Kina zotohet për hapje më të madhe dhe akses më të lehtë në treg
2023-11-05 16:10:00

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Kina do të vazhdojë të promovojë hapje më të madhe të mundësive të tregut dhe të zbatojë politika për të hequr të gjitha kufizimet për investimet e huaja në sektorin e prodhimit të vendit, tha kryeministri i Kinës Li Qiang gjatë fjalimit të tij kryesor në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës së 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) dhe Forumi Ekonomik Ndërkombëtar Hongqiao.

Duke iu drejtuar kësaj ngjarjeje të dielën në Shangai, kryeministri Li Qiang tha se Kina, me një popullsi prej mbi 1.4 miliardë banorësh dhe një grup me të ardhura mesatare prej mbi 400 milionë personash, paraqet një potencial të madh për sa i përket kërkesës së tregut, ndërsa vendi ka qenë gjithmonë i gatshëm të ndajë mundësitë e këtij tregu.

foto nga Xinhua

“Kina do të zgjerojë në mënyrë aktive importet, do të promovojë zhvillimin e koordinuar të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, do të zbatojë masa të veçanta administrative për tregtinë e shërbimeve ndërkufitare, do të mbështesë inovacionin në formatet dhe modelet e tregtisë së jashtme dhe do të nxisë tregtinë dixhitale.” - tha Li.

Importet e mallrave dhe shërbimeve të Kinës pritet të arrijnë në 17 trilion dollarë në terma kumulativë në pesë vitet e ardhshme, shtoi ai. Gjithashtu Kina së shpejti do të publikojë një plan të përgjithshëm për të promovuar hapjen institucionale me standarde të larta në zonën e tregtisë së lirë të Shangait dhe për të krijuar një zonë pilot për bashkëpunimin e tregtisë elektronike të Rrugës së Mëndafshit në këtë metropol. “Kina shpreson sinqerisht të punojë e të ecë përpara së bashku me vendet e tjera në botë për një sukses të ndërsjellë.” - shtoi kryeministri.  

foto/VCG

foto/VCG

Të shtunën kryeministri i Kinës Li Qiang u takua me kryeministrin e Kubës Manuel Marrero Cruz, të Kazakistanit Alikhan Smailov dhe të Serbisë Ana Brnabic, të cilët po marrin pjesë në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës në Shangai.  (Fang Xiaoyu/Laçi)