Korça është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm, si dhe një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin.
Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet. Pesë muzeumet unike janë një vlerë e shtuar në prurjet turistike, që tërheqin interesin e vizitorëve në çdo kohë të vitit. Bashkia e Korçës fton turistët, të kalojnë një fundjavë të bukur në qytet dhe mos të ikin pa vizituar muzetë. Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Kombëtar i Arsimit, Muzeu Oriental “Bratko”, Muzeu Arkeologjik, janë pa diskutim muzeumet më unike në Shqipëri, të cilat ruajnë identitetin dhe kulturën brenda çdo vepre të ekspozuar.
Muzeu Mesonjetorja- foto ATSH
Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”
Nëse do të vizitoni Korçën, nuk mund mos të ndaloni në shkollën e parë shqipe, të njohur si “Mësonjëtorja”. Data e hapjes së saj festohet çdo vit në shkollat e vendit dhe njihet si “Dita e Mësuesit”. Në një nga zonat më popullore të Korçës të njohur si Pedonalja, ndodhet dhe Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” që ndodhet përballë “Ushtarit të Panjohur”. Muzeu është ngritur në godinën ku më 7 mars 1887 u hap e para shkollë shqipe e njohur si “Mësonjëtorja”, me një karakter laik dhe kombëtar.
Brenda muzeut gjendet fotokopja e abetares së parë shqipe e shkruar nga patrioti Naum Veqilharxhi, si dhe abetarja e dytë e patriotit tjetër Kostandin Kristoforidhi. Në katin e dytë është ruajtur e pandryshuar klasa e shkollës ashtu siç ka qenë në origjinal, me bankat karakteristike prej druri, korniza në mure dhe librat mbi tavolina. Në oborrin e saj ndodhet Obelisku ABC, që është kthyer dhe në simbol të muzeut.
Muzeu i Artit Mesjetar - foto ATSH
Muzeu i Artit Mesjetar
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili, brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016-n, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes një harmonie ngjyrash. Pikërisht ky muze ruan thesaret më të shenjta e të vjetra të cilat kanë mbijetuar e kaluar shumë pengesa për të arritur në vendin ku gjenden sot. Historia e veprave është më e veçantë dhe e ashpër se në shumë vende të tjera të botës pasi, në Shqipëri, këto vepra ishin të ndaluara e shumë prej tyre ishin shkatërruar.
Brenda muzeut gjenden më shumë se 7000 vepra arti dhe objekte kulturore, kryesisht ikona si edhe punime druri, guri, metali dhe tekstili, të cilat dëshmojnë një histori të gjatë të ikonografisë shqiptare. Në këtë muze prezantohen edhe punët e artistit të madh Onufri, “e kuqja” e famshme e të cilit shkëlqen si asnjëherë tjetër në këtë sfond të errët e misterioz.
Muzeu Arkeologjik ne Korce - foto Muzeu Arkeologjik
Muzeu arkeologjik
Muzeu Arkeologjik i Korçës ndodhet në qendër të qytetit, në dy banesa karakteristike korçare të fillim shekullit XIX, të cilat për vlerat arkitektonike të tyre janë shpallur monumente kulture.
Muzeu u krijua në vitin 1985 dhe mori formë më të gjerë e më të plotë pas organizimit të vitit 1990.
Muzeu Arkeologjik është i veçantë në llojin e vet. Ai është përqendruar në prehistorinë e zonës juglindore. Në këtë muze janë përfaqësuar disa vendbanime të rëndësishme.
Muzeu Arkeologjik i Korçës ka rreth 1200 objekte të ekspozuara. Për vlerat arkitektonike është shpallur monument kulture.
Muzeu Gjon Mili - Foto Kultura. Gov.al
Muzeu Gjon Mili
Nëse keni vendosur të kaloni një ditë në Korçë, duhet të ndaloni edhe te Muzeu “Gjon Mili”, ku janë ekspozuar rreth 240 fotografi të artistit të njohur botëror me origjinë shqiptare Gjon Mili.
Gjon Mili është një nga fotografët më të mëdhenj të shekullit XX.
I lindur në Korçë, ai emigroi bashkë me familjen për në SHBA, ku ktheu fotografinë në pasion të jetës së tij. Në muzeun e Korçës paraqitet më së miri ky rrugëtim unik arti i Milit, përmes 240 fotografive të ekspozuara në dhomat e ish-shtëpisë rumune, një nga godinat simbol të qytetit në zonën pedonale.
Galeria e fotove të Milit është krijuar në një mënyrë të tillë që çdo vizitor të marrë më së miri njohurinë mbi fazat e krijmtarisë së tij. Falë dhomave interaktive, vizitorët do të mund të marrin si suvenir nga muzeu një foto të shkrepur me të njëjtën teknikë me të cilën Mili realizoi fotot e tij ikonike.
Muzeu Bratko - foto Bratko Museum of Oriental Art
Muzeu i Artit Oriental Bratko në Korçë
Nëse hyn thellë në historinë e çdo muzeu në botë, pa disuktim se aty do të gjesh diçka interesante, një ëndërr të trashëguar ndër breza e cila është kthyer në realitet në formën e muzeut. Edhe Muzeu i Artit Oriental Bratko ka historinë e tij, ndonëse kjo e fundit mund të jetë më e paparashikueshmja! I ngjason më tepër një tregimi ku ndërthuret jeta personale, lufta dhe arti, i cili shtrihet në tre kontinente. Ky bashkim i ngjarjeve e kulturave kaq të largëta e bën këtë muze unik në Ballkan. Në Muzeun Bratko ekspozohen rreth 450 objekte që përfaqësojnë 17 kultura lindore të botës. Koleksioni përfshin veshje aziatike, shpatë e armë të ndryshme indoneziane, piktura e fotografi, e shumë kuriozitete të tjera të cilat, falë këtij muzeu, janë të prekshme. Ndoshta duket pak e çuditshme që pikërisht Korça, apo edhe Shqipëria, mban një muze të madh të artit aziatik. Këtu, çdo gjë sqarohet nga historia pothuajse legjendare e këtij muzeu.
Përgatiti: Neritana Kraja