Shqipëria përjetoi sezonin e saj turistik më të mirë
2023-11-03 14:43:13

Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë gjatë intervistës për CMG.jpg

Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë gjatë intervistës për CMG.jpg

Shqipëria përjetoi një bum turistik gjatë periudhës maj-shtator. Të dhënat e INSTAT-it bëjnë të ditur se për periudhën janar-shtator 2023, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 8.3 milionë shtetas të huaj. Kjo përbën një rritje me 29 për qind nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Sipas Institutit të Statistikave, vetëm në muajin shtator, në vend hynë rreth 1.1 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 45 për qind, në krahasim me shtatorin 2022.

Reklama e bërë në mediat e huaja për Shqipërinë, çmimet e lira brenda në vend, por edhe ato të fluturimeve për në Aeroportin e Rinasit, kanë bërë që gjithnjë e më shumë të huaj të zbulojnë bukuritë natyrore të vendit, duke i dhënë gjallëri konsumit, i cili ishte pakësuar, si rrjedhojë e çmimeve te larta dhe ritmeve të larta të emigracionit, sidomos të të rinjve.

Baret, restorantet, hotelet, motelet dhe të gjitha strukturat e tjera akomoduese të vendit kanë raportuar një ecuri të mirë në periudhën maj-shtator, të ndikuar nga konsumi i turistëve.

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, janë më shumë se 28 mijë familje shqiptare që kanë dhënë me qira mjediset e tyre për turistët vendas dhe të huaj, gjatë sezonit të tejzgjatur turistik veror.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit prodhoi për herë të parë Kalendarin online të Unifikuar të Eventeve Turistike, që në vetëm 2 muaj u shkarkua nga më shumë se 23 mijë vizitorë. Për herë të parë, deri në muajin gusht, Zonat e Mbrojtura Natyrore, Arkeologjike dhe Historike u vizituan nga rreth 3.2 milionë vizitore.

Banka Botërore, kryesisht për shkak të performancës së mirë në turizëm, e ka shtuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit, nga 2.8 për qind në 3.6 për qind.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë, na flet për turizmin në vend, por dhe për mënyrat se si mund të përmirësohet ky sektor.

 

Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Shqipëri

Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Shqipëri

CMG: Z. Vathi, cilat janë risitë e projektligjit që ka përgatitur Ministria e Turizmit, me ndryshime të rëndësishme në Ligjin për Turizmin? Sa e ndihmojnë ato turizmin shqiptar?

 

Besnik Vathi: Me sa e kam parë projektligjin e ri, që është shtruar për diskutim publik, mendoj që risia e parë dhe më e rëndësishme e tij është rishikimi i çështjes së statistikave, që vazhdimisht e kemi diskutuar. Shoh një dëshirë të strukturave përgjegjëse publike, që çfarë nuk shkon në statistikat për turizmin të ndreqet.

Për këtë, Ministria e Turizmit ka ndërmend të krijojë një institucion të ri. Një organizëm më vete, i cili do të merret me analizat dhe vrojtimet ndaj turizmit shqiptar. Me fjalë të tjera, do të kryejë një studim më të hollësishëm të statistikave që kemi për këtë sektor.

Ky entitet i ri do t’i shërbejë së pari Ministrisë së Turizmit, që të përcaktojë politikat më realiste, më të përafërta dhe më të zhdërvjellta, për të menaxhuar promovimin e Shqipërisë në format më të përshtatshme dhe në tregjet më të duhura. Besoj se kjo do të jetë një nga risitë më të mëdha.

Pastaj, diskutimi i problematikave dhe korrigjimet që duhen bërë në Ligjin e vjetër për Turizmin janë korrigjime të nevojshme, madje të domosdoshme. Ndoshta do të duhet, edhe në diskutimet apo sugjerimet tona që kanë të bëjnë me nivelin e zhvillimit që ka marrë sot teknologjia digjitale, që të kryhen ndryshimet e duhura, duke iu larguar prapambetjes së koncepteve dhe qasjeve të pranishme në kohën kur doli ligji i vjetër, por të tejkaluara tashmë.

Besoj se ligji i ri do të ndihmojë mjaft në një konfigurim më të plotë dhe më të saktë të turizmit në vend.       

 

CMG: Ju folët për statistikat. A duhet të kemi qasjen e fqinjit tonë, Greqisë, dhe të mësojmë prej tij, lidhur me të dhënat nga platformat e regjistrimeve “Booking” dhe “Airbnb”? Këto të dhëna janë shumë të rëndësishme në nivel të politikave për turizmin.

 

Besnik Vathi: Nivelet e zhvillimit të teknologjisë dhe të tregut janë të ndryshme në kohë të ndryshme. Ne do të duhet të ndjekim se s’bën zhvillimet e reja, format e reja të organizimit të aktivitetit turistik, tendencat e reja, në mënyrë që strukturat publike në aktivitetin e tyre t’i afrohen një drejtimi, menaxhimi dhe kontrolli modern që shteti duhet të ketë mbi të gjithë veprimtarët e industrisë së turizmit.

Lidhja me platformat digjitale, marrëveshjet me platformat e sotme që janë në treg, apo edhe ato që do të dalin nesër, qoftë në akomodim, fluturim apo në aspekte shërbimesh të tjera, duhet të jetë më efikase dhe më të shpejta.

Kjo lidhje duhet t’i përgjigjet në kohë reale aktivitetit, dhe jo kur problemet të jenë akumuluar dhe trashur, me pasoja të rënda për sektorin. Duhet të paraprihen situatat problematike, për mos të krijuar probleme të mëdha. Kështu që kontratat me këto platforma janë të domosdoshme dhe duhen bërë në kohë. 

  

CMG: Duke iu rikthyer ligjit të ri, miratimi i tij a nënkupton që do të kemi ulje të ndjeshme të informalitetit në turizmin shqiptar?

 

Besnik Vathi: Nuk e shoh thjesht si ndikim në uljen e informalitetit, pasi kundër tij ka ligje tatimore, ka institucione dhe organizma të fuqishme kontrolli. Gjykoj se kjo është pjesë e menaxhimit dhe drejtimit të shtetit.

Ulja e informalitetit ka dy mënyra. Së pari, do të duhet të rishikohen tarifat, që bizneset të jenë të interesuara që të paguajnë dhe mos të qëndrojnë informale. Mënyra e dytë ka të bëjë me rritjen e kontrollit për atë pjesë të biznesit që është mësuar dhe nuk dëshiron të raportojë.   

 

CMG: Interesi i jashtëzakonshëm turistik që ka marrë Shqipëria këtë vit ka sjellë edhe një herë në vëmendje dilemën se cilin model duhet të ndjekim. A duhet të jemi të orientuar drejt turizmit masiv me çmime të ulëta, apo duhet të rishikojmë politikat për të shkuar drejt turizmit elitar? Apo jemi në gjendje të ofrojmë të dyja llojet e turizmit?

 

Besnik Vathi: Ndonjëherë unë e shoh dëshirën për turizëm elitar si një dëshirë utopike. E them këtë, pasi është utopike të mendosh që mund të zhvillosh turizëm elitar, në një vend ku së pari duhen zhvilluar standardet e turizmit në të gjitha aspektet. Duhen zhvilluar standardet, duhen përmbushur ato dhe duhet forcuar infrastruktura, rritur dhe zhvilluar ajo. Pasi të kesh të gjitha kushtet e ofrimit të një turizmi elitar, mund të shikosh të ofrosh edhe turizëm elitar.

Në botë ka modele të ndryshme të turizmit elitar. Turizëm elitar mund të ofrojë Zvicra, për shembull, pasi është një vend i tillë. Megjithatë, edhe një vend si Zvicra, nuk pengon turizmin “low cost”, pra aktivitetet e turistëve individuale me kosto të ulët. Agjencitë e udhëtimit atje, por edhe të gjithë strukturat akomoduese dhe strukturat e shtetit që mbështesin turizmin, gjejnë çdo mënyrë të mundshme, për të lehtësuar kostot e lëvizjeve në vend.

Ne nuk e kemi arritur dhe kaluar mbingopjen, që të shikojmë dhe të themi se po dëmtohet turizmi nga mbingopja. Ndaj, duhet të fillojmë të rishikojmë tarifat dhe të ndërtojmë politika regresive, për të penguar lëvizjet e mëdha dhe masive të turistëve.

Ne sapo u futëm në tregun e madh të turizmit të lirë individual te familjarët dhe tek apartamentet. Nuk jemi mbytur ende nga turistët. Ndaj dhe e shoh jo vetëm si dëshirë utopike turizmin elitar, por edhe si frikë nga humbjet e tregjeve. Fluksi i lëvizjeve individuale kalon nëpër familjet e shumta shqiptare, në ekonominë shqiptare në tërësi dhe, nëse ekonomia përfiton, kjo është normale. Gjykoj se turizmin elitar është shpejt ta konsiderojmë, për të ndërruar drejtim dhe rishikuar tarifat.

   

CMG: Jemi në periudhën e turizmit të vjeshtës, pra të turizmit të vizitave kulturore dhe historike në Shqipëri. Si po ecën ai?

 

Besnik Vathi: Ne jemi jo thjesht në mes, por drejt përfundimit ndoshta, të dy lloj turizmeve. Është pothuajse në mbyllje turizmi i plazheve dhe është afër fundit turizmi i tureve kulturore dhe historike. Këto të fundit, në një pjesë më të vogël, vazhdojnë deri në mesin e këtij muaji, nëntorit. Pra, mbarojnë blloqet e mëdha të turizmit, por, mos të harrojmë, se aktiviteti i gjerë që filloi me turizmin individual ka qenë, mbetet dhe do të vazhdojë të gjithë vitin.

Nuk kemi pse të habitemi që, përsëri, lëvizjet e të huajve në Tiranë dhe në qytetet e tjera do të vijojnë në dhjetor, janar dhe shkurt. Këto do të jenë lëvizje shumë më të shtuara se sa në të njëjtën periudhë një vit më parë, pasi nuk janë lëvizje të organizuara, por janë udhëtime të promovuara nga kompanitë “low cost” të fluturimeve.

Këtë muaj në treg hyri dhe një kompani e re e fluturimeve me kosto të ulët, e cila shton edhe 17 destinacione, në të cilat, ndoshta ka fluturime edhe katër-pesë herë në javë. Pra, do të kemi një fluks shumë më të madh fluturimesh, me ardhje edhe nga destinacione që më parë nuk kanë qenë në lidhje direkte me Tiranën dhe Shqipërinë.

  

Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë

Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë

CMG: A kanë nisur pronotimet për turizmin e pranverës së vitit 2024 dhe a mund të kemi një prognozë tuajën për turizmin në Shqipëri gjatë gjithë vitit të ardhshëm?

 

Besnik Vathi: Prenotimet jo thjesht kanë filluar. Periudha gusht-nëntor 2023 është periudha në të cilën lidhen kontratat për vitin 2024. Kjo, si për turizmin e plazheve, ashtu dhe për atë të tureve kulturore dhe historike, apo edhe për llojet e turizmit në natyrë, atij malor, etj.. Interesi është i madh. Kemi futje të kompanive dhe agjencive të tureve nga vende që nuk kanë qenë më parë në tregun shqiptar, por edhe kompani të tjera u janë shtuar atyre ekzistuese, në vendet që zakonisht kemi bërë lidhje kontratash.

Shqipëria i ka të gjitha potencialet. Unë besoj se edhe viti 2024 do të jetë me të njëjtin progres rritjeje që është parë edhe gjatë këtij viti. Pra, edhe viti i ardhshëm do të jetë në rritje. Nuk jam nga ata që mendoj se reklama e madhe dhe e fuqishme për Shqipërinë turistike është kthyer në bumerang për ne. Ne u futëm në tregun turistik botëror. Ky nuk është treg që kthehet në bumerang. Është një treg që vetëm zgjerohet. Efekti bumerang ka të bëjë me atë që ti si vend pritës pretendon të japësh dhe nuk e jep, jo thjesht me gjetjen e asaj që ti je dhe mund të japësh.

 

Intervistoi: Fatos Çoçoli