Flogert Shatraj, violinisti që shkëlqen në çdo koncert
2023-11-04 10:53:55

Flogert Shatraj është violinist i njohur, prej vitesh pjesë e  Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Me pasionin për violinën që në fëmijëri, ai u rrit profesionalisht gjatë viteve të karrierës si instrumentist.  Flogerti ka udhëtuar bashkë me violinën në shumë vende të botës,  duke marrë pjesë në aktivitete muzikore  ndërkombëtare. Flogerti është shumë i dashur për publikun e gjerë, sepse ai i ka bërë të gjithë për vete me performancat e tij të shkēlqyera. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës violinisti Shatraj tregon për pasionin që ka për violinën si dhe rrugëtimin e tij artistik brenda dhe jashtë vendit.

Flogert Shatraj (Foto personale)

Flogert Shatraj (Foto personale)

 CMG: Si lindi pasioni për violinën dhe ky rrugëtim i bukur me muzikën?

Flogert Shatraj: Ky rrugëtim i bukur me muzikën nisi krejt spontanisht, sepse ne në familje kemi dajën e vogël i cili ka qenë violinist. Ai ka studiuar për violinë në një klasë me super violinistin shqiptar Tedi Papavrami. Mami duke pasur shumë dëshirë që t’ja kalonte dikujt violinën, meqë daja ndërroi degë e nisa unë me shumë kënaqësi dhe lodhje, sepse violina është aq e bukur por dhe shumë e lodhshme për ta mësuar. Është ndryshe të mësosh pianon, një instrument që i ka notat aty dhe nëse ti e godet në atë notë ajo notë do të dalë, kurse violina lëviz me milimetra dhe është një instrument shumë i vështirë. 

CMG: Violina është më e vështirë për t’u mësuar nga instrumentat e tjerë?

Flogert Shatraj: Mendoj se çdo instrument ka vështirësinë e vet, por violina është pak më e vështirë.

CMG: Rrugëtimin tuaj me këtë instrument e keni nisur që në shkollën fillore në Liceun artistik?

Flogert Shatraj: Unë kam marrë pjesë në konkursin e Liceut dhe kjo është gjëja më e bukur që mami më tregon nga fëmijëria. Kam qenë duke luajtur me makina dhe rërë në lagjen e Kombinatit kur vjen mami dhe më thotë se po bëhej audicioni në Lice. Unë në atë kohë isha në balet me grupin “Spekter” të Llaqi Nakos, por nuk kisha ndonjë prirje të madhe për balet. Nuk më pëlqente fare baleti dhe sa herë që shkoja për provat e baletit shihja një piano përpara sallës së madhe dhe filloja të luaja. Në një moment vjen mësuese Eda, e cila më pas i tha mamit që unë patjetër duhet të vazhdoja për muzikë.  Ajo na lajmëroi për konkursin në Lice, ku unë mora pjesë. Gjatë rrugës për në konkurs bëra dhe fotografitë që mezi po thaheshin, sepse duhet të bëheshin sa më shpejt. Kishte shumë gjëra për të përgatitur dhe ishte shumë e lodhshme,  madje dhe vjershën e kam mësuar rrugës, duke ngjitur shkallët e Liceut. Ka qenë profesor Luani, i cili më pa të tensionuar dhe i thashë që mos të prisja derisa të dalin rezultatet, por të më tregonte nëse e kisha fituar konkursin apo jo. Ai më dha lajmin e mirë që e kisha fituar konkursin. 

Flogert Shatraj me kengetaren e mirenjohur Merita Halili (Foto personale)

Flogert Shatraj me kengetaren e mirenjohur Merita Halili (Foto personale)

CMG: Pas Liceut  ndoqët studimet në Universitetin e Arteve në Bachelor dhe Master sërish për violinë?

Flogert Shatraj: Të gjitha studimet e mia kanë qenë vetëm për instrumentin e violinës.

CMG: Sa i pasionuar keni qenë pas këtij instrumenti në këto vite të karrierës?

Flogert Shatraj: Kam qenë shumë i pasionuar, sepse në një vend ku jam rritur unë në Kombinat të gjithë moshatarët e mia luanin me top dhe nuk kisha ndonjë shok të afërt që të ishte instrumentist. Kështu që e kisha shumë të vështirë kur studioja dhe shikoja gjithë kohës që të gjithë luanin me top, ndërsa unë duhet të studioja violinë. Kur i thoja mamit që të dilja të luaja me shokët, ajo më thonte se duhet të studioja. 

Flogert Shatraj me orkestren Virtuozet e Vegjel (Foto personale)

Flogert Shatraj me orkestren Virtuozet e Vegjel (Foto personale)

CMG: Mamaja juaj ju ka ndjekur hap pas hapi në gjithë karrierën tuaj artistike, që në moshë të vogël dhe vazhdon t’ju ndjekë dhe tani në çdo koncert. 

Flogert Shatraj: Ajo ka qenë dhe është vazhdimisht prezent me mua në çdo koncert.

CMG: Një mbështetje të madhe keni pasur nga virtuozi i violinës, artisti i madh Ibrahim Madhi, që nuk ka qenë vetëm pedagog, por dhe një këshillues i mirë për rrugën tuaj artistike. Çfarë kujtoni nga puna dhe miqësia me këtë artist të madh?

Flogert Shatraj: Gjithmonë thonë se pedagogu ose mësuesi është prind i dytë, por ai ka qenë më shumë sesa një prind i dytë për mua, sepse më ka mbështetur në çdo moment, jo vetëm duke mësuar violinën, por fillimisht dhe disiplinën. Më kujtohet që në fillim ishim tre veta të regjistruar për violinë, unë, Rozi dhe Drini  dhe duhet të ndanim oraret dhe më thotë që unë të vija në orën tetë, Drini në orën nëntë dhe Rozi në orën 10. Unë i thashë se nuk zgjohem dot në orën 8 sepse është herët dhe kështu që më la orarin në orën 10. Kishte raste që kur nuk vinin dy studentët e tjerë në orar, më merrte mua herët duke më pyetur se çfarë po bëja. Unë gjithmonë i thoja se po bëja vrap dhe ai më thoshte të kaloja tek lokali për kafe. Kështu që arrita sa të më disiplinonte në atë mënyrë, saqë unë zgjohesha me qejf sepse do shkoja të takoja profesorin. 

CMG: Mendoni se e keni bërë krenar me arritjet tuaja?

Flogert Shatraj: Shpresoj shumë ta kem bërë krenar dhe ai do të kujtohet gjithmonë. 

CMG: Pse zgjodhët të jeni instrumentist i orkestrës së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe jo i ndonjë orkestre sinfonike?

Flogert Shatraj: Muzikën klasike ne e kemi mbaruar në shkollë dhe unë kërkoja diçka të re. Kjo gjë është si puna e futbollistëve, që janë shumë mirë në një ekip apo një shtet dhe dëshirojnë të shkojnë në një shtet tjetër, për të kuptuar se çfarë ndodh edhe atje. Unë e kisha me shumë dëshirë që pjesa që unë përfaqësoj është vendi im dhe me muzikën popullore ne përfaqësojmë kombin tonë. Unë kam shkuar që në moshë fare të vogël në Turqi me ansambël popullor, duke vazhduar edhe në vende të tjera më të largëta si Ishujt Kanarie dhe Spanjë. Gjithashtu me ansamblin popullor kemi shkuar në SHBA për koncerte për bashkëatdhetarët tanë atje.

Flogert Shatraj me violinistin e mirenjohur Ibrahim Madhi (Foto personale)

Flogert Shatraj me violinistin e mirenjohur Ibrahim Madhi (Foto personale)

CMG: Gjatë kohës së studimeve keni qenë i angazhuar me aktivitete të ndryshme muzikore jashtë vendit si pjesë e orkestrave simfonike. Si ka qenë për ju kjo eksperiencë?

Flogert Shatraj: Që kur ishim të vegjël në Lice bënim jo audicione të mirëfillta, por mes njëri-tjetrit shihnim se kush të ishte më përpara për të shkuar në Gjermani. Në atë periudhë Liceu artistik u binjakëzua me shkollën artistike të Bohumit. Drejtor i Liceut ishte Bujar Alliu dhe kishim rrugë të shpeshta në Gjermani. Studionim shumë sepse nëse nuk e bënim dot programin nuk na merrnin me vete. Kënaqësia jonë më e madhe ishte që të ishim gjithë bashkë në autobus dhe të ndalonim nëpër autogrillat e fmashme, për të parë se çfarë shiteshin aty.Gjithashtu mezi prisnim të jepnim koncerte nëpër sallat super të bukura që kishte Gjermania, Belgjika dhe mjaft vende të tjera. 

CMG: Nga të gjitha udhëtimet tuaja në këto vende cilin do të veçoni si më të bukurin?

Flogert Shatraj: Udhëtimi më i bukur ka qenë në Grand Kanaria dhe Lanzarote, ku ka qenë shoqëria më e mirë dhe festivali më i mirë. Ajo është rruga më e bukur që unë kam bërë dhe do të kisha dëshirë të rikthehesha atje.

CMG: Prej disa vitesh punoni si instrumentist pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Si je ndjerë mes artistëve të tjerë që ka ky ansambël?

Flogert Shatraj: Që ditën e parë që kam filluar dhe deri sot që po flasim ansambli ka një grup të mrekullueshëm, jo vetëm orchestra, por valltarët dhe kori. Ne jemi kompakt me njëri-tjetrin, shkojmë shumë mirë dhe dalim me njëri-tjetrin. Ne nuk takohemi vetëm për punë, por dalim edhe një pasdite, punojmë dhe punë të tjera private dhe kemi një grup vërtetë të mirë. 

Flogerti ne moshe te vogel duke luajtur me violine (Foto personale)

Flogerti ne moshe te vogel duke luajtur me violine (Foto personale)

CMG: Me cilën trevë jeni ndjerë më mirë kur keni luajtur në violinë pjesë popullore?

Flogert Shatraj: Të gjitha trevat kanë bukurinë e vet, por mua më pëlqejnë më tepër pjesët e veriut dhe Shqipërisë së mesme. 

CMG: Gjithmonë shkëlqeni kur performoni me violinë dhe publiku ju do shumë. 

Flogert Shatraj: Dëshiroj t’i falenderoj të gjithë për mbështetjen, por është një gjë që unë e bëj të pavullnetshme sepse ashtu e përjetoj momentin kur luaj me violinë. 

CMG: Gjatë periudhës së pandemisë keni bërë muzikë nga shtëpia, duke luajtur me violinë pjesë popullore, të muzikës së lehtë dhe muzikë filmash. Si filloi kjo nismë?

Flogert Shatraj: Ajo ishte një nismë që e nisën për muzikë në dritare dhe ballkone, ku dhe në shumë vende të botës luanin himnin dhe muzkë të ndryshme. Kështu nisi fillimisht, pastaj kur dola në ballkon nuk mendova se do ishte diçka e madhe, duke pasur parasysh që njerëzit nuk dinin se çfarë po ndodhte dhe rrinin me frikë. Kjo ide funksionoi shumë mirë dhe ditën e parë që unë dola nuk e dija se kisha aq shumë shokë fqinj, që të gjithë më kishin filmuar duke më nxjerrë në Instagram dhe më kishin bërë tag. Pastaj mendova se kur këta u kënaqën kaq shumë për një ditë të vetme, pse mos të luaja çdo ditë diçka të tillë. Ajo që mund të bëja dhe t’i përfshija të gjithë ishin rrjetet sociale dhe jo më ballkoni im. Unë çdo ditë kam luajtur një pjesë me violinë.

Flogert Shatraj me veshje popullore (Foto personale)

Flogert Shatraj me veshje popullore (Foto personale)

CMG: Si e përzgjodhët repertorin e pjesëve që luani me violinë?

Flogert Shatraj: Duke menduar se jemi në Shqipëri duhet të luaja muzikë shqiptare, dhe më vonë kam luajtur edhe pjesë të tjera, por thelbi ishte pjesa shqiptare sepse po luaja për vendin tim. Kishte nga ata që më kërkonin ndonjë pjesë muzikore dhe jam munduar që të gjithëve t’u plotësoja dëshirat. Kjo gjë më vonë u përhap shumë, sepse kur dola unë dhe bëra videot filluan shumë të tjerë derisa u realizua orkestra masive, por dhe grupet që këndonin live. Gjatë periudhës së pandemisë me ansamblin gjatë gjithë kohës punonim online, duke realizuar valle dhe këngë të ndryshme. Kjo ishte e vështirë për t’u realizuar me shumë veta, por ish drejtori i ansamblit Gerti Druga ishte aq i mirë sa asgjë nuk ishte e vështirë. 

Flogerti ne moshe te vogel me mamane e tij Majlinden (Foto personale)

Flogerti ne moshe te vogel me mamane e tij Majlinden (Foto personale)

CMG: Me orkestrën e ansamblit popullor keni shoqëruar mjaft këngëtarë të njohur të muzikës popullore, si dhe këngëtaren e mirënjohur Merita Halili në recitalin e saj. Cili ka qenë emocioni që keni përjetuar gjatë këtyre koncerteve?

Flogert Shatraj: Kënaqësia e parë e madhe është që të luash me ansamblin kombëtar. Pastaj ku ka kënaqësi më të madhe që të shoqërosh Merita Halilin e artistë të tjerë, por po flasim për Ikonën e muzikës popullore shqiptare Merita Halili, kështu që gjithë të tjerët po i përfshi vetëm me këtë emër.

Flogert Shatraj ne interviste per CMG

Flogert Shatraj ne interviste per CMG

CMG: Cila është ndjesia që përjetoni kur vishni kostumin popullor gjatë performancave në skenë?

Flogert Shatraj: Ka shumë emocion dhe tashmë është bërë rutinë sepse kur vishesh me kostumin popullor edhe njerëzit vijnë për të bërë foto dhe emocioni vazhdon. 

CMG: Kush është kritiku më i madh në jetën artistike?

Flogert Shatraj: Kritiku më i madh në jetën time përsa i përket instrumentit ka qenë personi që unë e kam dashur dhe vazhdoj ta dua aq shumë dhe pse ai nuk është më pranë nesh. Ky është Ibrahim Madhi.

Intervistoi: Gazmend Agaj