230 mijë gra punojnë në bujqësi. Sfidat me të cilat përballen
2023-11-02 11:00:13

Gratë në bujqësi(Business magazine albania)

Gratë në bujqësi(Business magazine albania)

Duket se numri më i lartë i punonjësve në sektorin e bujqësisë janë gra. Në një intervistë për mediat Dhurata Thanasi, eksperte e zhvillimit rural flet për sfidat dhe peshën që ka gruaja në sektorin e bujqësisë në vend. Shifrat flasin për peshë më të lartë të angazhimit te tyre krahasuar me burrat.

“Nga të dhënat e punës sime në terren, por edhe të shumë viteve punë në konsulencë në sektorin rural, në Shqipëri sot kemi të punësuar në të gjithë sektorët në pjesën urbane dhe rurale rreth 553 mijë gra dhe vajza, ndërkohë që 698 mijë janë burra. Ndërkohë në bujqësi kjo shifër ndryshon, janë gati 230 mijë gra që punojnë në bujqësi ndërkohë që 218 mijë janë burra që punojnë në sektorin e bujqësisë.”- thotë Thanasi.

Shifrat tregojnë për një barrë të rëndë të grave, të cilat veç angazhimeve që kërkon familja, janë të ngarkuara edhe me punë të rënda fizike.

Dhurata Thanasi (Ballkanweb.com)

Dhurata Thanasi (Ballkanweb.com)

“Burrat edhe pse janë pjesa e dukshme e sektorit të bujqësisë, janë gratë që mbajnë barrën kryesore të këtij sektori. Në përgjithësi bëjnë punët më të rëndomta, punët më të lodhshme. Po të shikoni në ato momente kur ju dilni, lëvizni gjatë periudhës së pranverës ku janë mbjelljet, apo vjeshta ku ka shumë punë bujqësore, ju do shikoni vetëm gra në dy anët e autostradës që punojnë me shami, apo ndonjë burrë që ka ndonjë zetor që kryen punët që nuk lodhet shumë, por nuk merret me punët e rëndomta, që i kryejnë gratë. Janë pjesa kryesore edhe antikisht jo vetëm të kulinarisë, por edhe të produkteve shqiptare. Ne tani jemi në sektorin e verëbërjes apo rakisë, Shqipëria ka pasur si zakon të bëjë raki, vjeljen apo gjithë shërbimin që i jepej vreshtit, bëhej nga gratë dhe distilimi apo pjesa e rakisë kur je ulur bëhej nga burrat.”-tha Thanasi.

Sipas Thanasit, hendeku vazhdon të jetë ende i thellë mes punëve që kryejnë burrat dhe atyre që kryejnë gratë.

“Unë mendoj që asnjë nuk zgjedh punën më të vështirë, sigurisht gratë janë më të vetmuarat, vetëmohuese janë shumë-veprimshe apo multi-tasking, mbajnë edhe familjen,  merren me rritjen e fëmijëve, punët në bujqësi, sepse historikisht ishte tradita e mos daljes  së grave nga oborri i shtëpisë. Ka qenë dhe problem gjinor, patriarkal, që vazhdon të jetë i thellë edhe ditët e sotme.”

Sot në Shqipëri  roli i gruas në bujqësi është ende në nivele të ulta promovimi dhe mbështetje. Edhe pse janë ndërmarra me dhjetëra projekte për të forcuar pozitën dhe rolin vendimmarrës të grave në zhvillimin rural, nuk ia kanë dalë të jenë në efektivitetin e duhur. 

Pjesëmarrja e grave në bujqësi (Foto Buletini Ekonomik)

Pjesëmarrja e grave në bujqësi (Foto Buletini Ekonomik)

“Janë akoma prezent problemet gjinore. Dy vite më parë, fill pas pandemisë, fermerë të regjistruar vetëm burra kanë qenë 48 mijë, apo 88 % e njerëzve që punojnë në zonat rurale, ndërsa 5570 janë gra. Pra 12.7 % janë gra dhe kjo tregon sesa pak vlerë ka akoma gruaja në terma ekonomikë, në shoqërinë shqiptare.”

Gratë në biznes janë në shifra ende të ulta edhe pse vit pas viti ka ardhur në rritje pjesëmarrja e tyre në sipërmarrje.

“Sa i përket atyre që kanë në zotërim një fermë, gratë janë një shifër e pa konsiderueshme, 12%. Në zonat rurale janë më të ravijëzuara këto probleme pronësie sesa në zonat rurale, ndërkohë që në zonat rurale pronësitë i kanë më shumë burrat. Ku mendohet se gruaja është më e zhvilluar, ku ka më shumë hapësira për të gjetur të drejtat e saj sesa në zonat rurale, ndikojnë shumë në rolin e gruas në këtë sektor. E shikojmë edhe nga shifrat e të diplomuarve, në zonat rurale 2.3% janë vajza dhe gra sepse janë dhe të martuara që diplomohen, ndërkohë që 5.2% janë burra. Ato diplomohen në bujqësi, blegtori, në verë-bërje, në peshkim, në zhvillim rural. E njëjta gjë ndodh edhe në zonat urbane, por në zonat rurale është shumë e dukshme. Roli i grave nuk është akoma aty ku duhet të jetë. Kemi shumë për të bërë dhe për të punuar.”

Sektori bujqësor(Foto lajm.com

Sektori bujqësor(Foto lajm.com

Fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë, për forcimin e rolit në zhvillimin dhe komunitetin rural. Për fat të keq, ky kontribut mbetet i padukshëm për shkak të një sërë probematikash të rrënjosura në kulturën dhe mentalitetin e komunitetit rural. Hulumtimi i realizuar nga Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë tregon se produktiviteti i tyre bujqësor në vendet në zhvillim mund të rritet 20-30 për qind, nëse gratë do të kenë akses në burime si burrat apo fermerët meshkuj. Për të përballuar sfidat e pabarazisë gjinore nevojitet që grave rurale t’u ofrohet aksesi në shërbime dhe  në financë për t’u dhënë mundësi të informohen për cdo gjë që lidhet me risitë teknologjike në fushën e bujqësisë.