Koncerti La Femme - Flaka Goranci (Foto Eclassical)
Të martën në mbrëmje u zhvillua në Tiranë koncerti “La femme”, i cili bëri bashkë muzikën e grave kompozitore. Mezosopranoja Flaka Goranci, producente e koncertit, tregon se ky ishte një program me 21 pjesë kompozimesh nga gratë, që sjell një rrugëtim dhe histori të ndryshme, duke nisur nga kompozitorja e parë femër para 1 mijë vitesh. Ajo e cilëson si një tregim e inspirim, ku pati muzikë të shumëllojshme e jo vetëm klasike, duke përfshirë edhe këngë shumë të njohura si “Besame mucho” që janë shkruar nga gratë.
Koncerti u zhvillua në kuadër të Javës Kulturore Austriake, me dirigjimin e Konstantinos Diminakis dhe me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Flaka Goranci gjate koncertit La Femme ( burimi Remila Maci)
Flaka Goranci gjate nje interpretimi (Foto Youtube)
CMG: Flaka, si është të riktheheni në Shqipëri për këtë event?
Flaka Goranci: Ka një dëshirë të përhershme tek unë të rikthehem në Shqipëri dhe të risjell aktivitete të tilla si “La femme”, të cilat jo vetëm më pasurojnë në shpirt, por edhe më japin një emocion të madh. Tirana është vendi ku kam studiuar ndaj dhe kam kujtime shumë të afërta me këtë qytet. Në këtë event pata disa performanca, por edhe rolin e moderatores.
CMG: Si u ndjetë me këto dy pozicione?
Flaka Goranci: Skena për mua është magjia e cila më rizgjon gjithmonë pasionin për muzikën dhe të mbash dy pozicione, qoftë moderimin ashtu edhe performancën në skenë është një peshë e madhe, të cilën u përpoqa ta përballoja pa emocion.
CMG: Si lindi ideja për këtë koncert?
Flaka Goranci: Ky koncert erdhi në kuadër të Javës Kulturore Austriake në Shqipëri. Unë u ftova prej tyre për të qenë pjesëmarrëse, si një nga vajzat shqiptare që ka emigruar në atë shtet dhe e ushtroj profesionin tim atje.
CMG: Çfarë e bën të veçantë këtë koncert?
Flaka Goranci: Historitë e rrëfyera, të cilat japin shumë forcë dhe motivim për jetën në tërësi për cilindo prej të pranishmëve në koncert. Edhe më i veçantë ishte fakti që e pranishme ishte Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, një formacion muzikor që i shtoi edhe më shumë talent asaj skene.
Ky event erdhi në kuadër të Javës Kulturore Austriake në Tiranë dhe për Radio Ejani, Eljana Mankollari, e cila është referente e shtypit pranë Ambasadës Austriake, na tregon për konceptimin e këtij koncerti.
Eljana Mankollari ne interviste per CMG
CMG: Eljana çfarë ju bëri që ta sillni këtë event?
Eljana Mankollari: Kjo është vijimësi e një pune të mëparshme, tek e cila ne kemi bërë maksimumin që kultura të jetë në fokus dhe ia kemi dalë që në të gjitha fushat të bëjmë një gërshetim të të gjithë elementëve të kulturës. Menduam që ditën finale ta mbyllnim me këtë koncert dhe të ishte e pranishme Flaka Koranci, sepse ajo jeton dhe punon në Austri.
CMG: Si është për ju të punoni me personalitete që janë të pranishëm në këto evente?
Eljana Mankollari: Nuk e konceptoj dot veten time në një profesion tjetër. Të punosh me artin, kulturën dhe të bukurën është një emocion që nuk ta jep çdo profesion, ndaj ndihem me fat për këtë gjë.
Përgatiti: Megi Latifi