Anëtarët e skuadrës së Taekwondo-së së Ulqinit fituan një medalje evropiane dhe 4 medalje të Premier Ligës së Taekwondo-së. Nga data 18-22 tetor 2023 u mbajt në Beograd Kampionati Evropian për kadetë dhe pionierë. Sportistja Nejra Dervishi pas dy fitoreve arriti deri në finale, por u ndal nga përfaqësuesja e Ukrainës dhe kështu u shpall nënkampione e Evropës për vitin 2023 duke marrë medaljen e argjendit.
Ndërkohë, në Podgoricë u mbajt Premier Liga e Taekwondo-së të nivelit G1/E1, e cila shërben për ranglistën botërore. Të sukseshëm ishin sportistët Arta Ismailaga dhe Rijad Dervishi, të cilët fituan medalje të argjendtë, kurse Merisa Malokraja dhe Amela Nuti fituan medalje bronzi si dhe pikë të vlefshme për ranglistën botërore e evropiane. Sara Kraja dhe Enes Dushku fituan ndeshjet e para, mirëpo u ndalën në ndeshjet e dyta.
Kjo ka qenë një kohë mjaft e ngarkuar për klubin e Ulqinit, por gjithsesi sportistët dhe trajneri mbeten të kënaqur me rezultatet e arritura.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, profesori dhe trajneri shqiptar i Taekwondo-së në Mal të Zi, Fikret Dushku, na flet më shumë në lidhje me këto pjesëmarrje.
CMG: Sportistët tuaj së fundi arritën të sillnin një medalje evropiane dhe 4 medalje të Premier Ligës së Taekwondo-së. Na tregoni pak më shumë për këtë event e këtë pjesëmarrje.
Fikret Dushku: Së fundi morëm pjesë në Kampionatin Evropian të Pionierëve dhe në Kampionatin Evropian për Kadetë. Klubi i Taekwondo-së në Ulqin ka arritur të shpërblehet me medaljen e argjendtë nga sportistja Nejra Dervishi, e cila arriti të fitoi dy ndeshje, ndërsa në finale humbi nga përfaqesuesja e Ukrainës. Po ashtu, morëm pjesë edhe në “Montenegro Open”, turneu i Premier Ligës, i nivelit G1 dhe E1, që ka të bëjë me grumbullimin e pikëve, të cilat shërbejnë për ranglistën botërore. Ajo shërben për sportistët që të ngrihen sa më lart dhe të shkojnë në Grand Prix, Grand Slam dhe në fund kush del në dhjetëshen e parë shkon në Lojërat Olipmike. Ne kemi marrë pjesë me gjashtë sportistë dhe katër prej tyre janë shpërblyer me medalje, dy prej argjendi dhe dy prej bronxi.
CMG: Nuk është hera e parë që klubi juaj korr sukses. Por, sa kohë përgatitje i duhet një sportisti të ri, përpara një gare?
Fikret Dushku: Zakonisht në sportin e Taekwondo-së duhet një mesatare prej dy vjetësh që të përgatiten për një aktivitet pak më të lartë. Këtu e kam fjalën për grupmoshat e reja, ndërsa për grupmoshat Junior dhe Senior kërkon ndoshta edhe më shumë sesa dy vjet. Përgatitja është në vazhdimësi dhe punohet me tre grupe, të fillestarëve, të mesëm dhe atë profesionistë, me të cilët synojmë të arrijmë suksese sa më të larta dhe të shkojmë në aktivitete sa më të mëdha, siç janë Premier Liga, Grand Prix, kampionatet evropiane, botërore, Lojërat Mesdhetare e në fund, nëse na jepet ndonjëherë mundësia, edhe në Lojërat Olimpike.
CMG: A është rritur interesi i fëmijëve që merren me këtë sport?
Dhe çfarë do t’u thoni atyre që janë të interesuar për të qenë pjesë e Taekwondo-së?
Fikret Dushku: Unë merrem me këtë sport që prej 20 vitesh, klubi po ashtu funksionon prej dy dekadash. Zakonisht çdo vit kemi një mesatare prej 60-80 sportistësh të cilët stërviten e merren me sportin e Taekwondo-së. Prej atyre mund të them që 25-30 sportistë janë të rregullt që stërviten çdo ditë dhe përcjellin programin me të cilin ata ballafaqohen.
Për të gjithë ata që janë të interesuar të merren me këtë sport dëshira, programi dhe synimi im është që edhe ne të jemi në nivelin evropian dhe pse jo edhe në atë botëror.
Jemi një qytet i vogël nga një shtet i vogël, por dua që të përcjellim programin me të gjitha parashikimet që i ka pjesa evropiane, dhe ne jemi munduar që t’i përcjellim ato programe duke zbatuar të gjitha rregullat, duke pasur trajnerët e duhur, si dhe nutricionistin. Sportistët duhet t’i përmbahen një programi strikt ushqimor që të ruajnë vlerat ushqyese të muskulit, që ai të funksionojë sa më mirë.
Ne e kemi arritur këtë me sportistët që ushtrohen çdo ditë dhe janë të rregullt me programet që u kemi parashtruar, prandaj me këtë grup synojmë të arrijmë sa më lart.
CMG: Cilat janë planet tuaja më të afërta?
Fikret Dushku: Këtë periudhë kemi qenë shumë të ngarkuar, kemi përgatitjen e periudhës së parë dhe jemi në përgatitje për Kampionatin Evropian, për Kampionatin e Ballkanit, etj.. Unë jam trajneri i vetëm i grupit Taekwondo të Ulqinit dhe punoj maksimalisht me tre turne, me tre ekipe të ndryshme.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në vazhdim!
Fikret Dushku: Faleminderit edhe ju!
Përgjatë muajit tetor kanë qenë të shumta aktivitet sportive të Taekwondo-së dhe pjesëmarrjet në gara të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në qytetin e Zenicës u mbajt turneu ndërkombëtar në sportin olimpik të Taekwondo-së për dy disiplina, ndeshje sportive dhe forma. Ky event mblodhi rreth 500 sportistë, kryesisht nga vendet e rajonit. Klubi i Taekwondo-s së Ulqinit u paraqit me 20 sportistë, duke marrë 17 medalje, 9-të të arta, 6-të argjendi, 2 bronzi, 2 kupa dhe 3 çmime personale.
Sportistët Sara Kraja, Amra Dushku dhe Amela Nuti u shpallën sportistet më të sukseshme të turneut në kategoritë përkatëse.
Të suksesshëm ishin edhe sportistët: Denis Çoboviç, i cili fitoi tre ndeshje, Gani Resulbegu dhe Ajan Brashnjani, të cilët fituan nga dy ndeshje.
Me medalje u kurorëzuan sportistët: Sara Kraja, Denis Çoboviç, Ajan Brashnjani, Reinard Gojani, Gani Resulbegovia, Rizuana Maniç, Adelina Gjinaj, Xhenan Tivari, Xhihan Maniç.
Në disiplinën e formave u vlerësuan: Merisa Malokraja, Amell Nuti, Adnam Mekiç, Amra Dushku, Berina Mustafa, Sara Kraja, Hava Malokraja, Amela Nuti.
Në renditjen e përgjithshme, skuadra e Taekwondo-së së Ulqinit u rendit e para në disiplinën e formave dhe në vendin e tretë në disiplinën e ndeshjeve për kategorinë Junior.
Intervistoi: Sava Lena