Galeria e Arteve Shkoder - foto GASH
Në fillimet e Galeria e Arteve në Shkodër funksionoi si pjesë e Shtëpisë së Kulturës së qytetit. Si institucion më vete dhe i vizitueshëm nga publiku, Galeria e Arteve u inaugurua në fillim të viteve '70 të shekullit të kaluar (1971-1973), kohë kur, për ekspozimin e koleksionit të saj të veprave të artit, të krijuar nëpërmjet blerjeve dhe donacioneve, pushteti lokal i kohës vuri në dispozicion një godinë historike në qendrën muzeale të qytetit.
Vizite ne Galerine e Arteve ne Shkoder - foto GASH
Në fillim të viteve '90 Galeria u transferua në një ish-godinë industriale, pranë qendrës së qytetit, të përshtatur për këtë qëllim. Ajo ka për mision mbledhjen, konservimin dhe ekspozimin e veprave të artit pamor me vlera serioze profesionale si dhe promovimin e krijimtarisë së artistëve të qytetit të Shkodrës dhe zhvillimeve bashkëkohore në artin shqiptar e me gjere. Për këtë qëllim shërbejnë dy salla që alternojnë me periudha të ndryshme ekspozimin e koleksionit të galerisë me aktivitete individuale apo grupe artistësh.
Zef Kolombi - Vazo me lule - foto GASH Vladimir Jani - Natyre e qete - foto GASH
Ndryshe nga shumë galeri lokale, ky institucion është rezidenca e një ekspozite të përhershme me punët më të zgjedhura të autorëve që janë “strehuar” në këtë galeri.Koleksioni, i cili mund të shihet përherë nga publiku, përfshin vepra nga periudha e Rilindjes, ajo e pas Luftës së Dytë Botërore, Realizmit Socialist e deri në vitet e fundit te fillimshekullit të ri. Rrugëtimi i artit kombëtar ndër vite, duke arritur deri në artin bashkëkohor, jep një ide mjaft të qartë jo vetëm të artit por edhe të historisë së vendit. Emrat e Kolë Idromenos - themelues i traditës së re piktorike shqiptare, Ndoc Martinit, Simon Rrotës, Andrea Kushit, Zef Kolombit, konsiderohen të një rëndësie të veçantë për pikturën shqiptare të gjysmes se pare te shekullit XX, periudhë që shënon fillimet e një pikture qytetare laike në artin shqiptar.
Simon Rrota - Portreti i babes - foto GASH Kole Idromeno - Harapi i Beledijes - foto GASH
Edukimi i tyre në shkollat artistike perëndimore, kryesisht italiane, përcaktuan edhe tiparet profesioniste dhe frymën realiste të veprës së tyre që do të jetë pararendëse e zhvillimeve të mëvonshme në pikturën shqiptare. Një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tyre bën pjesë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve,Tiranë.
Jakup Keraj- Vajza me pellumb - foto GASH Hashim Kruja - Kallmetorja - foto GASH
Pjesa dërmuese e veprave të koleksionit që disponon GA Shkodër, i përkasin periudhës nga 1946 deri në fund te viteve -80-të. Bëhet fjalë për një epokë historike ku politika dhe ideologjia përcaktuan marrëdhëniet e artistit me artin dhe me të gjithë jetën e shoqërisë. Një brez artistësh që studiuan në shkollat e lindjes (ish - Bashkimin Sovjetik, Poloni,etj.) me rikthimin e tyre në Shqipëri i japin jetë të ashtuquajturit "realizmi socialist". Pikturat dhe skulpturat e kësaj periudhe pasqyrojnë zhvillimet në artin pamor shqiptar përgjatë një kohe mbi 40 vjeçare dhe njëkohësisht dëshmojnë konsolidimin, hap pas hapi, të një drejtimi të ri artsitik. Veprat e kësaj periudhe pohojnë dyzimin e artistit mes lirisë së krijimit dhe konformizmit, mes detyrimit zyrtar dhe dëshirës për të ikur nëpërmjet kërkimesh artistike individuale dhe gjetjesh të tërthorta. Në fondin e kësaj galerie gjenden piktura të I.Lulanit, D.Jukniut, A.Dodmasej, J.Kerajt, F.Pacit, F.Ashikut etj, personalitete përfaqësuese të artit shqiptar të kësaj periudhe.
Ismail Lulani - Ali Pashe Tepelena
Zhvillimet ne artin shkodran dhe shqiptar pas viteve '90 deri ne ditet e sotme jane gjithashtu te pasqyruara në koleksionin e kesaj galerie, ndonese me nje numer akoma te kufizuar veprash. Sot, Galeria e Shkodrës nuk është vetëm një pikë takimi mes vizitorit dhe artistit. Ajo është edhe streha e bisedave për historinë e artit, për postmodernizmin, për ndikimin e kohëve dhe politikës në artet pamore shqiptare dhe jo vetëm.
Andrea Kushi - Portret plaku - GASH Miruku - Dite heroizmi - foto GASH
Aktivitetet e shumta afirmojnë ambicien e kësaj galerie për të luajtur rolin e ndërmjetësit të kualifikuar mes publikut dhe artistëve përherë në kërkim të hapësirave të reja të shprehjes. Galeria e Arteve e Shkodrës përditë pasurohet pasi kjo galeri pret me kënaqesi dhurime të veprave nga artistët që ekspozojnë në ambientet e kësaj galerie, duke i mundësuar kësaj të fundit pasurimin e koleksionit të saj me krijimtari artistike bashkëkohore.
Neritana Kraja
skender Kraja - Korrja e grurit (baker)- foto GASH