Mardena Xhahaj ka emigruar në Itali në vitin 2000 dhe që atëhere jeton dhe punon në qytetin e Livornos. Në Shqipëri ka përfunduar gjimnazin dhe studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë nuk i përfundoi sepse u largua në emigracion. Ka kryer studimet në Itali në fushën e kinemasë dhe është angazhuar në disa aktivitete social-kulturore me komunitetin shqiptar atje. Kohët e fundit vjen në Shqipëri më shpesh për të marrë pjesë në aktivitetet artistike që organizohen këtu. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për sfidat në emigracion si dhe mallin që ka për vendin e saj.
Mardena Xhahaj gjate spektaklit Miss Mama ne Elbasan (Foto personale)
CMG: Sa vite ke që jeton në Itali, dhe si ka qenë në fillim integrimi juaj atje?
Mardena Xhahaj: Unë kam emigruar në Itali në vitin 2000 dhe janë plot 23 vjet që jetoj këtu. Sigurisht që dhe unë si shumë shqiptarë që dëshironin të emigronin erdha në Itali dhe tani jetoj, punoj dhe kam studiuar në Itali.
CMG: Në cilin qytet jeton në Itali?
Mardena Xhahaj: Unë jetoj në qytetin e Livornos që prej vitit 2000 dhe nuk kam ndërruar vend. Jam gjenduar shumë mirë këtu, për faktin se gjuhën italiane e kam studiuar qëkur isha në Shqipëri dhe e kam patur më të lehtë si shumë shqiptarë të tjerë. Gjuha italiane më ka ndihmuar që të integrohem më lehtë në shoqërinë italiane.
Mardena Xhahaj (Foto personale)
CMG: Mendon se njohja e gjuhës në vendin që emigron është një avantazh thelbësor për integrimin?
Mardena Xhahaj: Gjuha e vendit që emigron është thelbësore, sepse njeriu kur nuk njeh gjuhën nuk mund të shprehë mendimin, nuk mund të bëjë një pyetje apo të thotë një koment dhe i vështirëson jetën në shumë aspekte. Ndërkohë që po të njohësh gjuhën e ke më të lehtë për çdo gjë, sepse problemet janë të shumta, sidomos kur je në vend të huaj. Komunikimi është thelbësor dhe duhet të njohësh gjuhën. Megjithatë ne si shqiptarë i mësojmë shumë shpejt gjuhët e huaja dhe integrohemi shumë shpejt. Kam vënë re nga njerëzit e tjerë që e kanë mësuar shumë shpejt gjuhën dhe pse nuk e kishin studiuar më parë.
CMG: Për çfarë keni studiuar në Shqipëri para se të emigronit në Itali?
Mardena Xhahaj: Unë kam mbaruar gjimnazin në Shqipëri dhe kisha filluar studimet në shkollë të lartë, por vështirësitë ishin të shumta kur filluan problematikat në Shqipëri. Unë studioja në Universitetin e Elbasanit në degën e drejtësisë dhe mu desh t’i lija përgjysëm studimet. Megjithatë nuk jam dorëzuar kurrë dhe kam mundur që të vazhdoj studimet për aq sa kam mundur këtu në Itali. Kështu që bëra të njohur diplomën time shqiptare me shumë vështirësi dhe ja arrita qëllimit. Kam studiuar dhe këtu, ku kam bërë dhe shumë kurse të ndryshme për pasionet e mia, për ato fusha që mua më kanë interesuar mbi të gjitha.
CMG: Cilat janë pasionet dhe kurset që ju keni ndjekur në Itali?
Mardena Xhahaj: Njëri nga pasionet e mia është recitimi dhe aktrimi. Rastësisht duke ecur në një pjesë të qytetit pashë një lajmërim për një kurs për gratë e huaja dhe ato italiane. Në bashkëpunim me Bashkinë e Livornos ishte një projekt i financuar nga një organizatë për të drejtat e barabarta të njerëzve. Ky ishte një projekt për të afruar dhe integruar të huajt. Unë këtë rast e kapa shumë shpejt, ku u interesova duke i marrë në telefon dhe më treguan që zhvillonin këtë kurs. Sigurisht që ishte e vështirë në ato vite, sepse integrimi duhet të ecë me forcat e tua. Kështu që nisa të bëja këtë kurs, dhe pastaj me anë të teatrit unë jam marrë edhe me të drejtat e të huajve sepse kemi vënë në skenë pjesë teatrale në mbrojtje të të drejtave të të huajve në Itali. Kemi dhënë këtë mesazh me anë të këtyre pjesëve teatrale. Pastaj më vonë kam vazhduar gjithmonë e më shumë të merrem me teatrin dhe filmin sepse kam kërkuar gjithmonë më shumë nga vetja.
Mardena Xhahaj fituese e spektaklit Miss Mama (Foto personale)
CMG: Ka qenë e vështirë për ty të kaloje nga fusha e drejtësisë për të cilën kishe nisur studimet në Shqipëri në atë të teatrit dhe kinemasë?
Mardena Xhahaj: Ka qenë e vështirë sepse duke qenë dhe nënë me dy fëmijë nuk më është dashur të mendoj vetëm për veten time dhe të bësh një degë si juridiku është shumë e vështirë sepse duhet ta ndjekësh. Fakulteti i drejtësisë është në qytetin e Pizës, që për mua ishte distancë e largët dhe e kisha të vështirë të ndiqja një universitet kaq larg. Atëhere unë zgjodha një degë pak a shumë të të njëjtës fushë, sepse kur flet për drejtësinë flet për të drejtat e njeriut, për të ndihmuar gjithmonë popullsinë. Kështu që unë e bëra në një formë tjetër më të lehtë për mua, por gjithmonë më bën të jem e pranishme për problemet e të huajve në Itali, të bashkëatdhetarëve të mi në shumë fusha të tjera.
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar që jeton në Livorno?
Mardena Xhahaj: Në vitet para pandemisë angazhimet kanë qenë të shumta, kemi bërë aktivitete të bukura sociale. Këto aktivitete organizohen gjithmonë në bashkëpunim të shoqatave me njëra-tjetrën, si shoqatat shqiptare, të Senegalit, Ekuadorit, pra të popullsive më pjesëmarrëse këtu në Livorno. Kemi organizuar aktivitete shumë të bukura në bashkëpunim me njëri-tjetrin për t’i treguar popullit italian kulturën e vendeve të ndryshme. Tani njerëzit po i njohin më shumë kulturat e të huajve dhe mundohen t’i kuptojnë më shumë.
CMG: Fëmijët tuaj e flasin mirë gjuhën shqipe?
Mardena Xhahaj: Djali ka lindur në Shqipëri dhe ishte vetëm tre vjeç dhe sa kishte filluar të fliste gjuhën shqipe. Megjithatë po të mos vazhdoja unë t’i flisja dhe t’i mësoja gjuhën shqipe ai do ta humbiste. Gjithmonë kam luftuar ta mbroj gjuhën shqipe, në shtëpi jemi munduar gjithmonë të flasim gjuhën tonë, por dhe në respektin e gjuhës italiane, sepse kur janë të vegjël nuk e kanë të vështirë të mësojnë më shumë gjuhë të huaja. Gjithashtu dhe vajza që ka lindur këtu nuk e ka pasur këtë problem, sepse i kam folur gjithmonë shqip dhe të dy fëmijët flasin, shkruajnë dhe lexojnë shqip.
Mardena Xhahaj gjate xhirimeve te nje filmi ne Itali (Foto personale)
CMG: E viziton shpesh Shqipërinë dhe për çfarë të merr malli më shumë kur je larg vendlindjes?
Mardena Xhahaj: E vizitoj gjithmonë Shqipërinë sepse është pjesë e imja dhe nuk mund ta harroj kurrë vendin tim. Kthehem gjithmonë plot mall e dëshirë dhe më pëlqen ushqimi që kam ngrënë kur kam qenë më e vogël. Unë kam gjithmonë mall për vendin tim ku jam rritur dhe kthehem me dëshirë. Kohët e fundit jam munduar të merrem dhe me aktivitete që organizohen në Shqipëri.
CMG: Në një spektakël bukurie në Elbasan jeni shpallur fituese e ‘Miss Mama”. Si je ndjerë me pjesëmarrjen në këtë spektakël?
Mardena Xhahaj: Xhilda Toska, producentja e këtij eventi më bëri ftesën si shumë grave të tjera, por jo të gjitha kishin pranuar. Unë këtë gjë nuk e pashë si diçka të keqe, sepse ajo më foli shumë për këtë event që ishte për të demostruar jo vetëm bukurinë fizike, por edhe për të sensibilizuar publikun, duke e ditur që dhuna është shtuar ndaj gruas në Shqipëri. Mendoj se ky event ka ndihmuar sadopak. Ndjehem shumë krenare që u zgjodha unë, por besoj se të gjitha kanë fituar sepse të gjitha ne gratë që morëm pjesë jemi gra të guximshme që kontribojmë shumë në shoqërinë shqiptare, por dhe këtu sepse kanë qenë dhe gra të tjera që morën pjesë. Të gjitha gratë kanë dhënë diçka nga ana e tyre, një mesazh sensibilizues dhe shpresojmë që dikujt t’i ketë shkuar ky mesazh.
Mardena Xhahaj.(Foto personale)
CMG: Jeta juaj tani është midis Italisë dhe Shqipërisë?
Mardena Xhahaj: Këto kohët e fundit jam angazhuar dhe me Shqipërinë sepse e shikoj që Shqipëria ka bërë ndryshime shumë pozitive, por mendoj që ka nevojë akoma. Ne që jemi shqiptarë të larguar mund të kontribojmë sadopak për vendin tonë. Unë dua të jap kontributin tim siç e kam ëndërruar, sepse kurrë nuk mendoja të largohesha nga vendi im dhe tani erdhi momenti të jap kontributin tim me aktivitete sociale.
CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Mardena Xhahaj: Doja të jepja një mesazh për të gjitha nënat e reja që jetojnë në emigracion të mos harrojnë kurrë gjuhën shqipe, të luftojnë dhe punojnë më shumë që edhe fëmijët e tyre ta mësojnë atë, sepse duke mbrojtur gjuhën shqipe mbrojmë idenditetin tonë. Kudo që jetojmë duhet ta ndjejmë veten shqiptarë.
Intervistoi: Gazmend Agaj