Qeveria ka si prioritet pasuritë e nëntokës dhe eksplorimin e mineraleve të reja
2023-11-01 17:45:19

Mineralet (Foto Shqip.com)

Mineralet (Foto Shqip.com)

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi një  tryezë diskutimi me profesorë dhe ekspertë të fushës minerare në Shqipëri.

Në fjalën e saj, zv.kryeministrja Balluku theksoi se kjo tryezë i shërben dialogut mes akademikëve dhe shoqërisë civile për t’u njohur me pasuritë e nëntokës shqiptare.

“Kemi thërritur si një tryezë konsultative për të nisur tashmë, një maratonë tryezash, të cilat do të kenë bazën e tyre, një dialog të hapur mes të diturish të sektorit, padyshim dhe të shoqërisë civile, sa i përket nëntokës shqiptare. Zoti është treguar bujar me Shqipërinë për sa i përket natyrës, motit, por mbi të gjitha për sa i përket pasurive të nëntokës. Ato janë vlerësuar gjithmonë nga investitorët e huaj, por kanë humbur pak vëmëndjen nga ne vitet e fundit, duke qenë se na është dashur të përballemi me situata të jashtëzakonshme, si tërmeti, pandemia, kriza energjetike, por duke mos harruar kurrë sesa i rëndësishëm është minerali shqiptar, sesa e rëndësishme dhe e pasur është nëntoka shqiptare. Sot në një këndvështrim dhe në një dritë të re, duke pasur dhe vëmendjen e Bashkimit Evropian, fokusin e institucioneve të cilat mundohen që të aktivizojnë zhvillimin ekonomik në zonën e Ballkanit, qeveria shqiptare ka vendosur që mineralet, nëntokën, zbulimin, eksplorimin dhe gjithçka tjetër ta vendosë në prioritetet e saj”, u shpreh Balluku.

Belinda Balluku (Ministria e Infrastruktures dhe Energjise)

Belinda Balluku (Ministria e Infrastruktures dhe Energjise)

Ajo kërkoi ndihmën e ekspertëve për të dhënë kontribut në identifikimin dhe shfrytëzimine  pasurive të nëntokës shqiptare.

“Qëkur jam emëruar ministre kam vendosur që detyrën time ta ushtroj duke u bazuar mbi bashkëpunimin me njerëzit që kanë eksperiencë në ministrinë tonë dhe sot ata janë jo thjesht pjesë e stafit që bashkëpunojnë me mua, por edhe udhërrëfyesit për brezat e rinj që ne mundohemi të rrisim, por fatkeqësisht nuk na afrohen shumë. Po të shikoni sot të gjithë inxhinierët dalin nga gjeologji minierat pavarësisht marrëdhënies së shkëlqyer me fakultetin, sërish preferojnë të shkojnë të punojnë për firma private, për biznese private dhe jo t’i bashkohen nuklave shtetërore. Ndoshta para disa kohësh edhe për shkak të kompensimit financiar që në shtet nuk ka qenë fort i mirë, por po t’i referohemi skemave të kompensimit financiar, të pagave të reja që ne kemi aplikuar gjatë vitit 2023, sot ne mund të konkurojmë me bizneset private. Por edhe nëse do vijnë dhe të pranojnë të punojnë me ne, eksperienca për atë çfarë ju përfaqësoni nuk do të ishte e njëjta situatë. Unë shpresoj që kjo tryeze të vlerësohet nga të dy palët, si nga ana jonë ashtu dhe nga ana juaj dhe sipas mundësive që kemi, të kontribuoni dhe të na ndihmoni në këtë rrugë të re që ne duam të fillojmë dhe që është shumë e rëndësishme”- shtoi Balluku.

Shqipëria, sipas zv.kryeministres, është joshëse edhe për investitorët e huaj për shkak të potencialeve që ka.

“Prej vitesh tashmë për shkak të stabilitetit ekonomik, i cili është shumë i rëndësishëm për investitorët, për shkak të forcimit të shtetit, Reformës në Drejtësi dhe një sërë masash që kemi marrë, mbi të gjitha transparenca, kemi arritur që të kthejmë edhe njëherë vëmendjen e investitorëve të huaj, të cilët zakonisht kanë potenciale financiare më të mëdha drejt Shqipërisë. Por ajo që ne identifikojmë dhe që mund të quhet dhe shqetësuese është që shkojnë të gjithë në të njëjtin drejtim, aty ku është dhe leverdia e tregut, pra tek kromi, i cili për ne është një zbulim tradicional dhe puna në këtë fushë edhe kompanitë e vogla shqiptare por edhe investitorët e mëdhënj”,- tha zv.kryeministrja.

Pamje miniere (Foto Sot)

Pamje miniere (Foto Sot)

Balluku ka pasur kërkesa konkrete ndaj ekspertëve të fushës minerare në vend.

“Çfarë kërkojmë ne sot? Çfarë duam të nxisim sot? Ne duam të nxisim eksplorimin e mineraleve të reja që nuk janë të reja për ju, por janë të reja për tregun, pasi tregu ka këtë lloj kërkese sot. Po i referohem në këtë rast litiumit, siç i referohem shteteve fqinj që janë pranë nesh, të cilët kanë filluar ta përdorin këtë dhuratë që kanë në nëntokën e tyre, duke lidhur kontrata me kompani nga më të mëdhatë dhe duke u kthyer nesër apo pasnesër në vende ku këto kompani kanë plane dhe të ndërtojnë industritë e tyre. I referohem këtu rastit të Teslës dhe të Serbisë. I gjithë ky zhvillim potencial që ka të bëjë me Ballkanin dhe që tashmë është identifikuar nga BE, nëse i referohemi të gjithë diskutimeve konstruktive që janë bërë gjatë samitit për Procesin e Berlinit këtu në Tiranë më 16 tetor do të gjeni dhe një pjesë të mirë ku i referohen zbulimeve të nëntokës, mineraleve, sidomos mineraleve të reja. Kështu që të gjitha këto që përmenden na bëjnë që ta hapim këtë diskutim. Unë dua ta planifikoj që ky të jetë një takim i vazhdueshëm”,- tha ajo.

Ndaj, Balluku, kërkoi një riorganizim të thellë dhe të përgjithshëm të sektorit minerar në Shqipëri, duke parë detajet e kuadrit ligjor, duke parë të gjitha aktet rregullative dhe për më tepër dhe një mënyrë më të lehtë funksionimi, por nga ana tjetër edhe duke krijuar mundësi për investime më të mëdha.

Njëkohësisht Balluku ka ndarë një lajm me të pranishmit, që Instituti Evropian i Teknologjisë së Inovacionit dhe Lëndëve të Para, ka vendosur që të ngrejë në Shqipëri një degë të tijën rajonale, që është zgjedhur ta vendosë në Elbasan.