Hygerta Aruçi është një vajzë me dashuri të madhe për jetën në tërësi. Ajo i do shumë gjërat që zgjedh të bëjë dhe çdo gjë e ndërton mbi pasionin që ka për profesionin dhe jo vetëm. Eksperiencat e deritanishme nisin me menaxhimin dhe marketing në kompani të mëdha në Gjermani dhe përfaqësi diplomatike. Prej më shumë se 2 vitesh e vetëpunësuar në fushën e Konsulencës dhe Rekrutimit, Hygerta ka zhvilluar aftësitë ligjore kryesisht në të drejtën e të huajve dhe emigranteve dhe rekrutimin me sukses të qindra të rinjve nga Ballkani Perëndimor drejt Gjermanisë duke asistuar çdo procedurë ligjore.
Hygerta Aruci ( foto personale)
Jashtë fushës së diplomimit prej 5 vitesh ajo është specializuar me kurse ndërkombëtare në fushën e marketing dhe Social Media, duke ofruar shërbime të Marketingut për kompani të shumta në Gjermani, Shqipëri dhe Kosovë. Vullnetare aktive në shumë shoqata të të rinjve kryesisht shoqata të cilat kanë si bazë forcimin e urave lidhëse mes Gjermanisë dhe vendeve amë dhe prezantimin dinjitoz të kulturës dhe vlerave shqiptare si vlera të shtuara europiane. Përpos çdo angazhimi në fushën e juridikut, konsulencës dhe marketingut Hygerta është vullnetare në disa organizata bamirësie ku organizon evente dhe fushata kryesisht për fëmijët jetimë. I pëlqen një jetë aktive, e rrethuar nga njerëzit dhe dashuron faktin që dëgjon gjuhën amtare atje ku ndodhet. Energjia më e madhe e Hygertës buron nga komunikimi i përditshëm me njerëz dhe moment kënaqësie është kur zgjidh problemet që ata kanë.
CMG: Hygerta ju keni një energji shumë të mirë të cilën edhe e përcillni. Si kanë qenë vitet tuaja të fëmijërisë, pasi ato të përcaktojnë si njeri?
Hygerta Aruçi: Unë kam qenë një fëmijë shumë i lumtur dhe i paqtë. E kam dashur dhe vijoj ta dua jetën me të njëjtin intensitet dhe mendoj se jam shëmbëlltyrë e asaj që kam qenë kur isha fëmijë. Kjo dashuri për jetën dhe ky pasion për botën më ka shënjuar përherë. Kam kujtime të shtrenjta nga fëmijëria dhe në të gjitha format mendoj se e kam jetuar.
CMG: Marrëdhënia më e ngushtë që keni është ajo me vëllain tuaj, apo jo?
Hygerta Aruci dhe vellai i saj ( foto personale)
Hygerta Aruçi: Doja në fakt që në këtë bisedë ai të ishte i pranishëm, duke e përmendur dhe duke i shprehur se sa fort e dua. Vëllai im ka qenë dhe do vijojë të jetë busulla ime e orientimit. Jeta nuk është fort e thjeshtë dhe të përball me qindra sfida për të cilat duhet të mësohesh t’ia dalësh, por unë jam ndier më e qetë duke pasur vëllain në krah. Ka qenë ai njeriu që më ka mbrojtur, më ka udhëzuar për çdo hap apo diçka që kam dashur të bëj në jetën time. Si i tillë ai person do vijojë të jetë njeriu më i rëndësishëm për mua. Më është dashur shumë herë të heq dorë nga disa gjëra në jetë, por më ndihmën e tij gjithmonë e kam gjetur rrugën e duhur. Rruga e jetës sime nuk mund të ishte kaq e bukur pra praninë e tij. Ndaj dhe do të doja që t’i uroja edhe ditëlindjen pasi pas pak ditësh ai feston ditëlindjen dhe kjo intervistë do të doja të ishte kujtim për të dy ne.
CMG: Ju keni zgjedhur të studioni drejtësi, pse e keni bërë këtë zgjedhje?
Hygerta Aruçi: Ky pasion për të drejtën vjen nga dashuria për botën. Unë i dua njerëzit dhe e dua të drejtën. Andaj kam punuar shumë me veten që zgjedhja ime e parë në studimet e mia të ishte drejtësia, më pas kam bërë edhe gjëra të tjera por fillimisht prioritet ka drejtësia. Dua që një ditë të kem në dorë të vendos drejtësi për këdo që ka nevojë për mua.
CMG: A është jeta juaj produkt i fatit apo punës?
Hygerta Aruçi: Të gjithë njerëzit janë me fat kur lindin dhe vijnë në jetë, më pas është puna konstante e cila i ndihmon ata të jenë më të gatshëm për jetën. Kur ti punon arrin të marrësh kënaqësi për çdo gjë në jetë. Unë kam punuar shumë, jam lodhur shumë, por pas çdo lodhje ka ardhur fyti i punës sime.
Hygerta Aruci ( foto personale)
CMG: Ju keni pak kohë që jeni zhvendosur në Gjermani, mund të na tregoni si është jeta atje?
Hygerta Aruçi: Jeta e çdo emigranti është tejet e vështirë, por me kalimin e kohës çdo gjë merr formën dhe karakterin e vet. Në fillim e kisha shumë të vështirë ambientimin, ndërsa tani e kuptoj që është gjithçka tek guximi dhe besimi për gjërat. Njeriu duhet të ketë dy elementë në jetën e përditshme që është sakrifica dhe durimi, më pas vjen çdo gjë tjetër.
CMG: Ju keni themeluar edhe agjencinë tuaj, ku ofroni konsulencë dhe ndihmë për të rinjtë që duan të punojnë në Gjermani dhe jo vetëm.
Hygerta Aruçi: Po, në fakt unë këtë gjë e kalova vetë, pasi hasa vështirësi të madhe në tregun e punës këtu, dhe pasi gjeta format dhe lehtësirat vendosa që çdo i ri apo e re që ka nevojë për mua të mos kalojë të njëjtat vështirësi. Unë jam natyre solidare dhe preferoj të ndihmoj këdo, pa pritur diçka në këmbim. Jeta ka një mision dhe misioni i vërtetë është të jemi të vërtetë dhe të kemi dëshirën për të bërë mirë.
Intervistoi Megi Latifi