti studion për kanto, por nuk e lë pas dore muzikën dhe kompeticionet e ndryshme muzikore. A mund të na tregosh pak më tepër për to?

Rigersa Loka: Po është e vërtetë, unë studioj për kanto klasike dhe jam në vitin e fundit të gjimnazit. Por, angazhohem edhe me aktivitete, kompeticione të ndryshme si në Shkodër, ku jam pjesë e këngëtarëve të qytetit, por edhe jashtë qytetit.

Rigersa Loka ( Foto nga Instagrami)

Rigersa Loka ( Foto nga Instagrami) 

CMG: Vitin që shkoi t'i more pjesë te “Kënga Magjike”. Si e përjetove këtë eksperiencë të parë tënden në këtë festival?

Rigersa Loka: Edhe pse e kalova fazën e të rinjve te “Kënga Magjike”, mendoj se nuk kam dhënë më të mirën time. Sa më shumë që të dalësh në skenë, aq shumë të njeh edhe publiku. Kjo është gjë e mirë, sepse gjithmonë fiton nga eksperiencat e skenës. Nuk jam penduar për këtë gjë, por do të kisha dashur të bëja edhe më mirë.

CMG: Si erdhi bashkëpunimi me autorët e kësaj kënge?

Rigersa Loka: Ishte një bashkëpunim krejt i momentit. Zgjodha kompozitor dhe tekstshkrues që unë i njoh dhe kështu vendosa që të realizoj këngën “A më kërkon”.

Rigersa Loka  (Foto nga Instagrami)

Rigersa Loka  (Foto nga Instagrami)

CMG: Kjo është një baladë. Do të të shohim edhe në vazhdim me këngë të këtij zhanri muzikor?

Rigersa Loka: Jam më komode me baladat, pavarësisht se përpiqem t’i këndoj të gjitha llojet e këndëve, por jam më e orientuar drejt tyre. U paraqita te “Kënga Magjike” me një këngë të tillë, pasi mendoj se më nxjerr në pah për mirë vlerat e mia vokale.

Rigersa Loka (Foto nga  Instagrami

Rigersa Loka (Foto nga  Instagrami

CMG: Ti ke realizuar dhe disa cover-a të këngëve të njohura të artistëve shqiptarë, të cilat janë po ashtu balada. Mos është ky zhanri yt i preferuar?

Rigersa Loka: Është e vërtetë. Duke qenë se në përditshmëri dëgjoj balada, e gjej më shumë veten aty. Ndihem më rehat në këtë zhanër muzikor. 

CMG: Po artisti yt i preferuar shqiptar apo i huaj, cili është?

Rigersa Loka: Artistja ime e preferuar e huaj është Adele. Dihet që vokali i saj është i mrekullueshëm dhe unë e dëgjoj shumë. Ndërsa, sa i përket artistëve shqiptarë, ne kemi shumë artistë të mirë që i dëgjoj në përditshmëri, por nuk mund të veçoj ndonjë.

Rigersa Loka (Foto nga Instagrami) (2)

Rigersa Loka (Foto nga Instagrami) (2)

CMG: Ti e ke nisur muzikën që në moshë të vogël dhe ke pasur prezantime në shumë festivale ku je vlerësuar edhe me çmime. Çfarë kujton nga këto pjesëmarrje?

Rigersa Loka: Që në klasë të parë kam studiuar në shkollë muzike, sepse prindërit e mi dhe edukatorja ime kanë thënë se jam e lindur për të qenë muzikante. Studiova në shkollën e muzikës 9 vjet për violinë, ndërsa tani jam maturante për kanto. Për herë të parë në skenë kam dalë në moshën 6-vjeçare, ku u vlerësova me çmim të parë. Kjo besoj se më ka dhënë shtysën që të vazhdoja më tej për të kënduar dhe kështu veprova.

CMG: Cili është synimi yt për të arritur në jetë?

Rigersa Loka: Synimet dhe pritshmëritë për veten janë lart e më lart.

CMG: Si e sheh veten në të ardhmen në aspektin artistik?

Rigersa Loka: Të gjithë kemi dëshirë për të arritur sa më mirë, por që me punë besoj se do të arrij aty ku kam dëshirë.

Rigersa Loka (Foto nga Instagrami)

Rigersa Loka (Foto nga Instagrami)

CMG: Do të të shohim ndonjëherë në Festivalin e Këngës në RTSH?

Rigersa Loka: Për Festivalin e Këngës nuk mund të jap një përgjigje tani, por besoj se do të më shihni në vitet e ardhshme.

CMG: Të falënderoj për intervistën dhe të uroj shumë suksese në vazhdim!

Rigersa Loka: Faleminderit edhe ju!

Intervistoi: Sava Lena