Astronautët kinezë të Shenzhou-16, të quajtur dhe taikonautë, u kthyen të sigurt në Tokë të marten, pas një misioni 154-ditor në stacionin hapësinor të vendit.
Foto:VCG
"Kapsula" e rihyrjes me tre taikonautët Jing Haipeng, Zhu Yangzhu dhe Gui Haichao u ul në shkretëtirën Gobi në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës Veriore në orën 8:11 të mëngjesit sipas kohës së Pekinit, deklaroi Agjencia e Hapësirës Kozmike me Ekuipazh e Kinës(CMSA). Sipas ekipit mjekësor që i priti në vend, të tre taikonautët e misiont Shenzhou-16 janë në gjendje të mirë shëndetësore.
CMSA-ja deklaroi se misioni Shenzhou-16, i pari me ekuipazh pas hyrjes së stacionit hapësinor të Kinës në fazën e përdorimitt dhe të zhvillimit u krye me sukses të plotë.
Anija kozmike e misionit Shenzhou-16 u shkëput nga kombinimi i stacionit hapësinor të vendit mbrëmjen e të hënës, pasi taikonautët bënë një foto panoramike me qartësi të lartë me stacionin hapësinor dhe Tokën si sfond. Është hera e parë që një foto u bë në këtë mënyrë. Pas uljes së modulit rihyrës, ekipi i kërkim-shpëtimit mbërriti në vendin e mbërritjes.
Anija kozmike Shenzhou-16 u lëshua më 30 maj nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve Jiuquan në Kinën Veriperëndimore. Gjatë qëndrimit të tyre pesëmujor në stacionin hapësinor, ekuipazhi përfundoi një sërë detyrash, duke përfshirë një aktivitet jashtë anijes, leksionin e katërt shkencor dhe detyra të shumta të montimit jashtë stacionit hapësinor.
Foto:CMG
Duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët në Tokë, taikonautët kryen gjithashtu një sërë testesh e eksperimentesh shkencore që kanë të bëjnë me inxhinierinë e faktorëve njerëzorë, mjekësinë hapësinore, ekologjinë e jetës, bioteknologjinë, shkencën e materialeve, fizikën e lëngjeve dhe teknologjinë astronautike.
Progres i rëndësishëm është bërë në fushat e shkencës së jetës hapësinore dhe kërkimit njerëzor, fizikës së mikrogravitetit dhe teknologjive të reja hapësinore.
Ekuipazhet e astronautëve të Shenzhou-16 dhe Shenzhou-17 përfunduan dorëzimin në orbitë të dielën. Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast ekuipazhi i ri mori "çelësin" e stacionit hapësinor, i cili duket si një shkulës metalik, i dekoruar me një nyjë kineze të kuqe.
Anija kozmike Shenzhou-17 u dërgua të enjten në Stacionin Hapësinor të Kinës nga Qendra e Lëshimit së Satelitëve Jiuquan në Kinën Veriperëndimore.
Ekuipazhi Shenzhou-17 pritet të qëndrojë në orbitë për gati gjashtë muaj, duke kryer disa aktivitete jashtë stacionit dhe shumë eksperimente e teste në fusha si fizikë bazë në një mjedis me mikrogravitet, shkencë e materialeve, shkencë e jetës, mjekësi hapësinore dhe teknologji hapësinore.
Foto:CMSA
Shenzhou është emri i koduar për misionet hapësinore me ekuipazh të Kinës. Vitet e fundit, vendi ka përuruar stacionin e vet hapësinor "Tiangong " dhe po planifikon të krijojë një bazë kërkimore në Hënë.(Zhang Yan/Eda)