Presidenti Xi: Bashkëpunimi Kinë-Gjermani është më i qëndrueshëm, më solid dhe më dinamik
2023-11-04 15:49:19

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi një videobisedë me kancelarin gjerman Olaf Scholz të premten. Gjatë saj, presidenti Xi tha se aktualisht tregtia Kinë-Gjermani po zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, entuziazmi i investimeve të dyanshme është i lartë dhe bashkëpunimi midis dy vendeve po bëhet më i qëndrueshëm, më solid dhe më dinamik.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet Kinë-Gjermani kanë hyrë në 50 vitet e dyta, presidenti Xi u shpreh se të dyja vendet, si partnere strategjike të gjithanshme, kanë punuar së bashku në frymën e përfitimit të ndërsjellë dhe janë rritur së bashku në frymën e të mësuarit dhe shkëmbimit reciprok, që është një përvojë e çmuar për zhvillimin e qetë të marrëdhënieve Kinë-Gjermani gjatë dekadave të fundit, çka duhet vlerësuar dhe përcjellë nga të dyja palët.

Xi theksoi se Kina ka paraqitur 24 masa specifike për të optimizuar më tej mjedisin e investimeve të huaja dhe njoftoi masa të rëndësishme në Forumin e 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”, të tilla si eliminimi i kufizimeve për aksesin e investimeve të huaja në sektorin e prodhimit dhe intensifikimi i masave ndërkufitare. Edhe tregtia e shërbimeve do të ofrojë mundësi më të mëdha për bashkëpunim reciprokisht të dobishëm midis Kinës dhe Gjermanisë.

Më shumë se 130 kompani gjermane do të marrin pjesë në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, e cila do të mbahet nga 5 deri më 10 nëntor në Shangai. “Është një votë besimi për kompanitë gjermane në zhvillimin e Kinës.” - tha presidenti Xi, duke shpresuar që edhe pala gjermane do t'i përmbahet një niveli të lartë hapjeje të dyanshme për bashkëpunimin e ndërmarrjeve kineze në Gjermani.

Duke vënë në dukje se të dy vendet kanë krijuar një mekanizëm dialogu dhe bashkëpunimi për ndryshimet klimatike dhe tranzicionin e gjelbër, Xi shpreson që të dy palët të zhvillojnë dialogun e tyre të parë për të thelluar bashkëpunimin për mbrojtjen e klimës, tranzicionin e gjelbër, qeverisjen mjedisore dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Ndërsa situata ndërkombëtare po pëson ndryshime të mëdha me konflikte të intensifikuara gjeopolitike, rimëkëmbje të ngadaltë ekonomike dhe mentalitet të përsëritur të Luftës së Ftohtë, si Kina dhe Gjermania jo vetëm që duhet të zhvillojnë lidhje të mira dypalëshe, por edhe duhet të jenë një model i bashkëpunimit fitues, të ruajnë rendin ndërkombëtar dhe multilateralizmin dhe të punojnë së bashku për të adresuar sfidat globale, theksoi Xi.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Xi vuri në dukje se marrëdhëniet Kinë-BE kanë të bëjnë me stabilitetin e rendit botëror dhe prosperitetin e kontinentit euroaziatik, të cilat meritojnë mbështetjen dhe zhvillimin e plotë të të dyja palëve. Ai tha se shpreson që Gjermania do ta shtyjë BE-në të mbështesë parimet e tregtisë së ndershme, të punojë me Kinën për të mbështetur konkurrencën e drejtë të tregut dhe tregtinë e lirë dhe të ruajë stabilitetin e zinxhirëve industrialë e të furnizimit global. 

Ndërsa kancelari Scholz tha se thellimi i marrëdhënieve Gjermani-Kinë ka treguar më shumë mundësi dhe perspektiva të gjera, sidomos pas mbajtjes me sukses të raundit të fundit të konsultimeve qeveritare Gjermani-Kinë. Dialogu dhe shkëmbimet në të gjitha nivelet u rikuperuan me shpejtësi dhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare u përmirësuan mjaft vitin e kaluar. 

Scholz prezantoi edhe pikëpamjet e Gjermanisë për konfliktin palestinezo-izraelit dhe krizën e Ukrainës, duke shprehur optimizmin e tij për të mbajtur një komunikim të ngushtë me Kinën.

Presidenti Xi vuri në dukje se pavarësisht konfliktit palestinezo-izraelit apo krizës së Ukrainës, është e nevojshme të mendohet më thellë për çështjet e sigurisë dhe të promovohet ndërtimi i një arkitekture sigurie të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme për të zgjidhur shkakun rrënjësor. Ai shtoi se Kina, sikurse dhe pala evropiane, duhet t'i përkushtohen ndërmjetësimit të konflikteve, lehtësimit të tensioneve dhe luajtjes së një roli pozitiv në promovimin e paqes dhe zhvillimit rajonal. (Fang Xiaoyu/Laçi)