Taksa e pronës nga 2026 ndryshon. Zv.ministrja Vjero komenton taksën
2023-10-30 09:53:29

Taksimi (Foto Shqiptarja.com)

Taksimi (Foto Shqiptarja.com)

Kush ka një banesë në pronësi do të paguajë më shumë taksa. Edhe më shumë para do të nxjerrë nga xhepi cilido që ka dy ose më shumë apartamente në zotërim. Projektligji që parashikon ndryshimet në skemën e taksimit të pasurive të paluajtshme doli për Konsultim publik.

Konfirmohet se në vitin 2026 taksimi i pronave nuk do të bëhet me çmim reference, por me vlerë tregu. Ky është ndryshimi i parë rrënjësor pasi kjo do të thotë që vlera e pronës do të jetë më e lartë, rrjedhimisht edhe taksa mbi të. Kjo taksë që do të vilet përmes faturës së ujit.

Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i prezantuar në muajin gusht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pritet të rrisë detyrimin e taksës së ndërtesës tek apartamentet 18 deri 50% dhe te dyqanet deri 25%, sipas shembujve të MFE për llogaritjen e taksës së re.

Drafti është ende në fazë konsultimesh. Për grupet e interesit dhe pushtetin vendor, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpërndarë dokumentin “Reforma e taksës së pasurisë 2024-2028” ku paraqiten shembujt për llogaritjen e taksës për secilën kategori, duke përfshirë, ndërtesat e banimit, për qëllime biznesi, si dhe për traullin, tokën bujqësore dhe pyjore.

Në një intervistë për Revistën Monitor, Zv. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Vasilika Vjero ka shpjeguar zbatimin e formulës së re.

“ Ky është një projektligj i ri që do të identifikohet në mënyrë të veçantë vetëm taksës së pasurisë. Deri më sot taksa e pasurisë është në atë që quhet ligji për sistemin e taksave vendore ku janë të renditura taksat apo dhe tarifat, është dhe ligji për vetëqeverisjen vendore. Tashmë kemi parashikuar të kemi një ligj të dedikuar duke qenë se është një nga taksat më të rëndësishme dhe do të mbetet të jetë edhe në të ardhmen.

Njësitë e qeverisjes vendore gjykojnë se ka nevojë që të rregullohet, dhe aspektet që ky legjislacion prek fillojnë që me përgjegjësitë e ripara dhe të rishtuara të rishikuara të qeverisjes vendore. Projektligji do ta trajtojë tani taksimin e pasurisë mbështetur në vlerën e tregut dhe jo në çmimet e referencës apo në lekë për hektarë apo metër katror siç trajtohet sot trualli, që është trualli rezidencial apo që është truall bujqësore.”- tha Vjero.

Taksa e pronës (Foto Monitor)

Taksa e pronës (Foto Monitor)

Vjero tha se konkretizimi i ligjit do të kërkojë kohë për t’u plotësuar.

“Nga ana tjetër ligji do të rishikojë dhe një herë rikategorizimin e pronave, të gjitha kategoritë e pronave që të taksohen janë riparë. Ligji ka parë dhe njëherë të gjithë koeficientet e taksimit, si mund të taksohet një pasuri, qoftë ndërtesë apo qoftë truall, ligji ka riparë dhe njëherë të gjitha përjashtimet, pasi në ligjin aktual ka një serë përjashtimesh, dhe i kemi rishikuar edhe njëherë kush do të jetë në taksën për pasurinë apo aspektet që lidhen me fuqizimin e rolit të qeverisjes vendore, me krijimin e kadastrës fiskale që është një sistem i centralizuar për taksimin dhe që do u vijë në ndihmë njësive të vetëqeverisjes vendore, ashtu sikur ndarjen e përgjegjësive mes pushtetit vendor dhe pushtetit qendror për administrimin e taksës së pasurisë ku një rol të madh rimerr qeverisja qendrore por dhe mënyrën sesi të dhënat do të procedohen dhe do tu vihen në ndihmë njësive vendore, nëpërmjet agjenteve tatimore, mënyra sesi do të administrohet taksa, e rëndësishme është dhe koha kur do të hyjë në fuqi ligji ku ne kemi parashikuar disa afate kohore që shkojnë përtej vitit 2026 pasi kemi të bëjmë me një taksë të rëndësishme., do të jetë mbi bazën e vlerës së tregut. Do të kërkojë një kohë të konsiderueshme për të përgatitur të gjithë kuadrin ligjor dhe për ta implementuar këtë kuadër ligjor por dhe publiku për tu njohur dhe absorbuar atë çfarë ky ligj parashikon.”

Sipas dokumentit për reformën e taksës, për parcelat do të jetë Agjencia Shtetërorë e Kadastrës që do të përgatisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, zonat e vlerave dhe çmimet referuese. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë do të përcaktojë, zonat e vlerave dhe çmimet referuese për njësitë e ndërtesave, si dhe vlerat e vlerësuara të pasurive të paluajtshme.

“Projektligji nuk ka vajtur në detaje të elementëve të hartës së vlerës pasi është shumë shpejt. Projektligji do përcaktojë shtyllat kryesore se si do të taksohet taksa e pasurisë pasi do të ketë disa akte nënligjore lidhur me përcaktimin e hartës apo të vlerës së tregut që do përbëjë dhe bazën e taksimit. Në fakt në projektligj është parashikuar që vlerësimi, harta e vlerës për taksën e pasurisë për kategorinë rezidenca ndërtime rezidenciale do të përcaktohet nga Ministria e Financave, nga drejtoria përkatëse, që është drejtoria e taksës së pronës së pasurisë. Ndërkohë që për truallin për parcelat, qoftë parcela rezidenciale, apo parcela bujqësore do të jetë ASHK. Në fakt Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka një detyrim ligjor për të përcaktuar vlerën e parcelave që në ligjin mbi të cilin ajo u krijua disa vite më parë.”

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pas konsultimit publik do të nisë konsultimi së brendshmi me institucionet publike.

“ Tashmë ka një avancim edhe nga ASHK për të përcaktuar këtë metodologji për vlerësimin e truallit. Pra do të jetë një vlerësim i ndarë, por sigurisht ligji do të parashikojë të gjithë mekanizmat që të dy vlerësimet dhe të dy strukturat të mund të komunikojnë me njëra tjetrën. Ne kemi propozuar një vlerësim të ndarë, por në momentin kur do mbyllet konsultimi publik do të fillojë dhe një konsultim i brendshëm mes institucioneve publike, dhe mund të ketë ndryshime se kush do të jetë autoriteti vlerësues, që mund të jetë ASHK apo ministria e Financave nëpërmjet taksës së pasurisë. Nëse do vijmë tek pyetja juaj për mënyrën sesi do të vlerësohet në fakt ka shumë forma vlerësimi, ka vlerësimin në masë që është një vlerësim individual që i bëhet pronave të caktuara. Ne do të jemi pro vlerësimit në masë sepse vlerësimi individual kërkon më shumë resurse dhe mund të bëhet për godina të caktuara vlerësimi në masë do të mbështetet në pronat që do të vijnë nga shitjet, shitblerja e pronave dhe sigurisht që do të krijohen zonat e vlerës, do krijohen faktorët e vlerës, për ndërtesa të caktuara siç mund të jetë përdorimi, vendndodhja, ku është i vendosur kjo pronë por dhe të tjera elementë që do të jenë pjesë e një vendimi të Këshillit të Ministrave. Pra ligji përcakton po themi shtyllat kryesore por nuk mund të hyj në detaje, pasi do të duhet të ripërcaktohen apo ridizenjohen në momentin e duhur.”- tha Vjero.

Sipas relacionit, taksa e pasurisë e bazuar në vlerën e tregut ka potencial të fortë për rritjen e të ardhurave. Baza tatimore e një takse të bazuar në vlerën e tregut, identifikon vlerën e shtuar të pasurive të paluajtshme nga investimet kapitale, shërbimet apo programet e financuara nga bashkia dhe qeveria, që nuk identifikohen apo merren parasysh nga tarifa, taksa apo tatime të tjera që aplikohen sot.