Liljana Lilo, jeta ime si një libër i pashkruar
2023-11-03 10:58:25

Liljana Lilo dhe bashkeshorti i saj (Foto personale)

Liljana Lilo ka lindur në qytetin e Korçës dhe është rritur mes shumë vështirësish të cilat e kanë bërë atë edhe më të fortë. Ishte ende një vajzë e re kur u dashurua bashkëshortin dhe babanë e fëmijëve të saj dhe të dy vendosën të emigronin në Amerikë. Por, ajo gjithmonë e mbajti një lidhje të ngushtë me Shqipërinë, ku ka lënë familjarët, të cilët për të janë shpresa më e madhe në jetë.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ajo tregon se si është rutina e saj, duke ndarë edhe mesazhe tepër emocionuese.

CMG: Zonja Liljana, si ka qenë jeta juaj?

Liljana Lilo: Jeta ime është si një libër, por i pashkruar. Kam jetuar gjithmonë e lumtur, sepse familja që kisha dhe më pas ajo që ndërtova ishte gjithmonë aty për mua. Ndonjëherë mendoj se kam lindur me fat, por edhe kam punuar për të qenë gruaja, nëna apo vajza që jam sot. Linda në një familje të madhe dhe plot me dashuri. Pavarësisht se u rrita në një zonë periferike, kjo nuk i ndaloi kurrë ëndrrat e mia. Kisha gjithmonë një vizion të qartë për jetën dhe atë që më priste. Fati e deshi që të njihesha më shokun tim të jetës, Vladimirin, njeriu më i mirë që kam njohur.

CMG: Si e kujton momentin kur je njohur me bashkëshortin?

Liljana Lilo: Kanë qenë ditët dhe vitet më të bukura. Ai më ka trajtuar gjithmonë me dashuri dhe respekt. Kam qenë prioriteti i tij dhe kurrë nuk e ka lëshuar dorën time, edhe kur ishim në Shqipëri edhe kur morëm një rrugë të gjatë, të largët dhe plot sfida drejt emigrimit. Ajo që e ka mbajtur të gjallë dashurinë tonë ka qenë respekti për njëri-tjetrin. Unë kam lindur në një familje ku gjëja kryesore që më mësuan ishte respekti, për çdo njeri, jo vetëm për bashkëshortin.

Liljana Lilo (Foto personale)

CMG: Lidhjen më të ngushtë e keni pasur me babanë tuaj, apo jo?

Liljana Lilo: Po e vërtetë. Ai nuk jeton më, por për ne, për të gjithë familjen ka qenë njeriu i përsosur i cili na mësoi çdo gjë. Ne, vajzat dhe djali i tij, ishim shokët më të mirë dhe fëmijët më me fat. Mençuria e tij zinte vend në çdo vend ku shkonim. Shpesh e pyesja për këshilla dhe për udhëzime në jetën time. Ishte njeriu që më zgjidhte problemet, por edhe që ndaja çdo gëzim në jetën time.

Ajo që e bënte edhe më të bukur marrëdhënien tonë ishte ndjeshmëria. Ai ishte një njeri me ndjenja të pastra dhe fisnikëri të lartë.

CMG: Të mungon e kaluara?

Liljana Lilo: Më mungon shumë. Por, ajo që është e rëndësishme është që unë jam e plotësuar në jetën time dhe kam kujtime tepër të gjalla. Kujtoj çdo gjë, pasi jeta është proces. Nëse më mungon e kaluara, nuk kam mundësi ta kthej atë, por kam mundësi t’i ruaj gjithmonë kujtimet.

Liljana Lilo me familjen e saj (Foto personale)

Liljana Lilo me familjen e saj (Foto personale)

CMG: Në këtë bisedë ju përmendët motrat, çfarë rëndësie kanë ato për ju?

Liljana Lilo: Motrat janë pas nënës njeriu më i afërt. Për çdo njeri që ka një motër e di shumë mirë rëndësinë e tyre në jetë. Motrat të mbushin me jetë, të japin atë që ti kërkon në çast, të dëgjojnë pa u ndaluar deri në fund dhe zëvendësojnë lehtësisht edhe mamanë. Unë kam 5 motra dhe dashuria për to është e pazëvendësueshme.

CMG: Ju keni emigruar shpejt në Amerikë, ka qenë e lehtë për ju?

Liljana Lilo: Nuk ka qenë aspak. Kur shkuam në fillim kemi hasur vështirësi të shumta dhe ka qenë një sakrificë e madhe që kemi bërë me njëri-tjetrin. Ishim larg familjes, në një vend të huaj ku nuk dinim as gjuhën, as rrugët, as shkollat. Pavarësisht këtyre sfidave, asnjëherë nuk u dorëzuam dhe ja ku jemi sot, një familje tepër e shëndetshme, e cila ka rezistuar në momente ku askush nuk do ta kishte bërë. Me kalimin e viteve gjithçka ndryshoi dhe tashmë jemi integruar më së miri në shoqëri. E vetmja gjë që më mungon gjithmonë është shtëpia ime e vjetër.

Liljana Lilo dhe familja e saj (Foto personale)

Liljana Lilo dhe familja e saj (Foto personale)

CMG: Shtëpia juaj e vjetër, pse e quani kështu?

Liljana Lilo: Shtëpia ime e vjetër është shtëpia e babait tim të ndjerë, shtëpia e fëmijërisë sime, shtëpia e cila më rriti. Më mungon ajo shtëpi, e cila mbart kujtimet e hershme të miat.

CMG: A keni ju një mesazh për të gjithë ata që ju ndjekin?

Liljana Lilo: Ta duan jetën dhe kur të shohin që është fundi, të kuptojnë që është thjesht fillimi.

CMG: Pasioni më i madh që keni në jetë është gatimi, si ka lindur ky pasion?

Liljana Lilo: Kam ditur gjithmonë të gatuaj. Ky pasion ka lindur me kohën, megjithëse kam gatuar pa u ndalur përherë dhe sot e kësaj dite të gjithë e njohin pasionin tim. Shpesh ndaj receta me miq dhe familjarë. Ata më besojnë mua që t’u gatuaj, pasi u shijojnë pjatat e mia. Kryesisht gatuaj receta pjata të zonës së Korçës, por edhe të çdo qyteti tjetër në Shqipëri.

Përgatiti: Megi Latifi