Kompanitë e huaja shohin të ardhme fitimprurëse në Kinë
2023-11-02 11:46:59

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Pothuajse 90 për qind e kompanive të huaja presin që fitimet e tyre të mbeten të qëndrueshme ose të rriten në Kinë gjatë pesë viteve të ardhshme, me një numër të madh të tyre që identifikojnë inovacionin teknologjik si mundësinë kryesore të rritjes në tregun kinez, sipas një sondazhi të publikuar nga agjencia kryesore e tregtisë së jashtme dhe promovimit të investimeve në Kinë.

Studimi, i kryer nga Këshilli i Kinës për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare (CCPIT), që përfshin 700 kompani të huaja, zbuloi se mbi 80 për qind e të anketuarve ishin të kënaqur me mjedisin e biznesit të Kinës në tremujorin e tretë të vitit 2023, ndërsa rreth 80 për qind e të pyeturve parashikojnë se fitimet e tyre do të mbeten të qëndrueshme ose të përmirësohen gjatë këtij viti.

“Megjithëse ndjenja globale e investimeve mbetet e ndrydhur, ndërmarrjet e huaja kanë besim të mjaftueshëm për të investuar në Kinë”, tha Zhang Xin, zëdhënës i këshillit me seli në Pekin.

Sipas tij, kompanitë e huaja janë të kënaqura me aspektet operacionale si aksesi në treg, procesi i blerjes së objekteve afariste, aksesi në objektet dhe shërbimet thelbësore të infrastrukturës dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare në vend.

“Lidhur me mundësitë e zhvillimit, firmat e huaja kanë besuar vazhdimisht se risitë teknologjike janë mundësitë më domethënëse të rritjes në tregun kinez për tre tremujorë radhazi”, tha ai, duke vënë në dukje se rreth gjysma e tyre kanë shprehur interes për rritjen e investimeve në rajonin perëndimor të Kinës.

“Tregu paqësor dhe i madh i Kinës, si dhe politika për të zbatuar masa për të zgjeruar aksesin në treg për investitorët globalë në disa fusha kyçe, duke përfshirë lehtësimin e kufizimeve për investimet e huaja në kompanitë e listuara, do t'u ofrojnë korporatave shumëkombëshe më shumë mundësi rritjeje”,- tha Chang Xiuze, profesor i ekonomisë në Akademinë e Kërkimeve Makroekonomike në Pekin.

Sipas tij, duke marrë shkas nga përmirësimi industrial, bizneset e huaja që operojnë në Kinë, veçanërisht prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve, do të vazhdojnë me fuqizimin digjital të fabrikave, duke shtuar qendra inovacioni dhe duke u përpjekur të zgjerojnë pjesën e tyre të tregut në sektorë të ndryshëm, si automobilat, logjistikën, shitjet me pakicë, teknologjinë e gjelbër dhe prodhimin e nivelit të lartë.

Sally Loh, presidente për Kinën e kompanisë së prodhimit të ashensorëve me bazë në Shtetet e Bashkuara, “Otis Worldwide Corp”, tha se tregu kinez është një kontribues kryesor në performancën globale të grupit.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim biznesin tonë si në pajisjet e reja ashtu edhe në segmentet e shërbimeve në Kinë, pasi ky treg udhëheq digjitalizimin e shërbimit tonë. Inovacioni, prodhimi i zgjuar dhe lokalizimi i talenteve në Kinë janë shtylla të rëndësishme të biznesit tonë global”,- tha ajo.

Investimet e huaja direkte të përdorura në sektorin e prodhimit të Kinës arritën në 262.4 miliardë juanë (35.9 miliardë dollarë) midis janarit dhe shtatorit 2023, që përfaqëson një rritje prej 2.4 për qind në bazë vjetore, me prodhimin e teknologjisë së lartë që ka pasur rritje prej 12.8 për qind në bazë vjetore, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria kineze e Tregtisë.

Për sa i përket aspiratave të zhvillimit, kompanitë e huaja të anketuara nga Këshilli i Kinës për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare shprehën besimin se qeveria kineze do të ndërmarrë hapa për të siguruar stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit dhe industrial të vendit, për të rritur aftësitë mbështetëse industriale dhe efektet e grupimit, si dhe për të forcuar vazhdimësinë dhe stabilitetin e politikat që ndihmojnë bizneset në kohë nevoje.

Zhao Jinping, ish-drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë në Qendrën Kërkimore të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit, tha se për shumë liderë të biznesit global ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në perceptimet tradicionale për mjedisin e biznesit në Kinë.

“Ata nuk presin më që qeveria thjesht të ofrojë shërbime të mira, por tani kërkojnë mbështetjen e qeverisë për të lehtësuar aktivitetet e tyre të inovacionit dhe për të pasur akses në sektorët e kufizuar më parë për ta”,- tha ai.

Që nga fillimi i këtij viti, shumë drejtues të kompanive shumëkombëshe kanë shfaqur vazhdimisht interes të fortë për të ardhur në Kinë. Ata janë angazhuar në diskutime me partnerët e biznesit dhe kanë zhvilluar takime me zyrtarë kinezë.

Për shembull, ministri i Tregtisë, Wang Wentao, u takua në Pekin në mes të tetorit me Tim Cook, drejtori ekzekutiv i gjigantit amerikan të teknologjisë “Apple Inc”, dhe Severin Schwan, kryetar i bordit të kompanisë zvicerane të kujdesit shëndetësor “Roche Holding AG”, duke inkurajuar kompanitë shumëkombëshe për të ndarë përfitimet e tregut kinez dhe për të arritur zhvillim të ndërsjellë.