Tetori Rozë mbyllet me ekspozitën e artistes Erieta Gajtani
2023-10-31 10:54:08

Kanë qenë të shumta mesazhet e dhëna përgjatë 31 ditëve të muajit rozë, tetorit, kushtuar një kauze shumë të rëndësishme, në shenjë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. Duke nisur në fillim të muajit tetor me mesazhin e zonjës së parë Armanda Begaj, ajo e vlerësoi këtë muaj, si një moment  reflektimi, ndërgjegjësimi dhe solidariteti. Begaj inkurajoi të gjithë të ndanin eksperiencat dhe përjetimet në përballimin e  sfidës së vështirë.

Ky muaji ndërgjegjësimi i luftës kundër kancerit u mbyll me një aktivitet të zhvilluar në Selinë e Partisë Demokratike, e cila u ndriçua me ngjyrën rozë në shenjë sensibilizimi për muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. Ekspozita e artistes Erieta Gajtani  u organizua  nga Lidhja Demokratike e Gruas me Kryetare Albana Vokshin dhe Departamenti Brain Gain, në kuadër të “Tetorit Rozë”, një aktivitet sensibilizues me temë “Duaje veten-Duaje jetën”.  

Artistja Erieta Gajtani solli në ekspozitën e saj  mozaikë të krijuar me gurë, ku femra ishte aksi kryesor, frymëzuar nga mitologjia. Tetori, i njohur ndryshe edhe si “Tetori Rozë” është një muaj i rëndësishëm, në thelb të cilit qëndron një mesazh i fortë e tepër i rëndësishëm mbi ndërgjegjësimin ndaj kancerit të  gjirit. Në këtë aktivitet ishin të  pranishëm edhe kryetari i Grupit të rithemelimit në PD, Sali Berisha,  mjeku Ilir Alimehmeti, aktori Neritan Liçaj, aktorja Rajmonda Bulku, e shumë personalitete nga politika, arti, kultura, shoqëruar me interpretimin e violinistes Lirza Zaloshnja.

Artistja Erieta Gajtani në ceremoninë e çeljes së ekspozitës u shpreh :

“Falenderoj Departamentin  Brain Gain për këtë organizim. Unë si Erieta nuk jam shumë e fjalës, por kam zgjedhur që të flas nëpërmjet veprës sime, të jem zëri i gruas dhe i së vërtetës. Në një pjesë të punimeve kam paraqitur femrën me sensualitetin dhe bukurinë e saj, atë bukuri që shpesh është vrasëtare për të. Dua të tregoj për gruan që nuk është vetëm e bukur dhe e brishtë, apo si na cilësojnë si seksin e dobët.  Jo, gruaja është heroinë. Dua të flas në emër të motrës sime, që edhe pas operacionit në gji përpara shumë vitesh, vazhdoi të punonte, të pikturonte, të shkuante libra, të botonte poezi, derisa sëmundja ju shfaq në një formë tjetër në gjak dhe e mori, e pas saj mori dhe nënën time nga hidhërimi. Sot flasim për miket e mbijetuara nga ky gjarpër helmues, që e kam paraqitur në krijimet e mia, një femër që ka dhimbje në fytyrë dhe ai gjarpri helmues që e sulmon për t’i marrë jetën. Flas në emër të Fluturës në Itali që ka mbijetuar, të Majlindës në Greqi, e shumë mikeve të tjera që flasin sot vetë. Në memorie të të gjithave këtyre heroinave  unë krijova këto vepra, gjarprin që kërkon të prishë atë bukuri gjidhënie dhe jete. Jemi të bekuara që Zoti na krijoi femra, dhe le të jemi të tilla. Mos ta lemë këtë sëmundje të na marrë pa mëshirë. Ta ruajmë veten, ta mbrojmë atë, të shkojmë të kujdesemi, e të kontrollohemi, e ta parandalojmë këtë gjarpër mos na marrë jetën. Të jemi të forta para çdo sfide, se ne jemi forcë e madhe dhe bota ka nevojë për ne”  tha autorja  e ekspozitës Erieta Gajtani.

Përfaqësuesja e Brain Gain dhe artistja Erieta Gajtani

Aktori Neritan Liçaj u shpreh në veprimtarinë kushtuar Tetorit Rozë: “Përveç ushqimit, gjiri është edhe ngrohtësia e nënës. Nëna na jep jetën, na jep edhe ushqimin e parë, na jep dashurinë, na jep zemrën, jo më kot zemra është pranë gjirit. Prandaj krijuesi kur ka krijuar figurën e femrës duhet të ketë qenë shumë i dashuruar sepse një nga pjesët më të bukura të femrës është gjiri, të cilës i kanë krijuar me mijëra vepra arti, që nga Praksiteli në antikitetin e  lashtë grek dhe deri te Mikelanxhelo Buonaroti. Gjiri i  nënës jep jetë, mban jetë, jep ushqim, jep dashuri, jep gjithçka. Prandaj është shumë e rëndësishme që të ketë organizime të tilla për t’u ndërgjegjësuar, të bëhemi të ndjeshëm ndaj këtyre gjërave, të kontrollohemi  është shumë i rëndësishëm kontrolli i gjirit. Populli ynë ka një fjalë të urtë popullore “Mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë”. Prandaj organizime të tilla janë shumë të mira dhe jo më kot ndërkombëtarët e kanë vendosur një muaj të tërë ndërgjegjësimi. Pra nga  12 muajt e vitit, një muaj i tërë i takon  fushatës, ndjeshmërisë së kësaj pjese kaq të rëndësishme të  jetës së femrës. Femra sjellë jetën, femra ushqen jetën”

Gjatë tetorit, muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit  godina e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale  qëndroi e ndriçuar rozë, për sensibilizimin e grave dhe vajzave për identifikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

Kanceri i gjirit merr miliona jetë kudo në botë, ndaj dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë për t’i dhënë më shumë vëmendje e ka shpallur muajin tetor, muajin e luftës kundër kancerit të gjirit. Tetori rozë është muaji i ndërgjegjësimit të grave që të kryejnë kontrollin periodik të gjirit dhe ekzaminimin përmes mamografisë, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin ndaj kësaj sëmundjeje. Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën dhe organizohen çdo vit aktivitete të ndryshme, ku synon të shpërndajë informacion në lidhje me shëndetin e gjirit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin. Angazhimi në aktivitete fizike,  ushqyerja e shëndetshme, etj ndihmojnë në parandalimin e kancerit të gjirit.

Intervistoi Sava Lena