Foto nga CFP
Më shumë se 700 vjet më parë, një anije e ngarkuar me porcelan u mbyt në brigjet e provincës Fujian të Kinës lindore, ndërsa po udhëtonte për jashtë vendit.
Mbetjet nënujore pranë ishullit Shengbeiyu në qytetin e Zhangzhou u zbuluan së fundmi në një projekt arkeologjik të shpëtimit, duke i paraqitur botës prosperitetin historik të Rrugës Detare të Mëndafshit gjatë asaj epoke.
Nxjerrja e anijes që filloi në shtator të vitit të kaluar dhe zgjati deri këtë muaj, u krye bashkërisht nga Qendra Kombëtare e Arkeologjisë (NCA), instituti i kërkimit të arkeologjisë provinciale Fujian dhe Zyra komunale e Kulturës dhe Turizmit në Zhangzhou.
E vendosur në kryqëzimin e rrugës lindore dhe jugore të Rrugës së lashtë Detare të Mëndafshit, ujërat e detit pranë ishullit Shengbeiyu janë të rrezikshme. Zona është e rrethuar nga shkëmbinj nënujorë dhe ka kushte komplekse detare.
Anija nga dinastia Yuan (1271-1368) u gjet në një thellësi uji prej rreth 30 metrash. Prej saj janë nxjerrë afro 20.000 artikuj. Koleksioni përfshin mbi 17.100 porcelane Longquan Celadon, të njohur në Kinë për ngjyrat e tyre të shkëlqyera, veçanërisht nuancat e jeshiles dhe blusë së lehtë. Kupa, pjata, gota dhe djegës temjani janë ndër porcelanet e gjetura, që besohet se janë prodhuar në fund të dinastisë Yuan.
“Anija e fundosur përmban numrin më të madh të porcelaneve Longquan të gjetura në bord deri më sot, duke shërbyer si një shembull tipik i kulmit të eksporteve të porcelanit Longquan të dinastisë së vonë Yuan”,- tha Chen Hao, nënkryetar i Qendrës së Arkeologjisë Nënujore të Institutit rajonal Fujian të Kërkimit Arkeologjik.
Disa pjesë porcelani ishin gdhendur me karaktere, të tilla si “Yong”, “Bao” dhe “Nian”, që do të thonë përkatësisht “përdorim”, “thesar” dhe “vit”.
Këto porcelane janë bërë materiale të rëndësishme për kërkimin mbi eksportin e porcelaneve Longquan, tha Chen në një konferencë shtypi të mbajtur në fillim të këtij muaji.
Sipas tij, zbulimi konstaton gjithashtu se qeveria në atë kohë inkurajoi tregtinë jashtë shtetit, duke e bërë Rrugën Detare të Mëndafshit veçanërisht të begatë në dinastinë Yuan.
Midis porcelaneve të gjetura ishin pjata gjigante me diametër 35 cm dhe lartësi 4.3 cm, që shihen rrallë në Kinë.
Liu Miao, një profesor i asociuar në Universitetin Xiamen, tha se pjatat e mëdha u prodhuan bazuar në zakonet e ngrënies jashtë shtetit, një dizajn i dukshëm i personalizuar për eksportet e porcelanit.
Duke kombinuar gjetjet arkeologjike në një port antik në qytetin Wenzhou në provincën Zhejiang dhe ngjashmërinë e madhe midis zbulimeve në anijen e fundosur dhe porcelaneve të gërmuara në Azinë Juglindore, ekspertët supozojnë se ishte një anije tregtare civile që ishte nisur nga porti i Wenzhou për në Azinë Juglindore.
Ekipi i projektit të shpëtimit miratoi për herë të parë lidhjen fotografike nënujore për të marrë një imazh panoramik tredimensional me definicion të lartë të vendit të mbytjes në kushte deti me dukshmëri të ulët.
Liang Guoqing, drejtuesi i ekipit që punon me Qendrën Kombëtare të Arkeologjisë, tha se më parë mendonin se anija kishte shtatë kabina. Megjithatë, ndërsa punimet e gërmimit vazhduan, ata gjetën se ajo kishte 10 kabina, gjë që tregon se ishte një anije e madhe tregtare.
Liang shtoi se projekti i shpëtimit të anijes së fundosur është një moment i rëndësishëm në historinë e arkeologjisë nënujore të Kinës.
“Zbulimi u ka mundësuar njerëzve të shohin tregtinë e lulëzuar të porcelaneve Longquan Celadon si dhe prosperitetin e Rrugës Detare të Mëndafshit”,- tha ai.