Posta e shpejtë është bërë një pjesë e pandashme në jetën e përditshme të kinezëve. Para dy vitesh, numri i pakove të dërguara nëpërmjet postës së shpejtë në Kinë i kaloi 100 miliardët. Vetëm në gjashtë muajt e parë të sivjetshëm, kinezët kanë dërguar mbi 60 miliardë pako, gjë që do të thotë 340 milionë në ditë dhe më shumë se 40 për frymë. Nga frutat, perimet e ëmbëlsirat e deri në veshjet, këpucët, teleskopët, orenditë, e madje edhe peshq të gjallë, posta e shpejtë mund t'u sjellë konsumatorëve brenda afatit të paracaktuar.
Foto:VCG
Jeta e përditshme po bëhet më komode dhe efektshmëria e funksionimit të ekonomisë po ngrihet vazhdimisht. Mirëpo, me zhvillimin dhe zgjerimin e tregut të postës së shpejtë, ambalazhimi i një vëllimi kaq gjigant pakosh ka krijuar edhe probleme, si shpërdorimi i materialeve si kutitë e letrës dhe ndotja e mjedisit e shkaktuar nga mbeturinat plastike apo shiritat ngjitës.
Vitin e kaluar, Zyra Kombëtare e Postës publikoi masat për të sistemuar trajtimin e ambalazhimeve të postës së shpejtë, ku kërkohet pakësimi, standardizimi dhe trajtimi i ambalazhimeve të postës së shpejtë, duke deklaruar politika për të mbështetur zhvillimin e përhapjen e teknologjisë përkatëse.
Të dhënat tregojnë se në fund të shtatorit të këtij viti, mbi 90 % e pakove të dërguara nuk përdorën ambalazhim të dyfishtë, domethënë jashtë kutisë origjinale nuk u përdor një tjetër e kompanisë së postës së shpejtë, mbi 800 milionë pako u dërguan me ambalazhime të ripërdorueshme dhe u vunë në ripërdorim mbi 600 milionë kuti letre, gjë që shënon një përparim në zhvillimin drejt uljes së lëshimit të karbonit.
Foto:VCG
Ditët e fundit, në çdo pikë shpërndarjeje të kompanisë së dërgimit "ZTO Express" në Shigatse të Xizang-ut, ka një kuti riciklimi, ku vendosen shumë kuti të përdorura. Klientët që marrin pako nga pika e shpërndarjes, mund të marrin me vete mallrat, duke lënë aty kutitë që riciklohen.
Ndërkohë, në shtatorin e sivjetshëm, kompania "Yunda Express" nxori në përdorim qese të riciklueshme për të mbajtur posaçërisht dokumente. Me teknologjinë e studiuar nga kjo kompani, qesja nuk ka nevojë për shirit ngjitës dhe i reziston ujit, zjarrit dhe njollosjes. Tani, kjo qese po përhapet gjerësisht në pikat e kësaj kompanie anembanë vendit.
Riciklimi është vetëm një metodë për të trajtuar problemet e mbeturinave nga posta e shpejtë. Një tjetër rrugë është ulja e mbeturinave. Tani i gjithë procesi i dërgimit të postës së shpejtë është digjitalizuar, duke ulur në mënyrë të ndjeshme përdorimin e letrës. Pas "standardizimit" të ambalazhimeve, tani mbi 75 % e pakove transportohen me ambalazh të prodhuar sipas kritereve të kursimit të burimeve natyrore. Për shembull, tani numri i shtresave të letrës për të prodhuar kuti është ulur nga pesë në tre, 40 % më pak në krahasim me më parë. Gjerësia e shiritit ngjitës është zvogëluar nga 60 mm në 45 mm, 25 % më pak. Ndërkohë, standarde më të rrepta për mbrojtjen e mjedisit po zbatohen nga më shumë firma që prodhojnë materiale ambalazhimi të postës së shpejtë.
Foto:VCG
Tani një panoramë më e gjerë po shtrihet para politikëbërësve kinezë për të përshpejtuar uljen e mëtejshme të lëshimit të karbonit nga sektori i postës së shpejtë.
Për sa i përket energjisë, kompanitë kryesore të postës së shpejtë kanë shtuar investimet në energjinë e ripërtëritshme dhe ndërtimin e infrastrukturave përkatëse, duke nxitur transformimin e gjelbër të qendrave të tyre logjistike. Për shembull, 12 centrale fotovoltaike të ndërtuara nga "SF Express" në provincat Zhejiang, Anhui, Fujian etj., kanë hyrë në funksionim e në nëntë muajt e parë të sivjetshëm, kishin prodhuar mbi 15 milionë kwh, duke pakësuar mbi 10 mijë tonë shkarkimin e dioksidit të karbonit. Ndërkohë, gjiganti i shitjes elektronike JD ka përuruar 23 centrale fotovoltaike me një kapacitet të instaluar 132.5 MW.
Foto:VCG
Lidhur me mjetet e transportit, po përhapen vazhdimisht makinat me energji të pastra. Të dhënat statistikore tregojnë se vjet, në procesin e transportimit, sektori i postës së shpejtë e ka pakësuar me mbi 34.9 milionë tonë lëshimin e dioksidit të karbonit. Jo vetëm kaq, por sipas udhëzuesit administrativ, deri në fund të vitit 2025, 80 % e automobilave për transportin e postës së shpejtë do të jenë me energji të përtëritshme.