Armando Hoxha me trajnerin koreano-verior
Armando Hoxha prej 17 vitesh merret me artet marciale, një pasion që ka nisur që në moshë të vogël. Ai është diplomuar në Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe karriera e tij sportive është e përqëndruar në ushtrimin e arteve marciale si sportist dhe vitet e fundit si trajner. Ka disa vite që Armando ka hapur palestrën e tij ku stërvit fëmijë dhe të rritur, që dëshirojnë të ndjekin këtë rrugëtim. Në një intervistë për Radio Ejani, Armando tregon për pasionin për artet marciale, karrierën e tij në këtë fushë dhe synimet për të ardhmen.
CMG: Si lindi pasioni për artet marciale?
Armando Hoxha: Pasioni për artet marciale ka lindur qëkur isha i vogël dhe shkaktari kryesor janë filmat që kam parë me Bruce Lee e të tjerë. Ky ishte pasioni për një sport të tillë, për artet luftarake që më tërhoqën shumë dhe u detyrova që ta finalizoj energjinë dhe jetën time drejt kësaj fushe.
CMG: Sa vjeç ishe kur e nise këtë rrugëtim?
Armando Hoxha: Unë kam parë filma dhe lexuar libra për artet marciale kur isha 8-9 vjeç dhe shikoja vetëm këtë lloj disipline që më tërhiqte më shumë. Pastaj aktiviteti fizik me trajnime e kam nisur në moshën 15-vjeçare. Jam regjistruar në ekipin e parë që ndodhet në Tiranë, sepse u shpëngula nga një qytet në qytetin tjetër dhe këtu fillova me disiplinën e parë Kickbox, e cila është një disiplinë e miksuar.
CMG: Si vijoi më pas karriera juaj në këtë fushë?
Armando Hoxha: Disiplina e dytë që jam aktualisht trajner dhe arbitër është Taekwondo-ja, një sport koreano-jugor ku përparësinë e zhvillimit ka këmbët dhe në ndeshje trupi lufton më shumë me këmbë. Ndërkohë që në disiplinën punuese është ajo imagjinare, që ti bën një lloj koreografie teknike të caktuar në preçizion sa më të mirë të mundshëm.
CMG: Me gjithë këto vite eksperiencë në këtë fushë tashmë je bërë një profesionist i vërtetë.
Armando Hoxha: Kam pothuajse 17 vjet që unë merrem me artet marciale. Aktualisht kam palestrën time që trajnoj grupmosha të ndryshme për dy disiplina. Ndërkohë që në Federatën tonë të Taekwandos, që është një federatë në zhvillim e sipër, kemi mbi 600 atletë në të gjithë Shqipërinë. Unë jam anëtar i komisionit teknik dhe ish-kryegjyqtar, por tani jam vetëm gjyqtar i federatës.
CMG: Gjatë këtyre viteve që e ushtroni këtë pasion ka pasur momente që ke dashur të tërhiqesh?
Armando Hoxha: Nuk e kam menduar kurrë këtë gjë, por vetëm dëshiroj që të futem sa më shumë në këtë punë, dhe dua ta zhvilloj veten akoma më shumë. Nuk jam tërhequr që nga momenti që kam filluar të merrem me artet marciale.
CMG: Si lindi ideja për të hapur palestrën dhe të trajnoni të tjerë në disiplinat e arteve marciale?
Armando Hoxha: Ideja nisi kur trajnimi im si profesionist përfundoi dhe detyrimisht federatën duhet ta mbajmë dhe ta zhvillojmë si sport me sa më shumë ekipe. Federata ka një filozofi që sa më shumë sportistë që shkëputen nga sporti dhe që nuk janë më atletë profesionistë duhet të krijojnë ambientet e veta për ta zhvilluar sportin sa më shumë, sepse sporti është shëndet. Artet marciale kanë një disiplinë shumë të mirë, duke i mësuar fëmijëve vetëmbrojtjen, vetëbesimin dhe vetëkontrollin, i forcon muskujt dhe të respektojë tjetrin dhe veten. Kanë shumë filozofi artet marciale, dhe kjo është diçka e mirë, ku fëmijët e sotëm, që janë fëmijët e internetit, duhet ta bëjnë patjetër.
Armando duke trajnur femijet ne artet marciale
CMG: Cilat grupmosha vijnë në palestrën tuaj për të mësuar artet marciale?
Armando Hoxha: Grupmosha më e vogël që unë stërvis është 5 vjeç dhe më e madhja është diku te 40 vjeç që bëjnë Kickbox. Ndërkohë që te taekwandoja kam grupmosha të vogla 5, 6 dhe 9 vjeç. Nga këto kam dy kampionë te ekipi kombëtar, ku shpresojmë që së shpejti të marrim pjesë në kampionatin ballkanik, duke shpresuar të marrim ndonjë medalje. Mosha ideale për zhvillimin e këtij sporti është 5 vjeç.
CMG: Kush janë më të interesuar për kurset në artet marciale, djemtë apo vajzat?
Armando Hoxha: Zakonisht shumica e prindërve shqiptarë mendojnë se artet marciale janë vetëm për djemtë dhe kanë një prirje që të sjellin djemtë më shumë, por vajzat kur e provojnë me kureshtje ngelin shumë të kënaqura dhe ne kemi shumë atlete në federatë, që kanë qenë kampione Ballkani. Kemi atlete shumë të mira në Taekwando, pavarësisht se raporti midis tyre është diku te 75 për qind djem dhe pjesa tjetër vajza.
CMG: Si kanë qenë rezultatet e deritanishme në garat ku kanë marrë pjesë atletët e trajnuar nga ju?
Armando Hoxha: Unë vetë kam qenë më përpara sportist, ku kam konkuruar dhe në kampionate ballkanike si dhe kampion i Shqipërsisë. Ndërkohë që tani kur shoh sportistët e mi që rriten dhe dalin kampiona, dhe shpresojmë që të dalin edhe kampiona bote, sepse ky është qëllimi im. Unë ndjej ndjesinë dhe emocionin e madh dhe them sikur të kthehem dhe një herë mbrapa në kohë dhe të rri këtu ku jam, për të vazhduar edhe njëherë më shumë sepse është emocion i bukur.
CMG: Cila është ndjesia që përjeton si trajner?
Armando Hoxha: Ndjesia e trajnerit është dhe e bukur, por deri diku e vështirë, sepse në radhë të parë duhet të bëhesh prind për fëmijën, duhet ta edukosh atë në mënyrën e duhur, t’i japësh mësimet e duhura, ta zhvillosh në mënyrën e duhur që ai të rritet sa më lart. Sportisti që vjen në moshën 5-vjeçare mund të vazhdojë derisa të rritet dhe të bëhet në të ardhmen trajner. Ti indirekt je bërë prindi i fëmijës dhe e mëson në rrugën e duhur se si duhet të ecë në jetë, ku dhe trajnimin që merr ta vendosë në jetën e tij të përditëshme për mirë. Kjo është një punë shumë e vështirë dhe më duket sikur thjesht po u mësoj disa teknika, sepse çdo spjegim do të ketë edhe anën filozofike te fëmijët.
CMG: I trajnoni këta sportistë të vegjël në ushtrime fizike dhe anën teorike?
Armando Hoxha: Është dhe teoria që e shpjegojmë si terminologji të ushtrimit, por dhe konceptin filozofik të të bërit diçka, sepse gjatë kurseve bëhen demostrime të ushtrimeve, por që duhet të mësohet edhe qëllimi i kësaj gjëje që po bën, çfarë ka brenda kjo teknikë e bukur. Është filozofia se pse mjeshtrit e parë e kanë krijuar këtë lloj modeli. Fëmijëve duhet t’u shpjegosh me detaje të gjitha, që të futen dhe ata në brendësi me imagjinatën e tyre në këtë lloj fushe.
CMG: Është menduar që këto disiplina të arteve marciale të zhvillohen dhe në shkolla si lëndë mësimore?
Armando Hoxha: Kjo gjë është menduar. Falë ambicieve dhe kërkesave tona si federatë, si dhe falë ish-presidentit tonë, që tani është zv.ministër, Endri Hoxha, dhe mjeshtrit korean që ka sjellë Taekwndo-në në Shqipëri, ne kemi ndëmarrë një nismë të re që është futja e Taekwndo-së në shkollë. Kjo është e rëndësishme sepse vetë arti marcial në konceptin e vet ka disiplinën e hekurt, pra mëson që një fëmijë të jetë i përulur në momentin e duhur dhe në kohën e duhur me njerëzit e duhur, t’i respektojë në maksimum dhe të vlerësojë gjithmonë të tjerët. Kjo është një disiplinë që shumë shpejt do të bëhet si lëndë e re në shkollë, duke nisur nga 9-vjeçarja deri në gjimnaz. Kjo do të jetë një eksperiencë e bukur për nxënësit e tjerë që do të mësojnë se çfarë janë artet marciale në realitet.
Femije gjate stervistjes per artet marciale
CMG: Ka profesionistë të kësaj fushe që do të mësojnë fëmijët në shkolla?
Armando Hoxha: Është mbledhur grupi i punës që përbëhet nga drejtori teknik Marsel Peti, drejtori ekszekutiv Gerald Bekteshi dhe nga trajnerët e ekipit kombëtar. Trajnerët do të merren me trajnimin e mësuesve, ndërkohë që një pjesë e trajnerëve punojnë si mësues nëpër shkolla. Këta trajnerë do të trajnojnë trajnerët e tjerë dhe mësuesit e edukimit fizik në hapat e parë të dhënies së këtij sporti. Gjithashtu, do të jenë në mbikëqyrje nga trajnerët e ekipit kombëtar, ose nga ata që janë të licencuar për këtë sport ndër vite, që mësimdhënia në teori dhe praktikë të jetë më e mira për sportistët, për të marrë njohuritë bazë në Taekwando.
CMG: Mendon se je i plotësuar profesionalisht me arritjet e deritanishme në këtë fushë?
Armando Hoxha: Kjo është një arritje e imja, sepse që në moshë të vogël kam ëndërruar dy gjëra në jetë, një nga këto ishte të isha trajner artesh marciale, dhe tani mendoj se e arrita. Ndërsa, e dyta ishte të bëhesha specialist i Forcave Speciale. E para më pëlqeu më shumë dhe zgjodha këtë rrugë. Aktualisht ndihem shumë mirë që kam arritur një objektiv që unë e kam vënë që i vogël. Ndoshta pa vetëdijen time se si arrihen objektivat, por thjesht me imagjinatë dhe punë kam arritur në këtë stad ku kam ekipin tim. Me vullnet e dëshirë të mirë dua ta zhvilloj sa më shumë, pse jo të nxjerr sa më shumë sportistë kampionë, si dhe të stërvis sa më shumë fëmijë në këtë fushë dhe aq më i lumtur do të jem.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Armando Hoxha: Dëshiroj të jap një këshillë që kush merret me artet marciale të bëjë akoma sa më shumë. Një filozofi e vjetër e kung fu-së thotë se kung fu-ja është kudo, edhe pastrimi i tavolinës është kung fu në vetvete, mënyra se si ecën është kung fu në vetvete. Çdo lëvizje është kung fu. Njeriu është projektuar të lëvizë. Sa më shumë aktivitete fizike të bëjnë, aq më mirë është, qoftë arte marciale apo një disiplinë tjetër të caktuar. Ti e vë trupin në lëvizje, ndihesh më mirë, çliron stresin dhe kjo është gjëja më e mirë që mund t’i japësh shëndetit dhe mendjes.
Intervistoi: Gazmend Agaj