Koncerti “Luleborë”, në nderim të kompozitorit dhe dirigjentit Simon Gjoni
2023-11-02 10:37:22

Koncerti per Simon Gjonin (Foto nga Facebook)

Koncerti per Simon Gjonin (Foto nga Facebook)

Në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Tiranë, u zhvillua më 26 tetor koncerti “Luleborë”, me rastin e 100-vjetorit të kompozitorit dhe dirigjentit Simon Gjoni, realizuar nga regjisori Andis Gjoni, djali i kompozitorit të njohur, në bashkëpunim me Radiotelevizionin Shqiptar, Bashkinë Tiranë dhe Ministrinë e Kulturës, por edhe me një ndihmesë të madhe nga e ëma e tij, pianistja Hermira Gjoni.

Ky koncert i përmasave të mëdha mblodhi artistë të njohur të skenës shqiptare, si Inva Mula, Kastriot Tusha, Eva Golemi, Erinda Agolli, Denis Skura, Flaka Goranci, Armando Likaj, etj, të cilët interpretuan krah Orkestrës Simfonike të RTSH-së, dirigjuar nga mjeshtri Eno Koço.

Të pranishmit në sallë e kanë vlerësuar si një koncert të shkëlqyer, homazh për një emër aq të rëndësishëm të muzikës shqiptare, siç ishte Simon Gjoni.

Libri per Simon Gjonin (Foto nga Facebook)

Libri per Simon Gjonin (Foto nga Facebook)

Përveç kompozimit, Simon Gjoni do të mbahet mend edhe si një nga dirigjuesit e parë të Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Orkestrës së RTSH-së.

Në koncertin “Luleborë”, disa prej veprave të paraqitura ishin ripunuar nga Gridi Kraja. Në të u shfaqën mbi 200 këngë të kompozuara, ndër to edhe romanca, balada e vepra të njohura simfonike.

Në fund të koncertit, “Luleborë”, që është edhe kënga hit e tij, erdhi e interpretuar nga të gjithë artistët e ftuar në këtë koncert.

“Kur ka ardhur nga Çekosllovakia, Simoni ka drejtuar baletin “Lola”. Ishte hera e parë që unë e shihja duke drejtuar, një dirigjent të ri që kishte ardhur dhe më bëri shumë përshtypje orkestra, tingëllimi i fuqishëm dhe ai me atë personalitetin e tij e inspironte orkestrën”,- deklaroi bashkëshortja e tij, zonja Gjoni.

Regjisori Andis Gjoni (Foto nga Facebook)

Regjisori Andis Gjoni (Foto nga Facebook)

Regjisori Andis Gjoni, djali i artistit Simon Gjoni, është shprehur për mediat: “Brenda mureve të shtëpisë ai ishte një njeri i heshtur, nuk shprehej shumë. E vetmja shprehje që kishte ishte muzika, pianoja, që tingëllonte çdo ditë në shtëpinë tonë. Ai ishte një njeri që diti të transmetonte meloditë e vendit të tij. Ishte një muzikant i kompletuar. Ai i arriti të gjitha ato që donte gjatë jetës së tij. Këngën “Luleborë”, mendova që ta vendosja në fund të programit dhe t’ia dedikoja nënës sime, si dhe dashurisë së tyre”.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Simon Gjoni, përgjatë një jave u mbajtën një sërë aktivitetesh të ndara midis Tiranës dhe Shkodrës.

Në Akademinë e Shkencave në Tiranë u promovua libri “Simon Gjoni- Muzika dhe Epoka”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së dirigjentit dhe kompozitorit, i shkruar nga djali i tij, Andis Gjoni.

Në këtë event ishin të pranishëm familjarë, kolegë muzikantë, personalitete të artit e shkencës.

Simon Gjoni i përket brezit të krijuesve dhe muzikantëve që kanë bërë historinë e muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ishte pjesë e brezit të kompozitorëve shkodranë bashkë me Prenk Jakovën, Çesk Zadejan, Tish Daijan, Tonin Harapin, Gjon Kapidanin, etj.   

Përgatiti: Sava Lena

Dirigjenti dhe kompozitori Simon Gjoni (Foto nga Facebook)

Dirigjenti dhe kompozitori Simon Gjoni (Foto nga Facebook)