Investuesit e huaj vlerësojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri
2023-10-31 09:39:27

Anketimi vjetor (Foto Monitor)

Anketimi vjetor (Foto Monitor)

Më 26 tetor 2023, Shoqata e Investuesve të Huaj në Shqipëri paraqiti anketimin e saj vjetor “Mjedisi i biznesit në Shqipëri 2023”. Investitorët e huaj e vlerësojnë në përmirësim mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri, me një rritje prej 6 pikësh, krahasuar me vitin 2022. Ka optimizëm, kur shikohen pritshmëritë e tyre për të bërë biznes në vend, duke shënuar 52 pikë, me një rritje sërish prej 8 pikësh, krahasuar me një vit më parë.

Anketa u zhvillua gjatë periudhës gusht – shtator 2023, në rrjetin e anëtarëve të Shoqatës së Investuesve të Huaj në Shqipëri dhe investitorëve të huaj në vend.

Të anketuarit kryesorë të këtij sondazhi ishin bizneset e huaja të rëndësishme në Shqipëri në sektorët e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, industrive të rënda dhe minierave, energjisë dhe mjedisit, shërbimeve financiare, tregtisë, logjistikës, turizmit, shërbimeve konsulente etj.

Përmirësimi i një sërë treguesish në anketimin e realizuar, si ata që kanë të bëjnë me sjelljen e administratës tatimore dhe doganore, me nivelin e transparencës, me konkurrencën, si dhe me nivelin e burokracisë, me të cilën përballen bizneset, dëshmon një klimë më pozitive për biznesin, të gjeneruar nga qeveria.

Reformat e ndërmarra prej saj kanë dhënë rezultate. Për shembull, koha e procesimit të dokumenteve është ulur. Është kursyer kohë dhe janë reduktuar orët e pritjes dhe ka rezultate pozitive edhe në rimbursimin e TVSH-së.

Nga veprimtaria e investitorëve të huaj ( Foto Scan TV)

Nga veprimtaria e investitorëve të huaj ( Foto Scan TV)

Treguesit e anketimit që historikisht kanë qenë më problematikë, si “Niveli i transparencës në procedurat qeveritare”, “Niveli i burokracisë me të cilin përballet biznesi”, “Niveli i zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve në biznes”, si dhe “Sistemi gjyqësor shqiptar dhe ndikimi i tij në biznes” janë përmirësuar me të paktën 5 e deri në 10 pikë, krahasuar me vrojtimin e vitit 2022. 

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete, në fjalën e tij me rastin e prezantimit të gjetjeve të anketimit të Shoqatës së Investuesve të Huaj në Shqipëri, theksoi se ”Ekonomia shqiptare është duke ecur në një trajektore pozitive, gjë e cila u konfirmua edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, ku së fundmi, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikuan në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike për vitin 2023.

Gjithashtu, janë inkurajuese shifrat e rritjes së investimeve të huaja në vend, si edhe të dhënat e fundit lidhur me numrin e turistëve, ku në periudhën janar-shtator rreth 8.3 milionë vizitorë të huaj kanë ardhur në Shqipëri.

Vitin e kaluar Investimet e Huaja Direkte kapën një shifër rekord prej 1.3 miliardë euro dhe trendi vijon të mbetet pozitiv, ku në 6-mujorin e parë, investimet e huaja direkte arritën afro 700  milionë euro.

Sektorët që po përfitojnë janë ato ku potenciali i rritjes së produktivitetit është më i lartë, si industria nxjerrëse, turizmi, teknologjia e informacionit, si edhe industria automotive.

Qeveria shqiptare ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të thelluar më tej proceset e digjitalizimit, zgjerimit të shërbimeve online, ri-inxhinierimin e shërbimeve, derregullimin dhe  përmirësimin më tej në këtë kuadër të klimës së biznesit.”

Qeveria po avancon me një kuadër rregullator ligjor, që i përafrohet Bashkimit Europian, pasi një kuadër i tillë është një garanci më shumë për investitorët dhe i ndihmon ata të jenë më të mbrojtur dhe të orientojnë më drejt planet e tyre të investimit.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete (Foto Top Channel)

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete (Foto Top Channel)

Sigurisht që ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm. Niveli i kualifikimit të punonjësve të rinj dhe aksesi në forcën e kualifikuar të punës janë dy aspekte të evidentuara në anketim, për të cilat kërkohet më shumë angazhim edhe nga ana qeverisë shqiptare, përmes politikave dhe nismave të caktuara, për të rritur aftësimin profesional dhe për të stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës.

Shqipëria dhe rajoni kanë një nevojë të madhe për burime njerëzore që t’i përgjigjen cikleve të zhvillimit dhe orientimit të kërkesës ndaj ofertës së tregut të punës.

Qeveria po punon për hartimin e një kuadri të ri ligjor për një ligj të unifikuar të investimeve, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorë prioritarë, në veçanti.